Në 2013-n, shqiptarët do votojnë për vazhdimin e projektit të investimeve
Kreu i mazhorancës, Sali Berisha, në bashkëbisedimin periodik me përfaqësuesit e mediave, ka rinovuar angazhimin për prezantimin në zgjedhjet e ardhshme me koalicionin më të shkëlqyer të pluralizmit, i cili do të marrë përsipër edhe vazhdimin e projektit të investimeve të mëdha publike, i cili po hyn në fazën e tij përfundimtare
Deklaratat e forta të bashkëbisedimit të shefit të ekzekutivit me mediat
Po përgjohet opozita? Rama vuan nga sindroma obsesive - kthen zyrën përmbys çdo mëngjes
Berisha: Rama të pranojë heqjen e imunitetit – akuzat ndaj Ministrisë së Mbrojtjes janë shpifje
Në 100 vjetorin e Pavarësisë, historia do njohë versionin e saj të vërtetë
Partia e Topit, ëndërr e Edi Ramës, s’bëj koalicion me të, se unë i respektoj ëndrrat e të tjerëve
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një bashkëbisedim me përfaqësues të medias, rreth zhvillimeve të fundit politike në vend si, zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës; rritja e pagave dhe pensioneve; miratimi i reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR si dhe nisja e procedurës për heqjen e imunitetit. Konferenca e kryetarëve ka vendosur në kalendar nismën e mazhorancës për ndryshimin e Kushtetutës seanca për të cilën do të zhvillohet më 6 gusht. Në nisje të konferencës për shtyp, kryeministri Sali Berisha komentoi akuzat e opozitës ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat i cilësoi si kryekëput mashtrime. Sipas shefit të ekzekutivit, akuzat për trafikim armësh dhe përgjim nga dikasteri në fjalë, janë aktrime mediatike dhe pasojë e sindromës së kryetarit të saj, Edi Rama. Kreu i qeverisë mohoi kategorikisht shitjen e armëve nga Shqipëria, sikurse hodhi poshtë akuzat për përgjimin e deputetëve të opozitës. Duke u ndalur në një çështje të tillë, Berisha tha se Edi Rama vuan nga sindromi i përgjimit, pasi çdo mëngjes e kthen zyrën e tij përmbys nga dyshimet e forta se mos deputetët dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë i kanë vendosur ndonjë përgjues. “Kjo mazhorancë nuk pengon dhe nuk mund të pengojë asnjë nismë të vetme të Parlamentit. Parlamenti ka rregulloren dhe ligjin mbi të cilin ndërmerr veprimet. Shqiptarët duhet ta dinë se në protokollin e parlamentit nuk është dorëzuar asnjë kërkesë e vetme nga opozita për një komision hetimor parlamentar. Këtyre zotërinjve nuk u intereson hetimi por teatralitetit për të njollosur një institucion shumë të rëndësishëm dhe të respektuar të vendit. U intereson të shpifin pa baza se po bëhet trafik armësh. Ju garantoj që nuk ekziston qoftë një fishek i shitur nga ky vend, procedurat për eksportimin e armëve janë tërësisht transparente. Kush i pengoi këta të paraqesin kërkesë për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar? Përsa i përket regjistrimit, duhet të them se ky është një sindrom i tmerrshëm obsesiv i Edi Ramës, i cili çdo mëngjes, kur shkon në zyrë, kthen përmbys kolltukët. A mund të udhëhiqet një parti nga obsesione të tilla?! Ushtria shqiptare ka zbatuar e zbaton rregulla të plota si institucion i depolitizuar. Ushtria shqiptare ka pasur, ka e do të ketë të gjitha mjetet që asaj i duhen për të përmbushur detyrat e detyrimet e saj kombëtare e ndërkombëtare. Edhe kjo është një shpifje njëlloj si e para, por kjo e dyta bazohet në sindromën obsesive të një njeriu që çdo mëngjes kthen përmbys kolltukët, se mos i kanë vendosur ndonjë përgjues, bashkëpunëtorët, se dyshimin, ai e ka te bashkëpunëtorët e tij. Por kjo nuk është detyra ime. Detyra ime është ta respektoj plotësisht kundërshtarin dhe e kam faktuar këtë”- u shpreh kryeministri Berisha.
