Bota në krizë ekonomike, Shqipëria “thith” kompanitë gjigante të investimeve
Në një kohë kur vendet më të fuqishme ekonomikisht të botës, po përballen me një nga krizat më të egra, Shqipëria, vendi i vogël në rajonin e Ballkanit, vazhdon të
“thithë” kompanitë më të fuqishme të investimeve. Vetëm gjatë ditës së djeshme, kryeministrit Sali Berisha i kanë dorëzuar projektet e tyre një numër i konsiderueshëm kompanish të fuqishme, me famë botërore. Kryeministri priti dje në një takim Presidentin e shoqërisë turke BESET, Mehmet Beset, dhe Arda Beset, Menaxher Ekzekutiv. Kjo kompani është nga më të mëdhatë në Turqi dhe është e përqendruar në fushën e turizmit.
Investitorët turq shprehën interesin e tyre për të investuar në vendin tonë për ngritjen e një nga komplekseve më të mëdha turistike të ujërave termale dhe terapisë në Evropë . Kjo kompani ka gjithashtu edhe një Welleness Town nga më të njohurit në botë në Cesme të Izmirit.
Kryeministri mirëpriti interesin e tyre dhe i sigurojë se qeveria do të mbështetë brenda kuadrit ligjor përpjekjet e tyre për të pasur një histori suksesi.
Kryeministri priti po dje përfaqësues të kompanisë italiane Rotor Service, të kryesuar nga Marco Savoia dhe përfaqësues të qarkut Gjirokastër, të cilët shprehën interesin e tyre në riaktivizimin e aeroportit të Gjirokastrës.
Gjithashtu, investitorët italianë kërkuan të zhvillojnë fluturimet charter si edhe ato të brendshëm nga ky aeroport, sikundërse edhe hapjen e një shkolle aeronautike.
Kryeministri u shpreh se zgjedhja e tyre është me interes dhe e mirëpritur dhe se do të ketë mbështetje brenda kuadrit ligjor të vendit.
Kompania kineze CNEEC i shpreh kryeministrit Berisha interesin për të shtrirë investimet në Shqipëri
Ndërkohë Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje edhe një takim me zëvendëspresidentin e kompanisë CNEEC (China National Electric Equipment Corporation) Zheng Chengjun, një nga kompanitë më të mëdha shtetërore kineze, e cila e zhvillon veprimtarinë e saj në 4 fusha, në infrastrukturë, energji, të shërbimeve si furnizimi me ujë dhe tregti për pajisje elektrike.
Zhvillimet shumë pozitive të ekonomisë shqiptare të viteve të fundit, tha Chengjun, kanë bërë që Bordi i kompanisë sonë të vendosë të shtrijë projektet e investimit edhe në Shqipëri.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha, pasi e falënderoi zëvendëspresidentin e CNEEC për vizitën dhe projekt idetë e kompanisë së tij, u shpreh se e quante të rëndësishëm faktin që kjo kompani mund të investojë në Shqipëri. Duke i prezantuar me hollësi situatën ekonomike dhe potencialet e Shqipërisë, Kryeministri theksoi se fushat e zgjedhura për projekte nga kompania kineze janë edhe fusha prioritare për qeverinë që ai drejton.
Në infrastrukturë, sikundër edhe në fushën e energjisë, u bëri të ditur Kryeministri, do të fillojmë së shpejti projekte koncesionare dhe me garë. Kryeministri Berisha garantoi për mbështetjen e fortë të strukturave të qeverisë, për transparencë në bashkëpunim dhe mbrojtje të investitorëve, që garantojnë ligjet, me të cilat operon biznesi në Shqipëri.