E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorë që turbullojnë jetën politike

Ndonëse zgjedhjet parlamentare në Serbi do të zhvillohen nga mesi i vitit të ardhshëm, mund të thuhet sefushata elektorale nisi. I pashoq është fakti se fushatën e çeli ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandër Konuzi, i cili mori pjesë në një miting të partisë së djathtë nacionaliste në opozitë, “Partia Progresive Serbe”, SNS, dhe mbajti një fjalim elektoral, duke vlerësuar se ajo parti është shprehja e ndjenjave të popullit të Serbisë, dhe duke bërë thirrje që populli të investohet në këtë parti. Që një ambasador i një shteti të huaj merr pjesë në mbledhjet dhe mitingjet e partive politike të maxhorancës apo të opozitës, kjo është brenda mandatit dhe detyrave të tij për të njohur dhe për të mbajtur kontakte me të gjithë spektrin politik të vendit ku është akredituar. Por kur një ambasador i një shteti të huaj del në podiume partiake dhe mban ligjërata e bën vlerësime publike, që i bëjnë reklamë një partie politike, kjo do te thotë se ai ka dalë jashtë mandatit të tij diplomatik dhe ka marrë rolin e një prokonsulli, i cili cakton se kush janë të mirët dhe kush janë të këqijtë në një shtet tjetër.
Fakti që ambasadori rus shkrepi startin e fushatës elektorale serbe, duke glorifikuar partinë nacionaliste, SNS, ishte kaq flagrant, sa që nuk mund të rrinin pa reaguar as autoritetet dhe as partitë e tjera politike ndaj ambasadorit të shtetit “Vëlla i madh”. Vetë presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, u detyrua ta kritikojë më 1 nëntor sjelljen e ambasadorit rus, duke deklaruar se nuk është praktikë e zakonshme për diplomatët, që të mbajnë fjalime në mbledhjet e partive. Zëvendëskryeministri serb, Bozhidar Deliç, e cilësoi veprimin e ambasadorit rus si një ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë. Kurse Lidhja Socialdemokrate e Vojvodinës, në një komunikatë të posaçme kërkoi nga qeveria që ambasadori i Rusisë të shpallej “Persona non grata”.
Përtej këtij incidenti politik dhe diplomatik mes Rusisë dhe Serbisë, duhen parë disa efekte dhe domethënie, që kanë të bëjnë jo vetëm me marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë, por edhe me politikën e Rusisë dhe me sjelljen e diplomacisë dhe të diplomatëve rusë në Ballkan. Është interesante të shihet në prizmin e kompleksitetit të marrëdhënieve ruso-serbe, sepse janë marrëdhënie mes Rusisë dhe aleatit të saj më të ngushtë dhe të vetëm strategjik në Ballkan. Reklama politike dhe elektorale, që ambasadori i Rusisë i bëri partisë nacionaliste serbe, nuk është një akt i veçuar, por vazhdim i një linje të demonstruar rregullisht prej tij dhe që thyen rregullat dhe normat diplomatike të mandatit ambasadorial, duke ringjallur prototipin e ambasadorëve të dikurshëm sovjetikë. Në radhë të parë gjejmë të shprehur karakterin e sjelljes diplomatike dhe shtetërore ruse të ndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti tjetër, qoftë dhe zyrtarisht “Mik e aleat strategjik”. Një ambasador nuk mund t’i lejojë vetes të shprehë anësi dhe të bëjë reklamë dhe glorifikime publike, as për njërën dhe as për tjetrën forcë politike, dhe as për njërin apo tjetrin kryetar partie. Ambasadori lejohet të ketë opinionet dhe vlerësimet e tij, të bardha, të zeza apo gri, në telegramet dhe raportet, që i dërgon qendrës së tij dhe të cilat natyrisht nuk janë për konsum publik në vendin ku është akredituar. Që nga çasti kur një ambasador e lidh publikisht veten e tij dhe shtetin e tij me një tifo politike ndaj një partie apo ndaj një kryetari partie, ai e ka nxjerrë veten jashtë kufijve të mandatit diplomatik. Është tipik, ambasadori i Rusisë në Beograd, i cili jo vetëm shpreh lavdërime për partinë nacionaliste serbe, por praktikisht i bën thirrje opinionit dhe elektoratit që të votojë për atë parti në zgjedhjet e ardhshme.
Një veprim i tillë në radhë të parë shpreh një pakënaqësi të hapur të ambasadorit dhe të shtetit të tij ndaj disa qëndrimeve dhe linjave proeuropiane, që ka shfaqur partia në fuqi e presidentit Tadiç, e cila po ecën sipas një skeme të njohur titiste, që ta ketë mirë edhe me perëndimin, edhe me Rusinë, dhe, në përputhje me këtë skemë, ka adoptuar kursin e padëgjuar të mbështetjes së politikës së jashtme të Serbisë në katër shtylla: BE, SHBA, Rusi dhe Kinë.
