E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bota nënujore, zhytësi që ia di sekretet e mrekullitë

Në një prej zhytjeve, gjatë së cilës Pajtim Shpata ka kapur një oktapod

Eksplorimi nënujor i është kthyer në një hobi, por edhe profesion. Është 40 vjeç, energjik, por ndoshta për këtë ka meritë sporti i detit. Pajtim Shpata është diplomuar në fushën e Navigacionit dhe Peshkimit dhe prej 9 vitesh shërben në forcat e Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Vlorë me mjetet lundruese. Prej vitit 95, krijoi një grup bashkë me zhytës të tjerë të Ekspeditës Blu, të cilën e drejton ai. Së fundmi, bashkë me një kolegun e tij kanë marrë diplomën e zhytjeve të thella, INTD, që shërben për zhytjet deri në thellësitë 140 metra. Ka nisur të zhytet që në vitet 90, pasi siç thotë dhe vetë, para 1990 ishte e ndaluar. Ishte një dëshirë që në fëmijëri, por që mori trajtë konkrete në moshën 23-vjeçare. Pasi na bie në dorë një bombol dhe një aerokator, në provën e parë nuk dinim se sa metra futeshim, por mbaj mend se ishte në brigjet e Karaburunit, të cilat kisha shumë qejf ti eksploroja. Bashkë me një shokun tim, Genci Kapllanin, filluam të ëndërronim për botën e nënujshme. Nuk kishim informacion se çfarë ishte zhytja. Por ndiqnim dokumentarët në kanalet italiane, përkthenim termat teknike të zhytjes. Mësuam që duhet një rregull fiks që të zhytesh. Kërkuam informacion në Shqipëri, ishte shumë e vështirë. Dhe falë njohjes me mikun tonë të vjetër, Xhemal Mato, arritëm të merrnim leksionet e para të zhytjes, shprehet zhytësi Pajtim Shpata. Eksperienca i ka treguar se kur njeriu është nën ujë nuk di asgjë, pasi jeton në një tjetër botë. Por në anën tjetër, duhet kujdes, shumë kujdes, pasi është një sport ku gabimi më i vogël të kushton jetën.
ANIJET E MBYTURA

Pajtim Shpata, pas një prej zhytjeve të tij

Turistët kanë mundësinë të shijojnë mrekullitë nënujore, por edhe të eksplorojnë anijet e mbytura. Jemi zhytur në të gjitha ujërat e Shqipërisë. Në liqene, lumenj e det. Zhytjet janë kryer për studime dhe eksplorime më interesa të ndryshme. Më interesante ka qenë për eksplorimin e anijeve të mbytura në gjirin e Vlorës. Nisi në 5 vitet e fundit, duke bashkëpunuar me shoqëri të huaja, ekspertë në këto fusha për marrjen e informacionit mbi anijet e mbytura, pasi në arkivat tona nuk ekziston asgjë. Shpata tregon se në Gjirin e Vlorës janë rreth 13 anije të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, nga të cilat, katër janë gjetje të reja. Ata po mbledhin informacion për çfarë anijesh bëhet fjalë. Dy vitet e fundit e kemi shtrirë bashkëpunimin me Ministrinë e Turizmit, kryesisht me departamentin e arkeologjisë nënujore dhe jemi në përfundimin e një harte të këtyre objekteve nënujore, që janë një nga resurset kryesore të turizmit nënujor. Posedojmë të gjitha informacionet filmike të bëra nga ne. Të gjitha këto materiale në përfundim do të realizojnë një pavijon të muzeut të arkeologjisë nënujore, thotë zhytësi. Kjo ide është mbështetur edhe nga Ministria dhe shume ekspertë të historiografisë. Duke qenë se shumica e anijeve i përkasin Luftës së Parë e të Dytë Botërore dhe shumica italiane, bashkëpunimi me Rai Uno dhe kryesisht emisionin Linea Blu, realizuar muajin e fundit në Shqipëri, i ka garantuar zhytësve vlonjatë bashkëpunimin dhe mbështetjen në këtë plan.
ANIJET E MBYTURA
Këto anije ndahen në dy kategori, në varësi të thellë sisë. Për zhytës profesionistë dhe për zhytës turistikë . Ato që janë në thellësinë 30 metra, vizitohen nga zhytës joprofesionistë. Ato që i kalojnë mbi 40 metra, deri në 70, kërkojnë një

