E Diel, 1 Nëntor 2026

Botërori, Santosi në finale, të enjten radha e Barcelonës

TIRANE-Nuk ka asnjë surprizë këtë vit. Nëse Barcelona fiton të enjten ndaj Al Sadd, atëherë finalja e Botërorit të klubeve do të jetë ajo e zakonshmja mes kampionëve të Evropës dhe të Amerikës së Jugut. Santosi nuk ka falur sot përballë japonezëve të Kashiva Reisol, duke fituar 3-1 dhe duke siguruar pjesëmarrjen në finalen e së dielës. Nejmar ka bërë diferencën në fillimin e ndeshjes, ashtu si Ganso.

Kaluan vetëm 19 minuta dhe talenti brazilian arriti të gjejë rrugën e golit, me një të majtë nga jashtë zone, që përfundon në rrjetë. Pesë minuta më pas ishte Borges, që këtë herë me të djathtën, arrin të dyfishojë shifrat. Por, japonezët nuk dorëzohen dhe në fillimin e pjesës së dytë arrijnë të rihapin ndeshjen, falë kurajos dhe freskisë fizike. Sakai shënon në minutën e 54-t, por shpresat e kampionëve të Azisë zgjasin vetëm 9 minuta, pasi këtë herë Danilo (i blerë tashmë nga Porto) arriti të shënonte golin e tretë për Santosin. Nesër, në fushë do të jetë Barcelona, që do të ndeshet me ekipin nga Katari Al Sadd. “U druhem shumë, - tha trajneri Guardiola. 

Ata kanë futbollistë që nuk flenë, në orën 3 të mëngjesit janë zgjuar dhe mendojnë për stërvitjen. Është një ndeshje me rrezik, sepse edhe ata e kanë merituar të jenë këtu”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›