E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosnje, zgjedhja e qeverisë i jep fund krizës politike

SARAJEVË- Parlamenti i Bosnje-Hercegovinës zgjodhi dje qeverinë e re të vendit, çka i dha fund krizës politike 16-mujore, e filluar pas zgjedhjeve parlamentare të tetorit të vitit 2010. Për zgjedhjen e Këshillit të ri të Ministrave, i kryesuar nga Vjekoslav Bevanda nga HDZ-ja votuan 26 deputetë pro, shtatë kundër dhe një abstenim.

Në qeverinë e re, që ka nëntë ministra, krahas HDZ-së së Bevandas, marrin pjesë edhe Partia për Aksion Demokratik (SDA), Partia Socialdemokrate (SDP), Lidhja e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), Partia Demokratike Serbe (SDS) dhe HDZ 1990.

Bevanda u zgjodh kryeministër më 12 janar, datë pas së cilës filloi konsultimet për përbërjen e qeverisë. Gjatë paraqitjes së programit qeveritar, 55-vjeçari Bevanda deklaroi se prioritetet e qeverisë së tij do të ishin ripërtëritja e procesit të afrimit të Bosnjes drejt BE-së dhe rimëkëmbja
ekonomike e vendit.

Shef i diplomacisë së Bosnjes u zgjodh Zlatko Lagumxhija, ndërsa kryeministri i deritanishëm Nikola Spiriç është ministër i Financave.
(m.a/mia/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›