Enveristët me dollomanë e antikomunizmit!
Gjithmonë e në rritje është një propagandë majtiste që, në thelb, ka mbrojtjen e nostalgjisë së shtrirë si një pëlhure merimange e zezë, e zvetënuar. Kërkohet që kjo kolerë të mbijetojë edhe pak kohë, sa të jemi të anëtarësuar si bashkëveprimtarë shtetesh që kanë hequr dorë prej kohësh nga ideologjitë totalitare. Është njëra ndër arsyet që majtizmi ynë alla-Rama është alergjik ndaj qasjeve që na ofrohen me dashamirësi, që të jemi anëtarë me të drejta të njëjta të asaj bashkësie njerëzish të paindoktrinuar, me emrin e respektuar të Bashkimit Europian. E. Rama e sheh se koha nuk punon për të. Sido që ajo thirrja e përhershme “na i vodhën votat” është bërë demodé, e dalë bojet, si një mjet ngushëllimi për të justifikuar disfatat zgjedhore të njëpasnjëshme. Ai togfjalëshi i bezdisshëm ka për t’u dëgjuar edhe në zgjedhjet e pritshme, gjersa Edi Rama të jetë bërë i padurueshëm edhe përbrenda familjes së tij politike dhe të definestrohet nga kreu i PS-së. Kërkoj falje që nuk gjeta ndonjë fjalë më të përshtatshme, hë për hë.
Enverizmi ynë dhe pafytyrësia e disa qarqeve për ta mbajtur të gjallë figurën e tij politike, me të gjitha zbukurimet mashtruese të të zezave të tij në dëm të Shqipërisë, na ka qëndruar si kërcu përmbi samar, gjatë të gjithë kohës, qysh prej ndryshimit të sistemeve në vendin tonë. Ky kërcu përmbi samar e ka zvarritur rigjenerimin e shpirtrave për një demokraci sa më të pastruar nga çoroditja mendore e njerëzve të thjeshtë, përmes një propagande që mund të përcaktohet, shkurt, si indoktrinim. Shitja e interesave kombëtare na u propagandua kryengulthi. Vasaliteti ndaj emisarëve antishqiptarë në PK, u quajt si i asgjësuar (!) kur erdhi akti i dytë i dramës, i konfliktit me Jugosllavinë e Titos. Jo se lakenjtë u zgjuan nga një gjum i frikshëm; porse duhej ruajtur karrigia e Enverit se mos e përfshinin valët sizmike të një periudhe, të padëshiruar nga Stalini në atë kohë. Ky tiran nuk vonoi të dilte në arenën politike si një antishqiptar, kur e trajtoi si plaçkë tregu vendin tonë dhe ia ofroi për gëlltitje mareshalit Tito, në qoftë se ky do të garantonte mosbraktisjen dhe mosdaljen nga kampi socialist.
Në vitin 1956 diktatori shqiptar u ndodh para dyzimit: Ose të denonconte Stalinin, si e gjithë Lindja Europiane komuniste, ose të mbetej si stalinisti i vetëm i gjithë Europës. Zgjidhja e kësaj dileme sipas versionit të parë, të destalinizimit, do të sillte si pasojë lëshimin e fronit diktatorial. Nënkuptohet se u zgjodh varianti i dytë, ai i mbrojtjes së krimit të pamohueshëm stalinist. Doemos edhe i krimeve të Enverit, të shkuara e të ardhshme.
Tani mbeteshin “armiqtë” brenda radhëve, meqë të tjerët, sidomos pas dështimit të marrëveshjes së Mukjes, u masakruan para e prapa shpine. Ç’është e vërteta, tanimë duheshin përligjur dështimet në të gjitha sferat, në një regjimi autarkik, të mbyllur në vetvete, pa aleatë, me përjashtim të disa aventurierëve politikë, nga Europa gjer në Azi, persona pa më të voglin autoritet politik në vendet e tyre, të cilët i ishin ngjitur Enverit si këpushë, për t’i shitur “Veprat” e tij që askush nuk i lexonte, as ne vendin tonë, po të përjashtojmë leximet kolektive të detyruara të të premteve “edukative”. I mbetur si peshku pa ujë, E. Hoxha bëri kërdinë mizore në kulturë, në strukturat e nxjerrjes së naftës, në ekonominë e dështuar, por veçanërisht në ushtri. E pësuan si mareshali Tukaçevski pjesa më e madhe e gjeneralëve më të kualifikuar. Thuajse të gjithë u akuzuan, veç të tjerash, edhe për komplot kundër Komandantit, gjë që s’i kishte shkuar ndërmend askurrkujt prej tyre. U krijua një gjendje psikologjike terrori, në të gjitha shtresat e popullsisë, situatë e cila favorizoi një indoktrinim dhe një shpëlarje truri, për të zëvendësuar Perëndinë në Qiell me një njeri të vetëm në Tokë. Enverizmi u bë një dukuri specifike e komunizmit shqiptar, në saje të të cilit të pushkatuarit brenda radhëve, fjalën e fundit para plotonit të ekzekutimit e kishin “Rroftë sh. Enver!”, (me përjashtim të nacionalistëve: “Rroftë Shqipëria). Megjithatë kjo ishte pak për vrasësin e njerëzve të pafajshëm. Domethënë despoti s’ishte ngopur endé .
Mëkatarët në shërbim të këtij shteti antiligjor u shtuan në progresion gjeometrik rritës. Servilizmi arriti përmasa të paimagjinueshme. Indoktrinimi u bë absolut.