Pyetje-Përgjigjet e bashkëbisedimit të Kryeministrit Sali Berisha me përfaqësues të Medias
Zoti Kryeministër, duke iu referuar pretendimeve të ngritura nga Partia Socialiste, përsa i takon hetimit parlamentar ndaj ministrit të Mbrojtjes Imami dhe Ministrisë së Mbrojtjes për çështjen e një trafiku të armëve. A ka pasur trafik të armëve dhe përgjime për opozitën e diplomatët e huaj, siç pretendon opozita?
Së pari, dua t’ju garantoj që kjo mazhorancë nuk pengon e nuk mund të pengojë as edhe një nismë të vetme të parlamentit. Ju e dini mirë që parlamenti ka rregulloren e ligjin, bazuar në nenin 77 të Kushtetutës, mbi të cilin ndërmerr veprimet. Shqiptarët duhet ta dinë se deri në këtë moment, në kryesinë e parlamentit, në protokollin e parlamentit nuk është dorëzuar qoftë një kërkesë e vetme, nga deputetët e opozitës, për komision hetimor parlamentar. Ligji i komisioneve hetimore parlamentare, një ligj konsensual në kohën e tij, është i qartë si kristali. Por këtyre zotërinjve nuk u intereson hetimi, por teatraliteti. Atyre u intereson të përpiqen të nxijnë e damkosin një institucion nga më të respektuarit për Shqipërinë e shqiptarët. Atyre nuk u intereson që të sjellin projektin e komisionit hetimor parlament dhe që nuk mund të ketë mëdyshje, por u intereson të akuzojnë e të shpifin pa baza, se po bëhet trafik armësh. Ju garantoj ju dhe të gjithë shqiptarët se në mënyrë kategorike, absolute, nuk ekziston qoftë edhe një fishek i trafikuar nga ky vend. Procedurat e eksportit të armëve, në përputhje me ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare, janë plotësisht transparente. Pra, këta zotërinj kërkojnë teatralitet para mediave. A mund t’u shtroni pyetjen: kush i pengoi të paraqesin kërkesë për komision hetimor parlamentar dhe përse nuk e paraqitën? Kontrolli parlamentar, kontrolli administrativ, kontrolli i shtetit, që të gjitha kanë procedurën e tyre ligjore dhe asgjë nuk mund të bëhet jashtë tyre. Ata e dinë që nuk ka trafik, por nuk u intereson kjo, u intereson shpifja. Ata e dinë që nuk ekziston në mënyrë kategorike, absolute, asnjë praktikë e tillë, por kjo nuk ka rëndësi për ta. Rëndësi ka që, meqenëse Shqipëria, në përputhje me ligjet e vendit e ato ndërkombëtare, ka eksporte minimale, për hir të vërtetës, të fishekëve a gëzhojave a ç’mund të jenë, kjo veprimtari duhet të nxihet si veprimtari trafiku. Përsa i përket regjistrimit, duhet të them se ky është një sindrom i tmerrshëm obsesiv i Edi Ramës, i cili çdo mëngjes, kur shkon në zyrë, kthen përmbys kolltukët. A mund të udhëhiqet një parti nga obsesione të tilla?! Ushtria shqiptare ka zbatuar e zbaton rregulla të plota si institucion i depolitizuar. Ushtria shqiptare ka pasur, ka e do të ketë të gjitha mjetet që asaj i duhen për të përmbushur detyrat e detyrimet e saj kombëtare e ndërkombëtare. Edhe kjo është një shpifje njëlloj si e para, por kjo e dyta bazohet në sindromën obsesive të një njeriu që çdo mëngjes kthen përmbys kolltukët, se mos i kanë vendosur ndonjë përgjues, bashkëpunëtorët, se dyshimin, ai e ka te bashkëpunëtorët e tij.