Eksploruesi me ekipin e zhytjes

kualifikim tjetër dhe një sistem zhytje, quajtur mishell. Anijet që kam eksploruar janë maksimumi, në thellësinë 69 metra. Anija më interesante është Regina Margharita, e mbytur në dhjetor të vitit 1915, në Luftën e Parë Botërore. Me e vjetra është Intrepido, mbytur në vitin 1910″, tregon Shpata. Ajo që u ka bërë më shumë përshtypje zhytësve është gjendja shumë e mirë që kanë këto anije. Kushdo që ka arritur ti shohë ato është mrekulluar, pasi ka arritur të prekë me dorë një pjesë historie, e cila ka mbetur pa lëvizur prej dhjetëra vitesh. Gjithçka që ka qenë në anije është atje, të gjithë objektet, që nga detaje të vogla si lavamanët, ndërsa dallohen bukur të gjitha dhomat që kanë fjetur marinarët dhe vendi i komandimit. Në anijet e Luftës së Parë dallohen kaldajat, disa anije kanë akoma armatime, si topa dhe mitraloza.
ZBULIMET E SPECIEVE
Kohët e fundit zhytësit shqiptarë kanë pikasur disa lloj speciesh të veçanta të botës nënujore në brigjet e Karaburunit, si peshku papagall, amja, sira, që u përkasin ujërave tropikale. Por edhe afrimi i peshkaqenëve të ndryshëm, jo të rrezikshëm, si shkak i ndryshimit të korenteve dhe nivelit të pastërtisë  së  ujërave tona. I pyetur për frikë  nga ndonjë peshkaqen gjatë zhytjes, Shpata thotë se frika e detit nuk zgjat shumë. Sipas tij, kur ndodhesh nën ujë nuk e koncepton dot se çfarë do të thotë frikë. Ata gjithmonë zhyten në grup, asnjëherë vetëm dhe nën masa të rrepta sigurie.

Tmerri i 13 trupave
Zhytja nën ujë nuk ka qenë gjithmonë një aventurë e bukur për Pajtim Shpatën. Ka pasur edhe momente kur zhytja është bërë për një qëllim të caktuar, i cili jo gjithmonë ka qenë i bukur. Duke qenë se kemi një kohë të gjatë që merremi me botën nënujore, kemi marrë pjesë në kërkimet e njerëzve që kanë humbur jetën në ujë, në lumenj, liqene apo dete. Rasti më i rëndë ka qenë kur ne si grup, në 97 kemi nxjerrë brenda ditës 13 persona të vdekur, të cilët ishin mbytur me skaf. Operacionet më të vështira për ne janë në lumenj, ku shikimi është zero dhe rrjedha e lumit të pengon lëvizjen, shprehet ai. Ai shpjegon se për këto ndërhyrje kanë pasur bashkëpunim me zhytësit e RENEA-s dhe të bazës së Pashalimanit, pasi janë dy njësi që janë në shërbim të komunitetit.

Zonat nënujore që duhen vizituar
Zhytësi i vjetër tregon se tashmë mund të thuhet që bota nënujore e Vlorës ka një hartë të caktuar, ku janë shënuar të gjitha pikat strategjike. Përveç anijeve, janë edhe disa shpella nënujore që ndodhen gjatë pjesës së jashtme të Karaburunit e Sazanit, në zonën e Dhërmiut dhe Jalës. Këto ofrojnë një florë dhe faunë shumë të pasur. Sipas Shpatës, zonat më të bukura janë ato të detit Jon, duke filluar nga kodrat e Zvërnecit, deri në gjithë vijën bregdetare në kufi me Greqinë. Brigjet shkëmbore ofrojnë një spektakël natyror, ku flora dhe fauna është më e pasur.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›