Sharrë, betejat rome për territoret e plehrave

Në landfilin e Sharrës
Është mbase vendi i vetëm në Shqipëri ku biznesi funksionon 24 orë, një ekskluzivitet plehrash ku beteja për territore llumi zhvillohet në mes njerëzve, kafshëve dhe insekteve. Pa licencë, pa taksa, pa fatura, Sharra duhet të ishte parajsa e milionave, por pas një vizite atje, dëshmitë tregojnë për ferrin e monedhave. E për ti mbledhur ato, nuk ka rëndësi mosha, gjinia, shëndeti. Nuk ka rëndësi as moti, fundjavat, stinët. E rëndësishme është që të kesh një shkop të gjatë me majë, ta ngulësh sa më shpejt të jetë e mundur mbi shishe plastike dhe kanoçe të buta, duke i futur në thesin me mbeturina që tërheq zvarrë. Për lëndët e tjera më të forta, shishe, hekur, alumin etj., duhet një kurriz ideal që të përballojë mijëra përkulje në ditë. Ky është ritmi i qindra personave pranë landfildit të Sharrës, që jetesën ose mbijetesën e sigurojnë nga mbledhja e mbeturinave për riciklim. Një temë shumë e debatuar së fundmi nga institucionet shtetërore, nga politika në përgjithësi, nga shoqëria civile apo qytetarë të thjeshtë, por që në këtë shkrim ne nuk do të përsërisim, gjykojmë apo mbështesim askënd. Gazeta Panorama thjesht ju shfaq 24 orë nga jeta mes plehrash…
Vizita nr. 1,
ora 19.0020.00

