Borxhi publik ulet nën 57% të PBB
E konfirmon edhe raporti i Zyrës Europiane të Statistikave
Totali i borxhit shqiptar, nga 59 për qind ka zbritur në 56.9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke iu larguar kështu kufirit të rrezikut 60%, i konsideruar si i tillë nga institucionet financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Sipas të dhënave të ministrisë së Financave për tremujorin e parë të 2012-ës stoku i borxhit ka arritur në 787,9 miliardë lekë. Prodhimi i Brendshëm Bruto ka arritur mbi 13 miliardë dollarë, duke bërë që stoku i borxhit në raport me PBB të arrijë në më pak se 57 për qind. Ekspertët në Ministrinë e Financave pohojnë se rënia e borxhit në raport me PBB është arritur nëpërmjet një disipline fiskale që ka synuar mbajtjen e deficitit buxhetor nën kontroll. Sipas kreut të Financave, Ridvan Bode, zvogëlimi i borxhit publik në tërësi dhe lehtësimi i kostos së pagesës së interesave të tij janë sfida me të cilat po përballet aktualisht ekonomia shqiptare. Kriza botërore solli një ndryshim te vlera e euros, duke rritur koston e borxhit në valutë, për shkak të ndryshimeve në kursin e këmbimit. Por sipas Ministrisë së Financave menaxhimi i borxhit mbetet nën kontroll, për shkak se Shqipëria tre të katërtat e borxhit i ka hua të brendshme, ku risku i financimit është më i ulët. Një nga objektivat kryesor të qeverisë është ulja e borxhit publik deri nën 55% brenda vitit 2015. Reduktimi i borxhit publik me dy pikë përqindjeje në pjesën e parë të këtij viti është pasqyruar edhe në raportin më të fundit të Komisionit Europian, por sipas tij borxhi mbetet i lartë në raport me vendet e tjera të rajonit. Ndërkohë që sipas këtij raporti të KE, Shqipëria paraqitet më mirë kundrejt rajonit përsa i përket nivelit të papunësisë dhe luhatshmërisë së ulët të çmimeve.
...