Kasano dhe Ronaldinjo, yjet me valixhet në dorë
Çanta e disa sulmuesve më të njohur në Itali mund të ndryshojë fanellë brenda saj gjatë merkatos së janarit. Për Antonio Kasanon ka një sfidë Milan-Inter, për Ronaldinjon janë duke mbërritur sirena nga Brazili dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për Maksi Lopezin interesimi i Juventusit duket më i zbehtë. Edhe Paloski e Floro Flores janë emra të nxehtë në merkato. Klubet italiane të Serisë A janë në gjuetinë e diçkaje që mungon. Në kërkim të bomberëve. Ka mbetur edhe më pak se një muaj dhe merkatoja do të rikthehet sërish e nxehtë. Shumë emra janë në listën e dëshirave të presidentëve dhe trajnerëve, sidomos sulmuesit.
KASANO – Është një nga ata që pritet të ndryshojë skuadër në një piacë më të lartë. Prej kohësh sulmuesi barez i Sampdorias është në konflikt me drejtuesit e klubit. Lojtari i Kombëtares italiane është një nga dilemat më të mëdha të merkatos. Ku do të shkojë? Milani dhe Interi (përpara Juves) janë dy pretendentet që janë shprehur më qartë për angazhimin e tij, por nga pista nuk duhet përjashtuar as Fioerintina. Edhe presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, është gati t’i hedhë një sy sulmuesit, gjihmonë nëse Zamparini do të largohej. Kasano, nga ana tjetër e ka bërë të qartë se nuk do të qëndrojë më në Xhenova. Kjo është një e vërtetë absolute, pjesa tjetër mbetet akoma për t’u deshifruar. Një tjetër lojtar që mund të ngjitet është dhe Paloski. Është rikthyer të stërvitet dhe ky është një lajm i mirë. Për Parmën, naturisht, por edhe për Milanin. Është njeriu që kuqezinjtë duket se kanë projektuar për të gjetur zëvendësin e Inzagit në muajin janar. Është në bashkëpronësi me emilianët. Floro Flores, operacioni i tij varet gjithçka nga ecuria e Paloskit. Parma e dëshiron, dhe në fakt ka bërë një ofertë për sulmuesin e Udinezes. Është njeriu ideal për Marinon për të kompletuar repartin e avancuar.
RONALDINJO – Një bankinë pas tjetrës. Zërat se Milani kërkon një sulmues në lartësinë e duhur janë bërë më të fortë. Amerika është gjithmonë në horizont. Ronaldinjo ka një kontratë që i skadon në muajin qershor me kuqezinjtë, dhe gjithmonë e më tepër duket si një i larguar. Raporti i tij me klubin është ezauruar plotësisht, dhe tashmë mbetet vetëm ndonjë vendim i papritur i Silvio Berluskonit që ai të qëndrojë. Nga Brazili ka dalë dhe emri i Palmeirasit, por kjo është një hipotezë që për momentin Ronaldinjo nuk po e merr në konsideratë. Nga ana tjetër, Los Anxheles Galaksi – klubi amerikan ku luan edhe Dejvid Bekhami – e ka bërë më shumë se njëherë të qartë se e dëshiron brazilianin në radhët e saj. Dhe ndoshta aty mund të jetë destinacioni i mundshëm me futbollistin që është mërzitur duke qëndruar shpesh në bankinë. Maksi Lopez duket se ka hyrë në një spirale negative. Katania e vlerëson në 16 milionë euro, por Juventusi është duke bërë disa hapa prapa.
Siti, Xhekon në vend të Tevezit
Mançester Siti është duke bërë gati ofertën për sulmuesin e Volfsburgut, Edin Xheko. Tabloidi britanik "The Sun" raportonte se trajneri i Sitit, italiani Roberto Mançini, tashmë ka gjetur pasuesin e Karlo Tevezit, dhe ai është pikërisht sulmuesi boshnjak. Xheko, 24 vjeç, ka një klauzulë 33.5 milionë euro në kontratën e tij me klubin gjerman, që nuk do të jetë problem për Sitin. Klubi anglez së fundi u trondit nga deklarata e Tevezit, i cili tha se dëshiron të largohet nga “Eastlands”.
Venger nuk duron më, sulmon gazetarët
Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ka humbur durimin me gazetarët pas disfatës në Mançester Junaitid. Francezi është bërë agresiv me reporterët, të cilët kishin vënë në pyetje ekipin e tij. "Ti je analist futbolli, do të ta lë analizën ty, pse më pyet mua kur ti di gjithçka? Unë duhet të jem i qetë dhe realist dhe objektiv. Junaitid fitoi këtë ndeshje, por ju nuk duhet të bëni përfundime të mëdha", - tha Venger duke iu drejtuar një gazetari. “Ne dhamë gjithçka dhe ndeshja ishte intensive. Të dyja ekipet ishin shumë mirë të organizuara dhe intensiteti ishte shumë i lartë në një fushë të keqe. Kualiteti teknik vuajti për këtë shkak. Nga ajo që kam parë sonte nuk ka arsye të mos besojmë. Ne e dimë se mund të krijojmë më shumë se kjo në aspektin ofensiv", shtoi francezi. Në një ndeshje me shumë pak raste, Park Ji-sung shënoi golin e vetëm të ndeshjes, që i dha tre pikët dhe kreun Mançester.
Këshilla e Blaterit: “Homoseksualët të harrojnë seksin”
Presidenti i FIFA-s Sep Blater, u shpreh i sigurt se Botërori që do të organizohet në Katar në vitin 2022 do të jetë në lartësinë e duhur, por bosi i futbollit ndërkombëtar, dha edhe një këshillë shumë të çuditshme për tifozët: Mos bëni seks!. Blater tha se homoseksualët dhe lesbiket do të shkojnë aty për ta ndjekur, duhet ta harrojnë seksin për pak kohë. Kreu i FIFA-s iu përgjigj pyetjes së një gazetari nëse homoseksualët duhet të shqetësohen që Botëror do të zhvillohet në Katar, pasi aty homoseksualiteti është i ndaluar me ligj. Blater u përgjigj në fillim se çdo vend duhet të respektohet për traditat dhe blerat e tij, ndërsa për homoseksualët, në mënyrë që të parandalohen konfliktet, ai u përgjigj: “Atyre më duhet t’u them se duhet të heqin dorë nga aktivitetet seksuale për pak kohë”, tha Blater, duke shkaktuar të qeshura në sallë. Por, kjo fjali e tij ka mjaftuar për të ndezur polemikat, pasi një nga sloganet kryesore të FIFA-s është se nuk do të tolerohet kurrë ndonjë formë diskriminimi. Blater më pas u mundua të qartësonte deklaratën e tij, duke thënë se në Katar nuk do të ketë asnjë problem dhe se homoseksualët do të pranohen rregullisht nëpër stadiume. “Është një kompeticion që nis pas 12 vjetësh, por FIFA nuk mund të tolerojë asnjë formë racizmi apo diskriminimi”, deklaroi presidenti i FIFA-s. Gjithsesi, sipas Blaterit deri në vitin 2022 do të kalojnë 12 vjet dhe ka shumë kohë për Katarin për të rregulluar edhe çështje të këtij lloji.
15 Dhjetor 2010