E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosch dhe Withers: Zgjedhja e gjyqëtarëve jo nga politika

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch dhe ambasadori amerikan John Withers kanë deklaruar se përzgjedhja e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese të mos bëhen nga politika. Duke marrë pjesë në ceremoninë me rastin e ditës kombëtare të drejtësisë në Gjykatën e Lartë të dy ambasadorët janë shprehur kundra emërimeve të gjyqtarëve nga politika.
"Ne presim emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë, duke shpresuar që kandidaturat të mos jenë politike. Nuk mjafton vetëm figura e gjyqtarit, por duhen edhe kritere profesionale", theksoi Bosch.
Ata që zgjidhen duhet të jenë, gjithashtu, juristë të shkëlqyer dhe duhet të kenë një reputacion të rrënjosur si njerëz të pakorruptuar apo të pakorruptueshëm. Sidoqoftë, nuk duhet që fokusi publik aktual në këto emërime të profilit të lartë të na largojë nga proceset e përzgjedhjes në gjykatat e niveleve më të ulëta. Ngritjet në pozitë brenda sistemit gjyqësor duhet të bazohen në kriteret profesionale dhe etike theksoi më tej Bosch.
Ndërsa ambasadori amerikan, John Withers, ka theksuar se njerëzit në drejtësi nuk duhet të jenë politik. Sipas tij, emërimet në këto institucione duhet të bëhen me njerëz profesional dhe jo të korruptuar. ëithers shtoi se duhet sistem drejtësie me vlera.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Shpresa Beçaj, kryetare e Gjykatës së Lartë dhe kryeprokurorja Ina Rama. Nga ana e saj, Beçaj tha se gjyqtarët duhet të jenë të paanshëm, transparent dhe profesional. Në një demokraci moderne, të gjitha institucionet shtetërore, përfshirë gjyqësorin, duhet të jenë transparente dhe të përgjegjshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›