PD, kërkesë prokurorisë: Të rihetohet 9 janari
Dy deputetë të Partisë Demokratike, Arenca Trashani dhe Ramiz Çobaj, i dërguan dje një shkresë Prokurorisë së Përgjithshëm, ku i kërkojnë rihapjen e hetimeve për tragjedinë e 9 janarit 2004. Këtë hap e bënë publik në një konferencë shtypi dy deputetët e partisë kryesore në pushtet. Sipas Trashanit dhe Çobajt, prej gati pesë vjetësh është fshehur e vërteta e kësaj tragjedie, duke u ndëshkuar vetëm shërbëtorët dhe jo përgjegjësit e vërtetë të saj. Përgjegjësit e kësaj tragjedie, thanë dy deputetët e PD-së, po bëjnë akoma karrierë politike. Ata konstatuan se janë në mbështetje të plotë të familjarëve të viktimave të 9 janarit, tragjedi nga e cila humbën jetën 28 persona. "Kjo tragjedi, për ne ka qenë krimi i radhës në kurriz të popullit të Shkodrës. Kryer nga pasardhësit e atyre që vranë e burgosën dhe e internuan për 45 vjet", nënvizoi deputetja Trashani. Më tej, ajo theksoi se kjo tragjedi është shkaktuar nga mungesa totale e përgjegjësisë së qeverisë së asaj kohe. Ata, vijoi Trashani, u dënuan me vdekje pa gjyq nga qeveria e tyre, sepse guxuan të shpresonin për një jetë më të mirë. "Ata i kërkuan ndihmë qeverisë së tyre për disa orë rresht, por klithmat e tyre ranë në vesh të shurdhër. Në gomone kishte gra dhe fëmijë të mitur, e dini shumë mirë që edhe nëse nuk do të mbyteshin, ata pas disa orësh do të vdisnin nga të ftohët dhe nuk morët asnjë masë, a nuk është ky një krim shtetëror i kryer me mosveprim", argumentoi Trashani. Kjo kërkesë e deputetëve të Partisë Demokratike për rihapje të procesit hetimor të tragjedisë së 9 janarit 2004 vjen pak ditë pas grevës së urisë së disa prej familjarëve të viktimave të kësaj tragjedie. Prej 18 ditësh, katër prej tyre janë futur në grevë urie, por deri tani duket se kërkesa e tyre për rihetim të tragjedisë ka rënë në vesh të shurdhër. Asnjë zyrtar i qeverisë "Berisha" nuk ka marrë mundimin të shkojë t‘i vizitojë ata në ambientet e grevës. Të vetmit që janë njohur më nga afër me hallin e tyre kanë qenë nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahia, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, dhe kryetari i G99, Erjon Veliaj.