E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enea Prifti: Takova para se të vritej Erjon Lamen

Dëshmia

Prokuroria ka thirrur në seancën e djeshme gjyqësore për të dëshmuar shtetasin Enea Prifti, i cili e kishte ndryshuar emrin në Eno. Sipas prokurorisë, ky shtetas kishte takuar tri orë para se të vritej të ndjerin Erjon Lame. Dëshmitari tha se takimi ka qenë rastësor, pasi atë ditë kishte takuar edhe Artan Shabanin ose i njohur ndryshe si “Ben çami”, pasi të dy i kishte shok. Prifti tha se vrasjen e kishte marrë vesh në telefon dhe mbante mend se kishte shkuar në spital për të mësuar disa detaje. Ai tha se me Ben çamin nuk kishte bërë asnjë bisedë, ndërsa tregoi para gjykatës së vrasja e Erjon Lames kishte ndodhur afër selisë së PD-së në Durrës. Gjatë gjithë kohës që dëshmonte para togave të zeza, Prifti deklaroi se nuk mbante mend asgjë tjetër rreth ngjarjes, pasi kishte kaluar një kohë e gjatë nga ndodhja e saj. Po për këtë vrasje dëshmoi dje në seancë edhe shtetasi Hajri Jaja, i cili ka qenë rojë në një ndalesë hekurudhore në Rrashbull. Kur u pyet në lidhje me këtë ngjarje, dëshmitari deklaroi se kishte dëgjuar vetëm krisma armësh, por nuk kishte parë njeri. “Më pas u futa në kabinë dhe nuk kam dalë më prej saj, ndërsa pashë se disa policë po kontrollonin në një banesë aty afër. Kur i pyeta, më thanë se kishin shkuar për një ngjarje”, pohoi Jaja.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›