Deklaratat tuaja për rivlerësimin e figurave historike dhe të vetë historisë, zoti Kryeministër, kanë ngjallur jo pak reagime e debat publik. Ju jeni akuzuar për revansh. Pyetja ime është e drejtpërdrejtë: revansh në emër të kujt, në rast se ka dhe a është revanshi qëllimi juaj?
Së pari, vlerësoj të gjithë ata që angazhohen në një debat, analizë e shqyrtim të historisë në kuadër të 100 vjetorit të datëlindjes së Shqipërisë së sotme. Thirrja ime ka qenë e mbetet: Të bëjmë gjithçka për ta shndërruar këtë 100 vjetor në piedestalin e të vërtetave tona kombëtare në këto 100 vite. Ne kemi ardhur në 100 vjetor si një komb, i cili për 45 vjet ishte me histori të falsifikuar apo të ndaluar dhe kam kënaqësi që edhe ata, të cilët për arsye strikt politike aktuale, vërsulen e më atribuojnë gjëra që nuk i kam thënë, por të paktën po i afrohen të vërtetave që duhet të dalin. Unë nuk i kam kërkuar kujt, kurrë, të shkruajë këtë apo atë, për historinë e vendit dhe nuk e bëj këtë. Por ata, të cilët mendojnë se Kryeministri i vendit nuk mund të flasë për historinë e vendit të tij, janë qesharakë, për të mos thënë më shumë. Unë u them këtyre zotërinjve se historia dhe politika janë binomi më i pandarë. Historia është veprimi politik i djeshëm, sikundër politika është veprimi historik i sotëm. Natyrisht kanë identitete të ndryshme. Njëra është përshkrim, tjetra veprim. Këtyre zotërinjve, që u duket se po jua prekin pavarësinë, ju garantoj se asgjë nuk mund të më pengojë, qoftë si kryeministër, intelektual apo qytetar, për të mos mbrojtur ato të vërteta që besoj. Ne erdhëm si komb me histori të ndaluar, me histori të falsifikuar. Ne kemi përgjegjësi para vetes, por, mbi të gjitha, para fëmijëve tanë, të mësojmë të vërtetat. Nuk ka diskutim që kjo Shqipëri është bërë nga patriotët. Ata që e kanë dashur e kanë bërë këtë vend dhe pa dashurinë, përkushtimin e sakrificën e tyre, ky vend nuk do të ishte sot, 100 vjeçar. Por kjo nuk mund të na pengojë të shohim të gjitha dritëhijet e historisë sonë. Kam pasur e kam qëndrim të palëkundur ndaj luftës nacionalçlirimtare, si një ndër faqet më të ndritura të historisë sonë, por ata që duan të mohojnë aspektet e saj vëlla-vrasësë, që duan të mohojnë financimin e kontributin e aleatëve të mëdhenj, në radhë të parë të Britanisë së Madhe, në këtë luftë, ata vazhdojnë melodinë e vjetër hoxhiste. Ata, të cilët duan ta shohin historinë me gjyzlykët e hoxhizmit, harrojnë se ato janë me syzet e falsifikimit. Jam jashtë çdo lloj idealizmi dhe idealizimi dhe unë them se ky 100 vjetor nuk është një panair lavdie dhe nuk mund të jetë, sepse kështu e kemi pasur të shkuarën.
Reforma zgjedhore u krye. Kryetari i PS-së Edi Rama duket i kënaqur, pasi thotë se ka marrë garanci se zgjedhjet nuk do të vidhen dhe ai do të fitojë, por ndërkohë ka mbetur përgjysmë heqja e imunitetit, ndryshimet kushtetuese që ju i keni dorëzuar në parlament. A jeni penduar që nuk e pranuat propozimin e zotit Rama, kur një nga katër propozimet e tij ishte heqja e imunitetit, kur negocionit për presidentin, sepse PS-ja duket se do ta shtyjë këtë projekt pas këtij sesioni?