Mirëpo Rusia nuk është e kënaqur me këtë vijë titiste të presidentit Tadiç, sepse ajo e llogarit Serbinë ekskluzivisht si zonë e influencës së saj. Moska, e cila arriti t’i imponojë Beogradit kursin e largimit nga anëtarësimi në NATO, sheh me shumë dyshim afrimin e Serbisë me BE-në. Marrja e statusit të shtetit kandidat të BE-së nga ana e Serbisë nuk u prit mirë nga Rusia, e cila sheh rrezik për interesat e saj në çdo cep të rrugës politike të Serbisë drejt Europës. Këtë pakënaqësi e shprehu vetë ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, në një intervistë për gazetën serbe “Vecernje Novosti” më 1 nëntor, kur deklaroi se bashkëpunimi i tanishëm nuk plotëson nevojat e të dy shteteve dhe se ka hapësirë për kërkimin e formave të reja të partneritetit. Në të njëjtën kohë, Ministria e Jashtme Ruse mori hapur në mbrojtje sjelljen e ambasadorit të saj në Beograd, duke deklaruar se ai ka vepruar në përputhje me mandatin e tij dhe nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme të Serbisë.
Ndërhyrja e ambasadorit dhe e Rusisë në punët e brendshme dhe në jetën politike të Serbisë dëshmon se për çfarë alternative politike po përpiqet Moska në Serbi. Kjo është alternativa e sjelljes në pushtet të forcave nacionaliste dhe e kësaj partie radikale, kryetari i të cilës, Tomislav Nikoliç, kur u zgjodh pas zgjedhjeve të kaluara si kryetar i parlamentit, deklarata e tij e parë ishte se për Serbinë është më mirë të bëhet gubernë e Rusisë, se sa anëtare e BE-së. Qëndrimi politik dhe strategjik i Moskës në mbështetje të forcave nacionaliste në Serbi, padyshim ka efekte në disa drejtime, si brenda atij shteti, ashtu edhe në Ballkan. Sepse ai do të thotë një aktivizim i të gjithë rrjetit, fondeve dhe mekanizmave, që Rusia disponon në Serbi, për të penguar integrimin europian të atij shteti, për të mobilizuar forcat nacionaliste anti-perëndimore dhe për t’i ndihmuar ato të marrin pushtetin. Shumë diplomatëve dhe vëzhguesve u ka bërë përshtypje linja arrogante e ambasadorit rus, i cili, që nga viti 2009 e deri në kulmin e kësaj linje në muajt shtator-tetor 2011 ka regjistruar një kronikë të pasur të shkeljes së statusit të diplomatit dhe të ndërhyrjes në punët e brendshme. Nuk mund të mendohet se kjo buron vetëm nga profili apo formimi i tij personal sepse ai vetë e ka bërë të qartë se po zbaton një mision diplomatik të orientuar nga qendra. Sjellja e ambasadorit është në të njëjtën kohë edhe reflektim i pushtetit të fuqishëm, që Rusia dhe mekanizmat e saj ushtrojnë dhe kanë në Beograd. Vladimir Beba Popoviç, ish-drejtor i Zyrës se Komunikimeve pranë qeverisë së Serbisë, deklaronte në një gazetë të Beogradit para disa ditësh se roli i Rusisë në caktimin dhe rrëzimin e qeverive në Beograd është i njohur dhe se qendrat ruse të pushtetit brenda qeverisë serbe mbështetën në vitin 2003 vrasjen e kryeministrit Zoran Xhinxhiç, me mbështetjen edhe të agjentëve të shërbimit sekret rus, FSB.
Sjellja e ambasadorit rus ndihmon për të kuptuar më mirë dhe për të zbuluar prapaskenat e jetës politike në Serbi, për të deshifruar mozaikun e intrigave dhe lojërave të nëndheshme, që luhen nëpër korridoret e pushtetit në Beograd. Ky është një element i rëndësishëm për t’u ndjekur dhe analizuar, sepse ka të bëjë me perspektivën e pushtetit në Serbi, me ndërhyrjen dhe përzierjen e shteteve të huaja në luftën për pushtet mes forcave nacionaliste dhe forcave që quhen proeuropiane. Sepse, nëse në Beograd forcohet dhe inkurajohet nga Rusia ardhja në fuqi e partive nacionaliste radikale si SNS, DSS, etj., vetvetiu edhe pasojat kalojnë përtej kufijve të Serbisë, duke prekur Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë, Slloveninë, Maqedoninë, Malin e Zi, por edhe Shqipërinë. Efektet negative për rajonin nga ardhja e një qeverie radikale nacionaliste serbe janë lehtësisht të parashikueshme. Kjo duket, është edhe arsyeja, pse ambasada e SHBA-së në Beograd, në një kabllogram të saj drejtuar departamentit të shtetit, më 26 shkurt 2010, tërhiqte vëmendjen për veprimtarinë e ambasadorit rus Aleksandër Konuzi, duke theksuar se ai u bën thirrje nocioneve më të thella të serbëve mbi identitetin dhe historinë kolektive, me qëllim që të prodhojë emocione negative.
Mbetet shpresa se edhe në BE ndiqen po me aq kujdes këto zhvillime, me qëllim që bonuset dhe çmimet, që po i jepen presidentit Tadiç, të bëhen jo mbi bazën e “kartës së frikësimit me forcat nacionaliste”, që po përdor me efikasitet Tadiçi në Bruksel, por mbi bazën e asaj se sa ai vetë, partia e tij dhe qeveria e tij, janë angazhuar realisht ta tërheqin popullin në rrugën e integrimit europian dhe perëndimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›