E Diel, 1 Nëntor 2026

Ju dëmtua banesa në Gërdec, sorollaten nëpër institucione

Mos flini e gjithë familja në një dhomë, por veç e veç në dhoma të ndryshme. Kjo është përgjigjja që u kanë dhënë banorëve të një pallati dykatësh në Marqinet ekspertët e Ministrisë së Brendshme dhe qarkut, kur kanë shkuar për inspektim. Banorët, të dëshpëruar nga kushtet në të cilat jetojnë çdo ditë në banesat e tyre pas shpërthimit të Gërdecit, kanë një vit që sorollaten dyerve të Bashkisë së Vorës. Bëjnë kërkesa me shkrim, i dorëzojnë në zyrën e urbanistikës së bashkisë dhe nuk marrin asnjë përgjigje. Askush nuk u kthen zyrtarisht përgjigje nëse pallati ku ata jetojnë është i banueshëm ose jo. Pas kësaj sorollatjeje, banorët iu drejtuan emisionit "Fiks Fare" për t‘i ndihmuar që shteti t‘u japë një përgjigje nëse banesa e dëmtuar pas shpërthimit të 14 marsit 2008 në Gërdec është e banueshme ose jo. Muret janë të plasaritura, suvaja ka rënë vende-vende. Bashkia e Vorës, kur u bë kompensimi mbas shpërthimit të Gërdecit, banorëve të këtij pallati u ka dhënë vetëm nga 35000 lekë. Ndërkohë që vetëm vendosja e një dere të re në shtëpi u ka kushtuar nga 27000 lekë. Sot gjendja është e mjeruar. Banorët kanë kërkuar që ekspertët e bashkisë ta vlerësojnë përsëri gjendjen, por askush nuk u ka kthyer përgjigje. Pas ankesës së banorëve, gazetarët e "Fiks Fare" shkuan në Bashkinë e Vorës për të mësuar diçka më tepër. Shefja e urbanistikës në këtë bashki, znj. Silva Pavaci, na thotë se ka vënë në dijeni institucionet e tjera, ministritë përkatëse për ankesën e fundit të banorëve. "Është bërë një ankesë, një tekst shumë i shkurtër, kapaciteti i banorëve ai është. Për ne, gjendja paraqitet kritike. I kemi çuar kërkesë Ministrisë së Brendshme, Prefekturës së Tiranës dhe Shërbimit Gjeologjik të Tiranës, askush nuk na ka kthyer përgjigje", tregon për "Fiks Fare" drejtoresha e Urbanistikës në Bashkinë e Vorës. "Nuk është problem që mund ta zgjidhim ne, banesa është individuale dhe çdo kryefamiljar shtëpinë e tij e rregullon vet, të mos e bëjnë problem në media", nënvizon zonja Pavaci, duke ua lënë kryefamiljarëve përgjegjësinë dhe shpenzimet për të riparuar banesat e shkatërruara nga shpërthimi i Gërdecit. Ndërsa inxhinieri i Bashkisë së Vorës, zoti Luan Beta, i cili së fundmi kishte qenë pjesë e një ekipi për verifikimin e gjendjes së pallatit bën të paditurin. Ngre supet dhe nuk do të japë përfundime për gjendjen. Duke e hequr plotësisht përgjegjësinë nga vetja, ai pranon se kishte shërbyer thjesht si udhërrëfyes i ekspertëve që kishin ardhur nga Ministria e Brendshme dhe këshilli i qarkut. Sipas tij, përgjigjen duhet ta japin ekspertët e Ministrisë së Brendshme dhe të këshillit të qarkut që erdhën dhe panë gjendjen e banesave. "Që të japësh një mendim të tillë, duhet një inxhinier që të ketë punuar të paktën mbi 15 vjet punë". Me këtë fjali i përcjell banorët inxhinieri i bashkisë, duke justifikuar veten që nuk e ka këtë përvojë, edhe pse ka përgjegjësinë që të mos rrezikohet jeta e banorëve. Nuk janë vetëm këto familje që jetojnë në këtë gjendje në Marqinet pas tragjedisë së Gërdecit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›