Lidhur me reformën zgjedhore, unë jam shumë i kënaqur që reforma do të votohet. Jam gjithashtu shumë i kënaqur për të gjitha koncesionet që kemi ofruar në këtë proces. E kam theksuar dhe e theksoj se është në detyrimin e qeverisë të bëjë koncesionet maksimale të mundshme në ligjin e zgjedhjeve. E garantoj zotin Rama se edhe në ligjin tjetër, të 2016-s, sërish do t’i bëhet çdo lëshim që ai ka nevojë, pasi ne ndahemi në dy koncepte. Përveç asaj që thashë se i takon qeverisë të japë siguritë, unë besoj tërësisht se nuk është ligji që të jep fitoren, por janë qytetarët shqiptarë, janë zgjedhësit. Zoti Rama beson se fiton nëpërmjet ligjit. Unë e vlerësoj faktin se ai është i kënaqur me reformën, por më trishton pak fakti që ai kënaqësinë më të madhe e ka për ndryshimet që u bënë për Tiranën, pasi gjuha shkon ku dhemb dhembi. Na vunë kusht ose të kontrollohen një më një zgjedhësit në Tiranë, ose s’bëhet. Unë e mirëkuptova dhe vumë kontrollin e kartës së identitetit, njëlloj si në kufi. Zgjedhësit do të futen në qendrën e votimit, sikur po hynë në një pikë kalimi kufitar. Por ai e kërkoi dhe unë e pranova. Lidhur me imunitetin, unë nuk e di cili është qëndrimi përfundimtar i zotit Rama dhe i Partisë Socialiste, por dua të theksoj disa gjëra. Ligji që dorëzuam në parlament për ndryshimin e Kushtetutës dhe ligji për organizimin e drejtësisë, në çdo germë, në çdo nen, pikë për pikë është ai që kanë paraqitur ekspertët e Këshillit të Europës dhe të EURALIUS. Unë personalisht e kam lexuar dhe e kam gjetur një ligj të mrekullueshëm. Një ligj ndër më të mirët, që i bën nder këtij vendi dhe çdo shqiptari. Në vlerësimin tim, nuk mund të ketë asnjë politikan që të mund të dalë para qytetarëve e t’u thotë unë do të rri me imunitet. T’ju them të vërtetën, kjo është njëlloj si t’ju thoshte më falni, po unë kam pak dorë. Ligji që kanë sjellë është një variant i shkëlqyer, madje nuk shkon ta shqiptarizojmë, le ta lëmë siç e kanë sjellë. Lexojeni dhe do ta shihni se është jashtëzakonisht i bazuar në doktrinë. Imuniteti është mbrojtje e pushteteve nga njëri-tjetri dhe nuk ka të bëjë aspak me personin. Është tjetër gjë si konceptohet, por imuniteti nuk ka të bëjë me personat, por me mbrojtjen e pushteteve nga njëri-tjetri. Nëse do ta lexoni, do të pëlqeni shumë zgjidhjen që ekspertët e Këshillit të Europës i kanë dhënë. Deputeti është i barabartë me qytetarin në gjithçka, me një dallim se qytetarit i duhet të shkojë nga Gjykata e Faktit tek Gjykata e Lartë, ndërsa deputetit, ministrit i është dhënë e drejta të gjykohet në çdo veprim, nga Gjykata e Lartë, institucioni suprem i drejtësisë së vendit. Së dyti, ligji ka një klauzolë të shkëlqyer, në parimin se imuniteti është për të mbrojtur pushtetet nga dëmtimi i njëri-tjetrit, nga marrja e njëri-tjetrit dhe heqja e imunitetit mund të revokohet dhe çdo masë, në qoftë se vlerësohet nga parlamenti se kjo bëhet për të prishur, dëmtuar funksionimin