E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bota ka formë patateje

Nga Express më 08 prill 2011 në ora 20:40

Agjencia Evropiane e Gjithësisë (ESA) kohë më parë ka prezantuar “formën matematikore të Tokës”, e cila do të ndihmojë në hulumtimin e tërmeteve dhe të dukurive të ngjashme të katastrofave natyrore.

Agjencia Evropiane e Gjithësisë (ESA), me seli në Paris, ka prezantuar ditë më parë pamjen e planetit tonë, deri te e cila është ardhur përmes matjeve dhe përllogaritjeve të detajuara gravitacionale.

Shprehja e saktë e një prezantimi të tillë është “forma matematikore e Tokës”. Ndryshe, ky emërtim rrjedhë që nga shekulli i 19, nga matematikanët Johan Carl dhe Friedrich Gaus.

Natyrisht, Gaus, i cili njihet për nga lakorja e tij, asokohe nuk kishte në dispozicion teknologjinë që sot e shfrytëzon ESA. Por, përkundër shfrytëzimit të një teknologjie tejet të avancuar, edhe ESA’s iu nevojitën plot 12 muaj përllogaritje derisa nuk erdhi tek formësimi i “gjeoidit” të parë, i cili tregon formën e saktë të planetit tonë.

Për ta arritur këtë ESA’s iu nevojitën informacione të lloj-llojshme dhe të detajizuara, ndërkaq falë hulumtimeve të saj, shkencëtarët tash e tutje do të mund të kuptojnë se si në fakt funksionon Toka.

Pamja e fundit e Tokës është ideale, sepse oqeanet janë shfaqur pa valë dhe rryma detare, por edhe pa batica e zbatica, ndërkohë që janë formësuar ekskluzivisht vetëm përmes forcave gravitacionale, gjë që është një referencë kyçe për matjen e qarkullimit të oqeaneve, të nivelit të deteve dhe të dinamikës së akullit në polet e Tokës.

Të gjitha këto informacione janë shumë të rëndësishme për t’i kuptuar më lehtë ndryshimet klimatike, por edhe arsyet që qëndrojnë prapa shfaqjes së tërmeteve dhe katastrofave të tjera natyrore.

Megjithëse shumëkush mund të dëshpërohet me pamjen kaq joatraktive të “Planetit të Kaltër”, ata do të mund ta kenë më lehtë kur të kuptojnë se, brenda një të ardhmeje të afërt, do të mund të parashikohen katastrofat e tipit të tërmetit të paradokohshëm në Japoni.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›