E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: Mbroni konsumatorët e energjisë elektrike

Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, u takua dje me kryetarin e Entit Rregullator te Energjisë Elektrike, Bujar Nepravishta, ku u informua mbi propozimet e fundit të OSSH për rritjen e çmimit të energjisë. "Nga ana e Avokatit të Popullit, midis të tjerash u kërkuar që Enti Rregullator i Energjisë Elektrike në vendimmarrjen e tij të mbajë në konsideratë të drejtat dhe interesin më të lartë të konsumatorit shqiptar, duke vepruar me paanësi, integritet dhe objektivitet të lartë", njoftoi zyra e Dobjanit në një deklaratë për shtyp. Dobjani lavdëroi ERE-n për vendimin për mosmiratimin e raportit të humbjeve të kryer nga një kompani e pavarur për llogari të OSSH dhe që sillte për pasojë më shumë kosto për konsumatorët e rregullt. "Dobjani dhe Nepravishta shprehën në mënyrë të përbashkët shqetësimin për abuzimin dhe vjedhjen e energjisë elektrike nga një pjesë e qytetarëve në bashkëpunim ngandonjëherë edhe me punonjës të OSSH-së, e cila po sjell në vijimësi humbje për këtë kompani, duke ndikuar edhe në kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë elektrike", njoftoi Avokati i Popullit. ERE ka filluar fushatën e konsultimeve me grupet e interesit mbi kërkesën e OSSH për rritjen e çmimeve të energjisë elektrike për vitin 2010.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›