Urrejtja ndaj një monstre të tillë u pa shkoqur dhe u qartësua plotësisht në rrëzimin e statujës së diktatorit në Tiranë. Tigrat e armatosur gjer në dhëmbë, me qentë e egërsuar në rripin e meshintë në dorë të agucinëve, u bënë pula. Ramiz Alinë e zunë drithërimat që të jepte urdhër për të qëlluar kundër turmës që do të zvarriste tiranin e rrëzuar nga piedestali. Hija e Çausheskut dhe e Helenës nuk i ndahej nga kujtesa Ramizit, që kishte parë në TV-të e huaja epilogun tragjik të përfaqësuesve të diktaturës rumune.
Por si shpjegohet që ajo masë të indoktrinuarish, që s’ishte në gjendje të mbronte idhullin e saj në fillim të dhjetëditëshit të shkurtit 1991, e mori veten, u trimërua më vonë, madje shkaktoi edhe ’97-n dhe mori pushtetin në dorë pas zgjedhjeve “të domeneve” (zgjedhjet qesharake me vetveten, në mjaft zona), të qershorit të atij viti të mbrapshtë?
Mungesa e përvojës së të çliruarve mga vargonjtë e komunizmit (e kam fjalën pas triumfit zgjedhor të 22 marsit 1992), pasurimi i shumë elementëve të të rënëve që kishin marrëdhënie tregtare shtetërore me firma të jashtme, firma të cilave iu adaptuan në përfitime personale, gjendja e privilegjuar materiale e të përkëdhelurve të diktaturës, përshtatja më e shpejtë me ekonominë e tregut, dukuria e afarizmit të kuq, qëndrimi liberal ndaj partive emërndërruara dhe autosugjestioni se mos përfliteshim nga vëzhguesit e huaj se demokracia e ’92-shit përdorte forma të diktaturës që lamë pas , si edhe mjaft faktorë të tjerë, - sidomos propaganda mashtruese që përfitoi nga vështirësitë e një fillimi tepër të vështirë nga skamja ekonomike, - si edhe mjaft arsye të tjera, rimëkëmbën të mundurit. Mos të harrojmë një element domethënës: Blerjen e renegatëve, të gatshëm t’ia shisnin shpirtin djallit! Kështu u shndërrua me ustallëk pakënaqësia e humbjeve në firmat huamarrëse, duke bërë përgjegjëse qeverinë. E vërteta, sipas ekipit në mbrojtje të të humburve, kryetari i të cilëve kishte dokumente autentike, ishte se pjesa dërmuese e këtyre firmave (si edhe përfituesit) qenë të së majtës. Dhe vijmë te 1997-a, që e çoi vendin në nivelin zero. Gjer në vitin 2005 e di populli ç’vuajti. Këtë tetëvjeçar e pasqyroi bindshëm E. Rama, sigurisht për interes të tij: “E kishim me hak humbjen” (në 2005-n).
***
Tani, pas sukseseve të pamohueshme të qeverisjes së re, pas atij tetëvjeçari të përzishëm, na del një marifet i ri, që pasqyrohet në titullin e këtij shkrimi. Kur folëm për suksese të pamohueshme, duhet shtuar se ato janë tërësisht të mohueshme prej nihilistëve të Ramës. Por ky s’ka qenë kurrë objektiv, që kur kaloi nga antikomunizmi i ekzaltuar (“Refleksionet”) në komunizmin fanatik të tanishëm. Komunistët më të thekur dhe ata proselitë që bëjnë lojën e komunizmit, na qenkan në unison për të përbaltur ata që qenë në vijën e parë të dygishtorëve, duke i quajtur “komunistë” bash ata! Për këtë duhet të përcaktosh një vijë demarkacioni për të mos rënë në grackën e të patenzonëve. Në ditët e ethshme të rrëzimit të statujës, para dhe pas kësaj ngjarjeje të lavdishme për fatet e demokracisë, kush ishin në ballë të lëvizjes? Por edhe: ku ishin ata që në këto ditë bënin politikën e Ramizit, të ruajtjeve të statujës së diktatorit si vlerë historike (me ligjin aty për aty, madjé)? Sikur të kishim aftësinë e komunizmit ekstrem të sotëm për të pasur çimkat në dispozicion dhe afijet pa pare të gatshëm, do të kishim një libër shumëvëllimësh me emrat e atyre që i quajnë “komunistë” personat më të çmuar të asaj kohe, doktor Berishën e Azemin në radhë të parë. U duhet bërë biografia si në komunizëm atyre që e kanë bërë si të modës që të quajnë Berishën komunist! (CV-të a nuk janë biografi në miniaturë?).Duhet pasur parasysh se u braktisën me mijëra e me dhjetëra mijëra tesera të PPSH-së. Antikomunistët e spikatur ishin eliminuar barbarisht nga diktatura. Kush do ta bënte lëvizjern demokratike? Sa për biografinë e Berishës, njeriu më i besueshëm se sharlatanët që bëjnë një politikë neveritëse, është doktor Sabit Brojka. Antagonist në politikë, por serioz dhe dinjitoz në çka thënë konkretisht: “Berisha ishte nga mjekët më të përgatitur dhe pjesëmarrës në forumet ndërkombëtare të mjekësisë. I thashë sinqerisht: “Të duhet të jesh anëtar partie. Përndryshe do të të kufizohen ato daljet jashtë shtetit. Rekomandimin jam i gatshëm të ta bëj vetë. Pranoi. (A mund të mos pranonte? – shënim). Sa për doktor i Bllokut të Udhëheqësve, ai s’ka qenë (Këtë e ka thënë edhe Nexhmija në librat e kujtimeve – shënim). Të tjerë kanë thënë: “Profesor Berisha ka sjellë libra të ndaluara nga jashtë shtetit. Në intimitet ka folur në kohë të rrezikshme kundër regjimeve totalitare”.
Të ishte komunist Berisha, nuk do të flisnin me kaq mllef kundër tij, ata që hiqen si anikomunistë!