e parlamentit. Por ligji shkon edhe më tej. Një vendim kaq i rëndësishëm, përballë një pushteti që është themelor në vend, nuk i jepet shumicës parlamentare, por hartuesi i draftit ia jep edhe deputetëve nën shumicën parlamentare, çka do të thotë se mund ta ketë edhe grupi i opozitës. Po ta kërkojë rivendosjen e imuniteti, po ta gjykojë se heqja e imunitetit po bëhet me qëllim për të dëmtuar funksionimin e tij, ai kërkon rivendosjen e imunitetit. Pra, kanë bërë këtë zgjidhje dhe unë e ftoj zotin Rama ta pranojmë këtë standard të shkëlqyer e të falenderojmë ekspertët, të cilët për mendimin tim kanë sjellë një nga variantet më të shkëlqyera. Të mos harrojmë se ka vende në Evropë, me zero imunitetit për çdo gjë, madje nuk kanë të drejtë të vlerësohen vetëm nga Gjykata e Lartë. Të mos harrojmë se ky hap do të shënonte një etapë të re, të madhe, në luftën kundër korrupsionit, në barazinë e qytetarëve para ligjit. Mendoj se me këtë draft është dhënë përgjigja më e shkëlqyer. Unë e kam lexuar të gjithë arsyetimin dhe është jashtëzakonisht bindës. Shkojmë më tej. Ju e të gjithë shqiptarët jeni dëshmitarë se Partia Socialiste kundërshtonte heqjen e imunitetit nëpërmjet ndryshimit të ligjeve organike dhe kërkoi ndryshimin e Kushtetutës, edhe pse kjo ishte rekomanduar nga Komisioni i Venecias. Është shumica, ajo që bëri lëshimin. E kam thënë edhe më parë se zoti Rama e ka shumë të vështirë të dallojë fitoren nga disfata. Ai po fiton, pasi, para të gjithë shqiptarëve, ai kërkoi heqjen e imunitetit me Kushtetutë dhe ne, që më parë e kishim kundërshtuar këtë, tani po themi po. Zoti Rama thotë se këshilli i miliarderëve është në anën time. Atëherë e pyes, zoti Rama, ti po mbron këshillin tim të miliarderëve, ministrat e mi? Nuk mund të ndodhë kurrë që një lider opozite të mbajë qeverinë me imunitetit. Ndaj uroj e dëshiroj ta kalojmë. Kësaj here e kemi më të thjeshtë, pasi, së pari, mazhoranca ka pranuar plotësisht variantin e opozitës. Së dyti, varianti që është dorëzuar është në përputhje të plotë me kërkesat e mëparshme të opozitës dhe është një kryevepër të vërtetë në jurisprudencë, me konceptin që ekspertët e Këshillit e Evropës e të EURALIUS-it kanë sjellë. Përshëndes gjithashtu parlamentin që përcaktoi një datë, 6 gushtin, për t’i dhënë mundësi votimit, i një rëndësie të madhe për çdo qytetar shqiptar. Lufta kundër korrupsionit është e duhet të jetë beteja kryesore në çdo vend të lirë. Dje po ndiqja një seminar mbi krimin e organizuar dhe funksionimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Propozimet ishin shumë të drejta. Përse të mos e shpallim korrupsionin vepër të rëndë? Nuk ka asgjë më të vetëdijshme, asgjë më të dëmshme e më të organizuar, nuk ndodh kurrë me një autor, pra, është në definicionin e krimit të organizuar. Mendoj se duhet ta bëjmë plotësisht edhe këtë hap dhe unë e ftoj zotin Rama, pasi kjo do të ishte në interesin më të mirë të vendit.
