E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet snajperi i Uashingtonit

John Allen Mohammed, i njohur ndryshe si snajperi i Uashingtonit, u ekzekutua me një injeksion vdekjeprurës në burgun e Jarretit në Virxhinia. I akuzuar për vrasjen e dhjetë personave, killeri u paraqit i heshtur në takimin me vdekjen, duke hequr dorë nga e drejta për të thënë diçka. Dëshmitarë të ekzekutimit ishin familjarë të ndryshëm të viktimave të tij, që Mohammed i zgjidhte rastësisht ndërsa shkonin në punë, ishin në dyqan apo hynin në ndonjë lokal. Të gjithë persona të zgjedhur rastësisht që vriteshin me snajper. Një veprim i çmendur, që nga 2 deri në 24 tetori i vitit 2002, përfshiu nga ankthi dhe frika një zonë të madhe përreth kryeqytetit amerikan. Ndihmësi dhe bashkëpunëtori i tij ishte 17-vjeçari Lee Boyd Malvo, që tani po vuan dënimin me burgim të përjetshëm. Drejtoi i burgut, sipas rregullores, ka mbajtur të hapur një linjë telefonike me zyrën e guvernatorit dhe i ka kërkuar atij të thoshte nëse kishte "motive kundër aplikimit të dënimit kapital". Përgjigjja ishte negative. Guvernatori, ashtu siç mendohej, nuk e ndaloi dot ekzekutimin.

Rreth orës 9 të mbrëmjes, Mohammed hyri në dhomën e vdekjes me kokën ulur. Ishte i veshur me xhinse dhe këmishë, ndërsa në këmbë mbante një palë shapka plastike. Të ndara nga një xham, veprimet e tij u ndoqën nga 27 dëshmitarë, të ndarë në dy dhoma: ishin të afërmit e viktimave, tre gazetarë dhe një numër i madh policësh. Mohammed dukej më se i qetë dhe nuk shfaqi asnjë emocion në fytyrë. Gardianët e shtrinë të dënuarin në një krevat dhe përgatitën shiringat me tre injeksione: i pari, për ta vënë në gjumë, i dyti për t‘i vështirësuar frymëmarrjen dhe i treti për t‘i provokuar një pushim zemre. Mohammed shihte i qetë lëvizjet dhe tavanin. Në orën 9:06 të mbrëmjes, nisi ekzekutimi pasi i injektuan një qetësues. Vetëm një minutë më pas, dallohej qartë vështirësia për të marrë frymë. Pastaj humbi ndjenjat dhe pas disa minutash u deklarua i vdekur "pa komplikacione". Në fillim dolën reporterët, pastaj familjarët e viktimave. Disa ishin të kënaqur që e panë të vdiste ashtu një vrasës të pamëshirshëm, për disa të tjerë, një mënyrë tjetër ekzekutimi do të kishte qenë më njerëzore. Por, te të dyja palët mbetej e pranishme dhimbja dhe se fundi i Mohammed nuk u mbyll plagën që u kishte shkaktuar në shpirt. "Përse u desh kaq shumë kohë për ta ekzekutuar", shton njëri. Ndërsa dikush tjetër i përgjigjet kështu pyetjes se si iu duk Mohammed në momentet e fundit:

"Sigurisht që vdiq në mënyrë më të qetë se njerëzit që ka vrarë". Një veteran i luftës së parë të Gjirit, përkrahës i myslimanëve të zinj ekstremistë të Farrakhan, Mohammed gjendej në një situatë shumë të vështirë me ish-bashkëshorten, për shkak të kujdestarisë së fëmijëve. Bashkëpunëtori i tij tregon se plani fillestar ishte vrasja e personave të rastësishëm, për të krijuar konfuzion, gjë që mund të çonte në rrëmbimin e tre fëmijëve të tij. Më tej, ai shton se Mohammed shpresonte të zhvaste para nga autoritetet, me të cilat donte të ndërtonte një komunitet me të rinj në Kanada, të rinj që kishte ndërmend t‘i stërviste me qëllim që të mbillnin terror në qytetet amerikane. Sipas bashkëpunëtorit, killeri e poziciononte makinën në mënyrë që të gjuante nga bagazhi dhe pastaj niste fushatën e tij, i shoqëruar nga Malvo, që në atë kohë ishte vetëm një minoren 17-vjeçar. Rrezja e tyre e veprimit shtrihej në Virxhinia, në verilindje të Uashingtonit dhe në lokalitete të tjera të Merilandit. Pasi sistemohej në pozicionin e duhur, Mohammedi hapte zjarr mbi këdo që gjendej rastësisht nga ajo anë. Të vdekurit ishin dhjetë, ndërsa numri i të plagosurve ishte 17. Killeri nuk kërkoi falje dhe nuk ndjeu keqardhje as në momentet e fundit të jetës. Ai nuk e pranoi kurrë se ishte përgjegjës për krimet e kryera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›