E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita, e zhytur në konfuzion dhe e mbytur në kuti

Besoj se e morën vesh për mbledhjen e Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku midis gjetjesh butaforike polli edhe një krizë tjetër me binomin “kuti dhe ekonomi”. Fajtori është dënuar pa filluar procesi sepse qeveria ka qëndrime refraktare shprehen në polifoni, duke gjykuar me kakofoninë e një totalitarizmi mendor që gjykon pa prova, përpos trillimesh dhe shpikjesh. Grupi socialist vlerësoi se ndryshime për rregulloren e Kuvendit janë të ndërmarra në mënyrë të njëanshme, duke e bërë këtë akt të mazhorancës një hap më shumë për thellimin e krizës politike drejt institucioneve kushtetuese. Ky është pak a shumë perifrazimi i njoftimit të fundit për shtyp të PS-së.
Gjithsesi, nuk ka asgjë në dritë të diellit por, pas hënës së Edi Ramës kemi humorin e zi me kriza të kudogjendura. Opozita është e zhytur në konfuzion dhe e mbytur në kuti. Sepse sajesa e kutive të votimit janë alibia e gjetur nga kryesocialisti Edi Rama, për të shmangur vëmendjen nga humbja e politikës së tij të re, tashmë të vjetër sa fosilet e komunizmit që ka trashëguar në parti. Nga evolucionizmi i fakteve të kundërta del një e majtë me një ADN të përbërë nga e djeshmja moniste dhe e sotmja socialiste. Ajo nuk ka besë, as besim në institucione, në drejtësi, sepse e konsideron bastion konservatorësh pushteti, bile gati reaksionare. Versioni aktual i opozitës së qetë, pa dhunë ushqehet nga pabesueshmëria, aq sa e konsideron formalizëm procedural Shtetin Ligjor, si dhe ka humbur çdo kromozom idealist.
Edi Rama nuk ka kuptuar akoma se në një shtet demokratik të lirë dhe transparent, ku zbatohet ligji dhe themeli i saj Kushtetuta, aty ku njerëzit vlerësohen për çfarë ata kanë aftësi të bëjnë, ku drejtësia është e pavarur, aty ku policia është profesionale, nuk ka dhe aq problem në qoftë se vota është e fshehtë apo jo!
Sidoqoftë Partia Socialiste gjithë ekzistencën e saj midis dy regjimeve është mësuar të “godasë” errësirave, skutave e prapa krahëve. Kanë frikë të deklarojnë votën hapur se duan të fshihen pas bishtit ylberist të palloit. Me fytyrën e tyre të “politikes së re” çdo ditë - deputetët sos-ialistë - japin leksione për transparencë. Ja pra, a ka më transparencë se vota e hapur. Mirëpo që janë kundër gjithçkaje e kemi marrë vesh, por kemi shpresuar 20 vite që ndoshta do të ndaheshin nga komunizmi. E shikojmë që e kanë të pamundur. është për të ardhur keq që kjo mendësi Blloku është edhe në gjeneratën e dytë të Partisë Socialiste. Gjynah për ata se shumica e shqiptarëve e kanë kuptuar rrugën europiane. Sepse nuk ecet përpara me bllokada, bojkote, të ndahesh nga shoqëria, të mbyllesh bunkerëve. Lidershipi i Partisë Socialiste vijon të qëndrojë i narkotizuar, madje po mban të dehur të gjithë strukturat intelektuale të partisë. Edi Rama ka lidhur miqësi interesi me individë dhe grupe biznesi (Kokëdhima, Dulaku, Ylli, Hoxha, Gaçi, Abazi, etj), por jo për koncepte dhe ide të përbashkëta në interes për shoqërinë.
Edi Kristaq Rama dhe çeta e bllokmenëve të rinj, me urinë e etërve të tyre për pushtet, me mllefin e trashëguar klasor, pas ndëshkimit të merituar me votën e shqiptarëve përpiqen me çdo mjet, shërbehen me çdo tellall, të nxijnë arritjet e ndershme së pari të qytetarëve shqiptarë dhe të shoqërisë shqiptare si dhe të Qeverisë dhe shtetit në rrugën e zhvillimit dhe integrimit të vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›