Bota kujton të rënët e Luftës së Parë Botërore
Kur kanë kaluar 91 vjet nga përfundimi i Luftës së Parë Botërore, krerët e Francës dhe Gjermanisë kujtojnë për herë të parë bashkë viktimat që shkaktoi kjo luftë. Në SHBA, Presidenti Obama mbajti një fjalim në varrezat kombëtare të Arlingtonit, ndërsa në Londër, mbretëresha Elisabet drejtoi shërbimet përkujtimore. Dy ditë pas festimeve për rënien e Murit të Berlinit, Anxhela Merkel fluturoi drejt Parisit, ku bashkë me Nikolas Sarkozinë morën pjesë në ceremonitë përkujtimore të viktimave që u shkaktuan nga kjo luftë. Në Harkun e Triumfit ata kujtuan përvjetorin e 91 të përfundimit të luftës më 11 nëntor në orën 11:00 të vitit 1918. Në fakt, për herë të parë në histori, një kancelar gjerman ishte ftuar në "Champs-Elysess" për këtë rast, 91 vjet pas fundit të luftës së madhe. Të dy liderët vendosën së bashku një kurorë në varrin e ushtarit të panjohur në Harkun e Triumfit. 25 vjet më parë, më 22 shtator të vitit 1984, Fransua Miterran dhe Helmut Kohl bënë një veprim të tillë në Verdun, vendin e një prej betejave më të përgjakshme të shekullit XX. Por në vitin 1998, Gerhard Shrëder e kishte injoruar ftesën e Zhak Shirakut për 11 nëntorin. Me pak fjalë, kancelarja gjermane ndërmori një hap që askush prej paraardhësve të saj nuk e kishte bërë. Një veprim që hyri në histori, por edhe një veprim politik, një sinjal që u dërgohet edhe partnerëve europianë: pas hezitimeve fillestare, përplasjeve dhe divergjencave, çifti Merkel-Sarkozi vendos të thyejë tabunë. Një zgjedhje e detyruar jo vetëm nga arsyet politike, por, mbi të gjitha, nga bindja se vetëm thellimi i marrëdhënieve të mira franko-gjermane mund të ushqejë integrimin europian dhe të garantojë stabilitetin e kontinentit të vjetër. Kancelarja dhe Presidenti i republikës franceze duket se po përpiqen t‘i japin një shtysë të re marrëdhënieve bilaterale që në janar mund të kurorëzohen me krijimin e një ministrie të përbashkët. Disa ditë më parë ministri francez për Çështjet Europiane, Pierre Lellouche, kishte hedhur hipotezën e krijimit të një ministrie franko-gjermane me seli respektivisht në të dyja vendet. Edhe pse propozimi francez u pranua nga gjermanët, mungojnë ende shumë detaje mbi funksionet që mund të ketë kjo strukturë e re. Sot, pas zhdukjes së veteranëve që kishin qenë pjesë e Luftës së Parë Botërore, rruga është e lirë për të ndryshuar kuptimin e 11 nëntorit, kur u firmos amnistia nga dy palët ndërluftuese. Deri më sot, në Francë, kjo ditë është kujtuar për sakrificën njerëzore që vendi ka pësuar (Franca humbi 1.4 milionë njerëz në këtë luftë dhe rreth 10 për qind të popullsisë aktive mashkullore) dhe për fitoren mbi armikun. Tani, po i hapet rruga idesë që t‘i jepet një kuptim i ri kësaj dite: ai i miqësisë franko-gjermane. Në të vërtetë, gjermanët nuk duken shumë entuziastë ndaj idesë së një feste të përbashkët, ndryshe nga ajo e krijimit të një ministrie "dypalëshe". "Është një propozim shumë kurajoz dhe një nder për ne. Nga kjo mund të eksplorohen mundësi të shumta", tha ministri gjerman, Werner Hoyer. Merkel dhe Sarkozi u takuan edhe me një përfaqësi veteranësh lufte, që kishin ardhur për të kujtuar këtë ditë. Veterani i fundit i Luftës së Parë Botërore vdiq vitin e shkuar. Sarkozi u shpreh se kjo ditë duhet të simbolizojë pajtimin franko-gjerman, me qëllim ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët". Ashtu si në Luftën e Dytë Botërore, edhe në të Parën, Gjermania ishte shkaktarja e nisjes së konflikteve dhe kjo gjë ndezi armiqësinë me vendet e tjera për shumë vjet, përfshirë edhe Francën. Ceremoni të tjera përkujtimore u zhvilluan në të gjithë botën. Presidenti Obama mbajti një fjalim dhe vendosi kurora në varrezën kombëtare të Arlingtonit. Në Londër, mbretëresha Elizabeta drejtoi shërbimet përkujtimore me rastin e kësaj dite. Ceremonia përfshiu edhe dy minuta heshtje, por asnjë veteran i Luftës së Parë Botërore nuk ishte i pranishëm. Tre veteranët britanikë të mbetur gjallë nga kjo luftë vdiqën këtë vit.