Zoti Kryeministër, ju flisni shpesh për ekonominë shqiptare që i ka rezistuar krizës në eurozonë e më gjerë, por ndërkohë mes qytetarëve, tregtarëve ka një pakënaqësi për rënie të konsumit. Këto dy qëndrime që nuk përputhen. Keni menduar se kanë si bazë një shkëputje tuajën nga realiteti?
Për ekonominë shqiptare, unë preferoj të flas me të dhëna të institucioneve ndërkombëtare. Jo se nuk e di që në këtë vend janë një numër i konsiderueshëm qytetarësh pa punë dhe se ata robtohen në hallet e dertet e përditshme të tyre, me dhimbje të pandërprera. Jo se nuk e di se ka biznese, të cilat falimentojnë. Jam i vetëdijshëm se ka biznese që përballem me arbitraritete administrative. Por të gjitha këto nuk mund të përmbysin faktet se ekonomia shqiptare ka pasur një rritje, sipas Komisionit Europian, katër herë më të madhe se mesatarja e rajonit dhe kjo është një arritje e jashtëzakonshme për shqiptarët. Imagjinoni sikur kjo rritje të ishte katër herë më e vogël. Dhe unë po flas me të dhënat e institucioneve ndërkombëtare. Të gjitha këto ekzistojnë, por fakti është se dy raportet e fundit, ndër më seriozet në botë, pohojnë se në Shqipëri nuk u rrit, por u ul papunësia. Të gjitha këto qëndrojnë, por fakt është se në Shqipëri, vitin e kaluar u investua mbi një miliardë dollarë dhe konvertojini ato në vende pune, në paga. Kjo përbën edhe një nga faktorët kryesorë përse kjo ekonomi ka rritje. Pra, këto që themi ne kanë një konfirmim të gjithanshëm. Unë nuk besoj se këto nuk janë suksese të mëdha, në kontekstin e një kohe të krizës së madhe. Referohuni rrogave e pensioneve. Rritje misterioze rrogash, thotë makineria e Partisë Socialiste. Po përse misterioze?! Rrogat do të rriten në vlerën që është thënë dhe me këtë rritje, Shqipëria lë mbrapa dy-tre vende të Bashkimit Europian në rrogën mesatare. Pensionet do të rriten, në një kohë kur jo një, por disa vende i kanë ulur me 20, 40 përqind, sipas rastit. Unë nuk them se kriza nuk ndikon, por e vërteta është se ekonomia shqiptare po reziston. Rastet që ju thoni nuk mund të përgjithësohen. Janë raste pa diskutim. Nga ana tjetër, ne qëndrojmë të bëjmë gjithçka për të fuqizuar sektorin privat. Raporti i Komisionit Europian thotë se, në qoftë se punësimi në sektorin shtetëror u ul me 0.6 përqind në vitin 2011, punësimi në sektorin privat u rrit me 5.5 përqind. Ne kemi një platformë të drejtë e model të qëndrueshëm. Ndërsa modeli që ofron rivali opozitar është të anulojë të gjitha koncesionet e investimet e huaja. Ka ndonjë opozitë kund në Europë që të bëjë një deklaratë të tillë? Ishte kjo opozitë që u mor gjashtë muaj me koncesionet e hidrocentraleve dhe nuk arriti të faktojë qoftë edhe një akuzë të vetme. Kjo është politika e opozitës, ndërsa unë shkoj në çdo qoshe të vendit dhe inauguroj hidrocentrale, në sajë të asaj politike që i besuam dhe e implementuam. Ai thotë se do të anulojë gjithçka në këto investime. E pyes, po një miliardë dollarë të kthyera në vende pune, do t’i shtetëzosh? Nuk e gjykoj të drejtë këtë politikë. Problemi është shumë serioz. Me këto qëndrime, opozita shndërrohet në një kahje, që unë nuk e dua, në një aleat të jetëgjatësisë së këtij pushteti. Të gjithë ata që e dëgjojnë se do të anuloj këtë dhe atë, thonë: Zoti na ruajt nga kjo opozitë!
