Komuniteti çam ndihmon familjen Marko
Apeli për solidaritet ndaj familjes Marko ka sjellë reagimet e para. Duke iu bashkuar nismës së gazetës “Shqip”, Shpëtim Idrizi, si përfaqësues i komunitetit çam, ka bërë dje një akt dhurimi në vlerë monetare dhe e ka shfrytëzuar këtë rast për të bërë një thirrje sensibilizimi për familjen e shkrimtarit Petro Marko në ditët më të vështira. E bija, Arianita Marko, është përlotur disa herë teksa në kafenenë poshtë shtëpisë së saj, Idrizi i fliste për sensibilitetin që çdokush duhet të ketë për këtë figurë. E ndier herë-herë në siklet, Nita, siç e thërrasin miqtë, tha se i ati i saj, Petroja krenar, ndoshta nuk do ta kishte pranuar kurrë këtë situatë për familjen e saj. La të kuptohej qartë se ajo nuk kishte më zgjidhje tjetër. Shpëtim Idrizi në emër të komunitetit çam, rreth orës 11.30 i ka dorëzuar familjes Marko një ndihmë prej 5 mijë eurosh dhe ka shprehur gatishmërinë për t’u kujdesur dhe për të mbështetur ndonjë botim të mundshëm të Petro Markos. Në një bisedë të lirshme me Arianitën, kanë folur për ndonjë dorëshkrim të shkrimtarit, ndonjë simpozium të mundshëm dhe komunikimi ka mbetur i hapur. “Për momentin e kam të pamundur të merrem me dorëshkrimet”, ka thënë një çast Arianita. është e kuptueshme. Në katin e dytë, aty ku nën dritare lexohet “Këtu ka jetuar Petro Marko”, gjendet Safoja me sëmundjen e saj. Shpëtim Idrizi së bashku me përfaqësuesit e komunitetit çam që e shoqëronin, kanë bërë një vizitë fare të shkurtër në familjen Marko. “Të sensibilizuar nga mediat për atë çfarë po ndodh me familjen e një ndër korifenjve të letërsisë shqiptare, por besoj edhe një ndër patriotët më të mëdhenj të kombit tonë, ne jemi këtu në emër të komunitetit çam jo vetëm për të dhënë ndihmën dhe kontributin tonë, por në radhë të parë duam të sensibilizojmë me forcë, sepse ajo çka pamë në atë shtëpi është tronditëse. Duam të sensibilizojmë qeverinë shqiptare, bashkinë, mediat, gjithë opinionin publik, por edhe biznesin, sepse ajo çka po ndodh me njerëzit dhe vlerat tona, siç janë shkrimtarët e shquar, artistët, njerëzit që i japin vlera Shqipërisë është tronditëse. Ne si shoqëri nuk mund të ecim dot përpara nëse nuk vlerësojmë figura si Petro Marko apo dhjetëra të tjerë si ai”, ka thënë Idrizi, pasi ka zbritur shkallët e familjes Marko. Prej disa ditësh, gazeta “Shqip” i është drejtuar me një apel të hapur individëve, shoqatave, por veçanërisht institucioneve shtetërore për të ndihmuar familjen Marko të kalojë këtë çast të vështirë. “Gjej arsyen e mjaftueshme për të falënderuar reagimin solidar të komunitetit çam dhe gjej arsyen të shpreh apelin tim në emër të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, gazetës “Shqip” dhe gjithë gazetarëve për monumentet që neglizhohen në qendër të metropolit. Kjo na bën të arsyetojmë për mënyrën se si ne sillemi me monumentet në periferi të vendit. Ky apel duhet të shkojë në veshin e institucioneve dhe shtetit institucional shqiptar”, ka thënë Aleksandër çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve dhe kryeredaktor i gazetës “Shqip”. Po kësaj nisme i është bashkuar gjithashtu edhe kinema “Imperial”, e cila do të ofrojnë një ndihmë fillestare prej 500 mijë lekësh të reja. “Ne kemi pasur sensibilitet që në momentin e parë kur mësuam për gjendjen në të cilën ndodhej familja Marko, e mbështesim apelin për ndihmë dhe në të ardhmen, me shumë kënaqësi, do të shohim ndonjë mundësi tjetër bashkëpunimi me këtë familje”, shprehet Altin Prifti, drejtori i përgjithshëm i kinema “Imperial”. Ndërkohë apeli në gazetën “Shqip” do të vazhdojë edhe gjatë këtyre ditëve, për t’iu gjetur pranë familjes së shkrimtarit të njohur, të bijës së tij Arianitës, e cila përballet përditë me sëmundjen e së ëmës dhe të vëllait. Sensibiliteti individual i jep një zgjidhje të përkohshme problemit të tyre, ndërkohë që do të duhej një reagim institucional në emër të veprës që Petro Marko i la shoqërisë sonë.
#