E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, tenderi skandaloz lë pa mësim studentët e mësuesisë

Studentët e universitetit "Fan Noli" të Korçës po vuajnë sot pasojat e një tenderi që Ministria e Arsimit ka realizuar gjashtë vjet më parë. Godina e Fakultetit të Mësuesisë, e ndërtuar në vitin 2004, është sot e pasigurt dhe universiteti ka marrë vendim të ndërpresë procesin mësimor për të ndërhyrë me riparime. Çatia e godinës së fakultetit është shembur nga reshjet e ditëve të fundit. Godina nuk ka mundur t‘i rezistojë shiut, ndërsa sipas të dhënave nga rektorati, kjo është e disata herë që ndodh fenomeni i dëmtimit të ndërtesës së re që nuk ka mbushur ende gjashtë vite nga ndërtimi.

Ministria e Arsimit mori në atë kohë në dorëzim një ndërtim skandaloz, që filloi të rrënohej pa mbushur vitin nga dorëzimi. Por, edhe pse ankesat nga autoritetet e universitetit ishin të shumta, firma që ndërtoi godinën, jo vetëm që nuk u penalizua, por arriti që të fitojë me vendim gjykate të drejtën për t‘u dëmshpërblyer nga universiteti, për "telashet" që autoritetet e këtij institucioni i kishin nxjerrë me ankesat e tyre për cilësi të dobët të punimeve.

Historia

Fakulteti i Mësuesisë në Korçë u ndërtua pesë vjet më parë. Punimet për një ndërtesë të re do të kryheshin nga firma fituese e tenderit "Avduli" sh.p.k në vitin 2003 dhe brenda një viti u bë edhe dorëzimi i objektit. Telashet me objektin e Fakultetit të Mësuesisë, siç deklaron rektori aktual, Gjergji Mero, nisën që në vitin 2005, një vit pas ndërtimit të fakultetit të ri. "Që vitin e parë u konstatuan probleme me godinën e re. Dyshemeja e katit të parë pësoi shkarje. Meqë kjo ndodhi brenda vitit, sipas kontratës firma bëri punime për riparimin e dëmeve. Por këto riparime nuk e sollën godinën në parametra normalë, pasi shiu që binte jashtë hynte edhe brenda disa ambienteve. Vitin e kaluar filloi të pikonte edhe amfiteatri dhe pati shkarje dhe madje edhe rrëzim të suvasë, por sipas firmës pretendohej se kishim bërë ne ndërhyrje të gabuara dhe sipas kontratës firma nuk detyrohej më, pasi garancia ishte vetëm një vit nga dorëzimi i objektit", sqaron rektori i universitetit, Gjergji Mero. Rektori sqaron më tej se ka kërkuar këtë vit investim nga Ministria e Arsimit për çatinë e dëmtuar, por fondi nuk u aprovua, pasi bëhet fjalë për një investim të ri, që nuk ka as pesë vjet që është kryer. Universiteti u detyrua të sigurojë një fond nga të ardhurat e veta për të bërë riparimet, por edhe kjo është shumë e vështirë, pasi për shkak të përplasjeve me firmën që ndërtoi këtë godinë të dobët, financat e institucionit janë vënë në vështirësi serioze.

Dënimi i universitetit

Universiteti i Korçës i detyrohet firmës "Avduli" një shumë të madhe parash për shkelje të kontratës. Me vendim të Gjykatës së Rrethit të Korçës, ku u zhvillua procesi me paditës firmën dhe të paditur universitetin për përmbushje të detyrimit kontraktor, universiteti u dënua me gjobë dhe me shlyerjen e detyrimit ndaj firmës. Sipas vendimit me numër 750 të datës 11.04.2006, universiteti duhet të përmbushë detyrimet kontraktore sipas kontratës së bërë me firmën në datën 5.6.2003, pagimin e vlerës së fondit rezervë bashkë me kamatëvonesën, pagimin e 5 për qind të vlerës së garancisë së punimeve me kamatëvonesën dhe shpenzimet gjyqësore. Bazuar në vendimin e gjykatës, universiteti "Fan Noli" në Korçë i detyrohet firmës "Avduli" një vlerë prej të paktën 10 milionë lekësh. "Edhe pse punimet kanë qenë jashtë çdo standardi ne jemi penalizuar dhe i kemi shlyer një pjesë firmës", thotë rektori, i cili sqaron se seancat gjyqësore në atë kohë u ndoqën nga ana e Ministrisë së Arsimit. Në atë periudhë, ministria nuk e apeloi vendimin e Gjykatës së Korçës, gjë që çoi në lënien në fuqi të këtij vendimi të vitit 2006.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›