Zoti Kryeministër, si i gjykoni zërat kritikë së fundmi, të dy deputetëve tuaj, për një rithemelim të PD-së dhe kërkesën për ndryshime të thella në qeveri?
Partia Demokratike është parti e fjalës së lirë. Nuk ekziston kurrë në këtë parti dhe nuk do të ekzistojë tendenca më e vogël e trysnisë mbi mendimin e fjalën e lirë. Ne e kemi faktuar këtë. Ju e dini të gjithë se kur vjen puna për të folur, në krahun tjetër, një përgjigje pa leje nuk jua japin. Unë ju ftoj ta kundërshtoni këtë, në emër të respektit për fjalën e lirë.
Për t’u rikthyer tek çështja e imunitetit. Ajo që opozita po tenton është jo vetëm të ndryshojë Kushtetuta për imunitetin, por edhe për çështje të tjera. Do të ishit i gatshëm për këtë? A ka nevojë Kushtetuta për ndërhyrje të tjera?
Unë gjykoj se për Kushtetutën e Shqipërisë nuk ka në mënyrë kategorike veçse komente e vlerësime ndër më pozitivet. Në vitin 2008, me zotin Rama, ne bëmë një reformë kushtetuese që unë do ta quaja të një rëndësie shumë të madhe për vendin. Por ai është si puna e Haxhi Pishmanit, pendohet për çdo veprim që bën. Unë nuk pendohem. Kur del gabim, unë mbaj përgjegjësi. Pendimi nuk shërben. Tani, ai thotë se është ngutur. Sërish nuk është i sinqertë. Nuk u ngutëm, por është punuar katër muaj për to, me grupet e mirëbesimit. Mund të ketë qenë procedura në fund, por puna ka qenë shumë mujore. Kushtetuta, me ato ndryshime, ju garantoj se është sot një nga dokumentet më të shkëlqyer ligjor për të drejtën kushtetuese moderne. Por që ta bëjmë Kushtetutën si vegun e Penelopës, e kam deklaruar këtë nuk mund ta bëj. Po, imuniteti është një standard i tepërt në Kushtetutë, sepse imuniteti ka ardhur duke u hequr progresivisht, derisa sot ka vende që kanë zero imunitet. Nuk mund të kërkosh tani, për ta shpërbërë Kushtetutën mbi bazën e pendesës, që në fakt ia induktojnë të tjerët, sepse thellë në vetvete ai nuk mund të ketë. Unë besoj se ai ka qenë një akt shumë mirë i medituar.
Zoti Kryeministër po lidhur me reformën parlamentare, a do pranohen kërkesat e Partisë Socialiste?
Të gjitha kërkesat e PS-së janë pranuar, përveçse një kërkese. Zoti Rama kërkon që lideri i opozitës të sanksionohet në Kushtetutë me të njëjtën të drejtë me kryeministrin. Por këtu ka një problem. Për shembull në Shqipëri, lideri i opozitës nuk është në parlament. Kryetari i grupit parlamentar nuk është lideri i opozitës, është kryetar i grupit parlamentar. Për arsye të kuptueshme të funksionimit të parlamentit, në raste të përsëritura kryetari i grupit është i detyruar t’i japë kohën e tij një deputeti që është ekspert i një fushe të caktuar. Por a mund të shndërrohet funksioni i kryeministrit në një funksion kaskadë, deri të thyejë të rrëzohet diku. Kjo nuk është për Sali Berishën, por për vendin. Ndaj nuk e ka këtë asnjë vend. I kam kërkuar zoti Rama që ekspertët e tij të studiojnë Kushtetuta të botës dhe nëse e gjejnë në një vend të tillë, unë jam plotësisht dakord. Shqipërojnë Britaninë, por Britania është më sistemi më i vjetër në Evropë, të cilin nuk e praktikon dot asnjë vend tjetër. Ai funksion tërësisht mbi bazën e traditës dhe dihet fakti që nuk e ka të sanksionuar në Kushtetutë. Ndaj në rast se ai e gjen një vend që e ka të sanksionuar në Kushtetutë, një të drejtë të tillë, unë edhe këtë do ta pranoj. Në të kundërt, unë nuk mund të krijoj Kushtetutë sui generis, sipas llojit. Më kërkon që të ndryshojmë Kushtetutën për Gramozin, gjë të cilën nuk e kërkon vetë Gramozi. Megjithatë janë bërë lëshime të shumta.
