Botërori i Klubeve, Benitez: “Jemi të fortë”
“Jam i qetë, i kënaqur, kam besim. Shikoj Militon që bën gola në stërvitje dhe mendoj: jemi të fortë”. Kjo është deklarata e trajnerit të Interit, Rafael Benitez, në prag të ndeshjes gjysmëfinale kundër koreanëve të Seongamit në Botërorin e Klubeve, që po zhvillohet në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Trajneri ritheksoi dëshirën e thellë për të sjellë në shtëpi trofeun e klubit më të mirë në botë. “Është e qartë, - shprehet Benitezi, - ndeshja e parë është gjithmonë ajo më e rëndësishmja. Nga ana tjetër, skuadra që do të luajë nesër (sot) do të jetë më e mira e mundshme”. Në Botërorin e Klubeve marrin pjesë ekipet kampione nga gjashtë federatat kontinentale që aderojnë në FIFA, me Interin si kampione e Ligës së Kampioneve, aktivitet që organizohet nga UEFA. Kundërshtari i Interit, Seongam në çerekfinale fitoi 4-1 ndaj Al Vahda. Një urim për fitore zikaltërve jua bëri edhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Italian, KONI, Petruçi, i cili shpreson që Interi të fitojë Botërorin e Klubeve, ndërsa thekson se klubi i presidentit Masimo Morati nuk është jashtë luftës për titull, edhe pse aktualisht ndodhet me 16 pikë larg Milanit të vendit të parë. Sulmuesi i Interit, Samuel Eto, gjatë një interviste të dhënë për faqen zyrtare të FIFA-s, theksoi: “E dimë (se kundër Seongnamit) nuk do të jetë e lehtë, sidomos sepse ne konsiderohemi favorit. I respektojmë cilësitë e tyre, por jemi të përqendruar te vetja jonë. Nëse do të japim maksimumin, atëherë do ta kenë të vështirë të na mundin. “Topi i artë afrikan”? Unë vazhdoj të punoj. Sa më shumë që i afrohem fundit të karrierës, aq më shumë shtohet vlera. Mbas disa vitesh kur nuk do të kem mundësinë më të luaj, ndoshta një ditë mund t’u tregoj fëmijëve të mi: në 2010-n isha në Abu Dabi me Interin dhe fituam Kupën e Botës”. Edhe sulmuesi maqedonas, Goran Pandev, duke folur në prag të ndeshjes gjysmëfinale kundër Seongnamit, theksoi: “Mezi po pres që të luajmë. Më në fund jemi të gjithë në dispozicion të trajnerit dhe jemi stërvitur bashkë. Sasha Ognenovski? Kam luajtur me të në Kombëtaren maqedonase, më kujtohet si një mbrojtës cilësor”. Mbrojtësi i Interit, Ivan Ramiro Kordoba, e konsideroi bashkëkombësin e tij kolumbian, Molinën, lojtarin e Seongnamit, si një lojtar me fantazi. “Është i rrezikshëm në goditjet e dënimit. Do të presim një ekip që nuk do ta na i lehtësojë gjërat”.
KALENDARI I NDESHJEVE
E mërkurë, 8 dhjetor
Al Vahda-Hekari Junaitid 3-0
ÇEREKFINALET
E premte, 10 dhjetor
Tp Mazembe-Paçuka 1-0
E shtunë, 11 dhjetor
Al Vahda-Seongnam 1-4
GJYSMËFINALET
E martë, 14 dhjetor
Mazembe-Internacional
E mërkurë, 15 dhjetor
Seongnam-Inter
FINALET
E shtunë, 18 dhjetor
Për vendin e tretë, 15:00
Për vendin e parë, 18:00
15 Dhjetor 2010