Shtepite e ndertuara ngjitur me landfilin e Sharres
Pasi kalon Kombinatin, në të majtë të tij, në veriperëndim shkon rruga drejt Sharrës. Fillimi i saj nuk është edhe aq i panjohur për shkak të famës së varrezave, për të cilat hyjnë miq të gjallët për tu gjetur vend të vdekurve. Mjafton ta ndjekësh atë rrugë deri ku përfundon asfalti dhe më pas, mjafton të ndjekësh aromën… atë më kutërbuesen që keni ndier ndonjëherë. Ju sigurojmë për këtë!!! Nëse i rezistoni, ndaluni disa minuta. Përpara keni disa lloj rrugicash, por që ju çojnë në të njëjtin drejtim: në landifildin e Sharrës. Ne morëm rrugën në të djathtë dhe që gjendej krejt kollaj, pasi si identifikuese për të ishin (dhe janë) dhjetëra barake dhe plot zjarre që na udhëhoqën deri aty prej së largu. Rreth tij ishin disa burra dhe në dorë kishin shishe birre. Përgjithësisht, me aq sa na lejoi drita e flakës, ata u dukën të komunitetit rom. Ata mbase edhe nuk ishin, por vështirë ti dalloje në ato momente për shkak të pluhurit dhe pisllëqeve që u kishin mbuluar fytyrën. Rreth identifikimit gjithçka u bë e qartë kur nisi dialogu, fillimisht me përshëndetje në gjuhën rome dhe më pas, me një shqipe të lezetshme, ashtu siç dinë ta flasin vetëm ata. Ça do ktu ti, o motra?, tha njëri prej tyre, ndërsa dy të tjerë i ranë përnjëherë në shpatull, duke i dalë përpara dhe kërkonin parinë e muhabetit. Pas një shpjegimi të sajuar, ata të ftojnë në grupin e tyre për birra. Jo ktu o motra, shkojmë te lokali. Kemi lokal ne ktu, vijon një djalë jo më shumë se 16 vjeç, duke treguar me dorë një godinë njëkatëshe, rreth 100 metra më tutje. Derisa arrijmë atje, marrim vesh se qenka ora e ndërrimit të turneve në mes familjarëve dhe kjo është kohë e lirë për ta. Të paktën deri në mesnatë. Nga ora 12:00 e deri në 06:00, asnjë anëtar familjeje nuk qëndron në shtëpi, përveç sëmundjeve të rënda. Janë orët kur shkarkohen kamionët lali, ska llafe, thotë njëri prej burrave, të cilit i thërrasin Kastriot. Siç sqaron ai, gjatë një dite pune sigurojnë rreth 40 mijë lekë të vjetër si familje, herë edhe 50-70, por që asnjëherë nuk u mjaftojnë. Jemi 12 veta në shtëpi. Punojmë që të gjithë, bëjmë lekë, por as vetë nuk e dimë se si na ikin, thotë Kastrioti duke pirë tashmë birrën e katërt, por që duket se nuk i llogarit lekët për të si ikje. Më tej, ai tregon se në asnjë orë nuk ka pushim total për familjen, ndërsa me dorë tregon dy vëllezërit e tij që po ndajnë mbeturinat pak më tej.
Vizita nr.2,
ora 02:00-04:00
Duket se kjo është koha më e ngarkuar për banorët e Sharrës, ndërsa vizituam anën lindore të saj. Gjithkënd që takon, nuk ta ka ngenë as të të flasë e as të të shohë. Çdo lëvizje tjetër përveç ritualit të shkopit mbi pirgjet e plehrave, për mbledhësit janë lekë të humbura. Nuk u bën përshtypje një femër në mes të natës atje, pasi kanë plot të tilla që gërmojnë më fort se burrat. As fëmijët, ata janë aty në numër më shumë sesa të rriturit. Zonat e rrëmimit duket se janë të ndara. Ashtu si edhe kamionët e ngarkuar që duken nga larg, teksa vijnë drejt Sharrës. I pari është i Dinit, i dyti i Bashkimit, i treti i Pupit… Dhe kur kamioni vjen aty dhe shkarkohet, personi që i doli pronar që në horizont, mbledh rreth tij familjen dhe nis e gjuan me shkopin me majë shishet plastike, kanoçet, letrat, ndërsa gjërat prej qelqi dhe metali i mbledhin me dorë. Ndërsa vjen kamioni tjetër, vijon e njëjta procedurë. Për dy orë qëndrimi atje, familjet punonin me territore të ndara dhe e vetmja gjë e përbashkët ishte peshorja prej hekuri, aty ku vinin thasët e mbushur për të matur kilogramët e mbeturinave.
Vizita nr.3,
ora 13.00-16.00
Vizitën e tretë e zhvilluam në grykën e nisjes së landfildit. Nën dritën e diellit, gjithçka duket më qartë, edhe pse asgjë nuk ndryshon nga dy vizitat e para, përveç qartësisë së shikimit. Rituali është i njëjtë. Mbledhës që prenotojnë kamionin nga larg dhe, kur ai vjen aty, janë gati të mbulohen me mbeturina vetëm për të marrë të drejtën e kontrollit. Një tabelë ku shkruhet Ndalohet peshkimi të bën vetvetiu për të qeshur, por një fëmijë komplet i pistë, me mbeturina në kokë dhe një thes që e tërheq zvarrë, ta heq komplet humorin. Mbi të fluturojnë miza që kanë përmasat e grerëzës e grerëza që kanë madhësinë e zogjve. Fatmirësisht, gomari drejt të cilit po shkon për të ngarkuar thesin, është thjesht gomar…
800 tonë në ditë
Të drejtën e mbledhjes së plehrave për Tiranën e kanë 6 kompani pastrimi, të cilat paguhen sipas kilometrave katrorë që pastrojnë. Kur ato shkojnë në Sharrë, mbledhësit nxitojnë të kërkojnë mes mbeturinave për llojin dhe cilësinë, që pas seleksionimit i shesin me kilogramë. Çdo ditë depozitohen në landfildin e Sharrës rreth 800 tonë mbeturina urbane.
Plehra për ju, por janë bukë për ne
Mbeturinat e ndara shiten në 3-4 duar, para se të shkojnë në fabrikë

Selim Yzeiri duke mbledhur plehra gjatë natës
Kur e pyet për çmimet në kilogramë të plehrave, i di mirë. Por kur e pyet për tabelën e mbledhjes dhe zbritjes, ngatërrohet që nga shuma apo diferenca njëzetë e poshtë. Njëzet e lart vetëm i numëron dhe i lexon, por nuk bën dot asnjë llogari. Megjithatë, në fund të ditës, të natës apo në çdo kohë nga biznesi 24 orësh i plehrave, Selim Yzeiri del me fitim. I besoj peshores së hekurit ku vendos thasët për ti matur, por edhe pronarit. Ai gjithnjë më jep lekët në rregull, për aq kile sa i dorëzoj. I llogarit në syrin tim me makinë llogaritëse dhe unë i numëroj në fund, sipas asaj që lexoj aty, rrëfen Selimi, ndërsa shton se seleksionimi i plehra