Z.Kryeministër, pas zgjedhjeve të 2013-ës, që sigurisht ju i parashikoni të fituara, në rast humbjeje, çfarë do të bëjë Sali Berisha?
Së pari, edhe si Kryeministër, edhe si kryetar partie, unë shkoj në këto zgjidhje me vendimin parë të pandryshuar të pranoj verdiktin e qytetarëve shqiptarë. Së dyti, kur njeriu imagjinon të paimagjinueshmen është puna e tij, por të garantoj se në politikën e këtij vendi, çfarëdo që të votojnë qytetarët shqiptarë, unë do t’u them faleminderit, sepse jam shumë, shumë i detyruar ndaj tyre. Jam i bindur se do votojnë për vazhdimin e projektit që kemi përpara, për një mandat të paprecedent në histori, por çdo verdikt që do të japin do të respektohet me vendosmërinë më të madhe.
Në rastin hipotetik, nëse do të ketë humbje, zotin Sali Berisha do ta kemi kryetar të Partisë Demokratike?
Edhe një herë, unë do të marr të gjitha vendimet që do të diktojë sovrani dhe do t’i marr ato, me vendosmërinë më të madhe.
Partitë e vogla, e kanë cilësuar pazar, këtë marrëveshje, që nuk sjell përmirësime, por është bërë për t’i hedhur hi syve ndërkombëtarëve. Duke parasysh që çelësi i suksesit në procesin zgjedhor varet shumë nga madhësia e koalicioneve, mendoni se do keni probleme?
Aleatët i garantoj se u përpoqa të bëj më të mirën e mundshme, por kapitulli i aleancës me ta është një kapitull luajaliteti, besnikërie e mirëkuptimi. Që nga dita e parë që jam në politikë e gjer më sot, po t’u referohesh mediave kundërshtare dhe jo vetëm, nuk do të gjeni kurrë në to, një fjali të vetme se Sali Berisha na tradhtoi. Unë kam besimin tek aleatët dhe jo tradhtinë ndaj tyre, ndaj do të bëj gjithçka për të konsoliduar koalicionin më të shkëlqyer në zgjedhjet e ardhme.
Me arritjet e deritashme, a ka shpresë që ne të marrim një përgjigje pozitive për statusin e vendit kandidat në tetor?
Lidhur me statusin ky është një proces kompleks. Është e rëndësishme që ne të bëjmë çdo përpjekje. Kërkesat janë në interesin në të mirë të shqiptarëve dhe ne po punojmë për to. Por Brukseli është një kopsht, dera e të cilit ka 28 çelësa. Ndaj e kuptoni vetë se ky është një proces jo kaq i thjeshtë.
Ju folët për një koalicion të shkëlqyer në 2013, a do të jetë partia e zotit Topi pjesë e tij?
Historiku i krijimit të kësaj force është një ëndërr e Edi Ramës. Unë nuk mund t’ia marr ëndrrën Edi Ramës, se jam njeri që i respektoj ëndrrat. E dëgjuat kur tha se më dukej si byro politike, por kur ishte vetë zëvendëskryetar i byrosë politike, nuk i dukej e tillë dhe kur nuk ishte më, tha aty më dukej si byro politike. Të mos ia prekim ëndrrën Edi Ramës! T’ia lëmë siç e ka!
...