Rama viziton grevistët në spital: Do të rezistojmë duke duruar çdo dhimbje Kryetari i PS, Edi Rama

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shpreh sot se “cinizmi fashist me të cilin po përballen me këtë protestë dhe me këtë grevë ata që janë në pushtet, nuk ndihmon në zgjidhjen racionale, të arsyeshme të domosdoshme”. Në një komunikim për mediat, pasi vizitori grevistët në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, kryesocialisti tha se kjo situatë ka përgjegjës ata që janë në pushtet. Të cilët, sipas tij, duhet t’i japin llogari shqiptarëve për rrënimin e demokracisë, për rrënimin e shtetit të së drejtës, për rrënimin e ekonomisë, për rritjen e papërballueshme të çmimeve, për varfërimin e përditshëm, për mbylljen e vendeve të punës, për mbylljen e rrugëve të shpresës për njerëzit dhe sigurisht duhet të japin llogari edhe për dështimin e përsëritur në liberalizimin e vizave. “Ndërkohë që unë e përsëris nga lartësia e kësaj dhimbjeje njerëzore të një opozite që sot është shpirti i të vërtetës dhe i revoltës ndaj këtij kalbëzimi të përditshëm të proceseve të qeverisjes dhe të demokracisë në Shqipëri, se ne do të rezistojmë, do të rezistojmë duke duruar çdo dhimbje, do të rezistojmë duke duruar çdo fyerje, duke duruar çdo shpifje, duke duruar çdo sasi balte që do të hidhet ngado që do të vij me urdhrin dhe shtysën e pushtetit, do të rezistojnë për ti dhënë Shqipërisë atë që ajo meriton”, deklaroi Rama.