E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosch: Kriza ekonomike mund të cenojë elementët e sigurisë

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, deklaroi dje se kriza ekonomike mund të cenojë edhe elementët e sigurisë publike. Këtë deklaratë ai e bëri publike në një konferencë të Forumit të 17 të OSBE-së për Ekonominë dhe Mjedisin, organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme. Në këtë tryezë merrnin pjesë rreth 170 përfaqësues nga 69 vende, si dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. "Efektet e kësaj krize botërore për shumë vende me të ardhura të ulëta, si Shqipëria, tashmë kanë filluar të ndjehen pak nga pak. Sipas të dhënave del se në vitin 2008, dërgesat e emigrantëve shqiptarë ishin 700 milionë euro, një burim mjaft i rëndësishëm për vendin", u shpreh Bosch. Por për shkak të krizës, vijoi ai, tendenca e tyre është në rënie, madje disa emigrantë edhe mund të kthehen në shtëpi. "Këto janë efekte që duhen marrë parasysh, pasi këto ngjarje nuk mund të kenë tjetër përveçse pasoja negative në mirëqenien sociale. Për më tepër, ne të gjithë e dimë se në kohë krizash ka një rrezik më të lartë për rritjen e krimit dhe trafiqeve, çka mund të sjellin edhe përkeqësimin e sigurisë", nënvizoi ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, u ndal te tema kryesore "Menaxhimi i migrimit dhe lidhja e tij me politikat ekonomike, sociale dhe mjedisore në përfitim të stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e OSBE-së". Ministri i Brendshëm tha se kjo është një nga çështjet me interes të lartë për rajonin dhe Shqipërinë, e cila ndër vite ka përballur dhe vazhdon të përballë sfidat e migracionit, duke krijuar edhe një eksperiencë të fortë, e cila na ka mësuar se migracioni është një problem kompleks dhe shumëdimensional. "Përmirësimi i kanaleve për migrimin legal dhe reduktimi i migrimit ilegal do të luftonte të gjitha aktivitetet ilegale të lidhura me këtë fenomen. Në këtë aspekt, një rol të rëndësishëm do të luante realizimi i një menaxhimi efektiv të përbashkët të kufijve dhe bashkëpunimi ndërinstitucional", theksoi ministri Nishani. Në këtë kuadër, Shqipëria, garantoi ai, ka në zbatim strategjinë dhe planin e veprimit për menaxhimin e integruar të kufijve, përfshirë kërkesat e Ligjit të ri për Policinë e Shtetit. Ministri i Brendshëm nënvizoi edhe nevojën për ndërtimin e politikave dhe mekanizmave të përbashkët për menaxhimin e kufijve, sistemet e të dhënave dhe problemet sociale që lidhen me migrimin në mënyrë që të arrihet në vlerësime të sakta të realitetit ekonomik, përfshirë parashikimet për nevojat e tregut të punës. "Ne duhet të adaptojmë një përqasje gjithëpërfshirëse, shumëdimensionale dhe bashkëkohore dhe gjithmonë të përgjegjshme përkundrejt sfidave aktuale. Kjo përqasje duhet të ketë në themel të saj të drejtat dhe mbrojtjen e migrantëve. Kjo do të bënte të mënjanonim në kohën e duhur pasoja të pritshme negative të menaxhimit joefektiv të migracionit", argumentoi Nishani. Konferencën e përshëndeti edhe Alexandros Tziatzamis, sekretar për programet ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme të Greqisë, vendi kryesues i OSBE-së, si dhe Goran Svilanovic, koordinator i OSBE-së për aktivitetet mbi ekonominë dhe mjedisin. Tziatzamis dhe Svilanovic u ndalën në ndikimin e krizës së ekonomisë globale tek migracioni dhe nga ana tjetër, ndikimin e kthimit të migrantëve në vendet e tyre në rritjen e numrit të papunësisë. Ata theksuan nevojën e hartimit të politikave të përbashkëta për gjetjen e zgjidhjeve dhe zbutjen e problematikës lidhur me këto çështje.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›