Ndërron jetë Riçard Hollbruk, Thaçi ngushëllon Obamën
Riçard Hollbruk, diplomati veteran i SHBA-ve i cili shpërbente si i dërguar i posaçëm amerikan në Afganistan dhe Pakistan, vdiq në moshën 69 vjeçare, në Uashington. Hollbruk pati një goditje në zemër të premten gjatë një takimi me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton. Ai u çua menjëherë në një spital të Uashingtonit ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati rreth 20 orë për të riparuar një çarje në arterein më të madhe të trupit që shpërndan gjakun nga zemra në pjesë të tjera të organizmit. Ky operacion u pasua nga një tjetër ndërhyrje kirurgjikale ditën e dielë. Hollbruk ishte arkitekt i Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995, me të cilën përfundoi lufta në Bosnjë Hercegovinë. Në fund të viteve të 90-ta, ai u kthye në Ballkan, në kohën kur në Kosovë shpërtheu lufta ndërmjet forcave serbe dhe shqiptarëve. Raportohet se në mars të vitit 1999 ai shkoi në Beograd për t’i dhënë ultimatumin final, ish presidentit të Serbisë, Sllobadan Millosheviç, se NATO-ja do të bombardoj nëse agresioni ndaj Kosovës nuk ndalet. Millosheviçi nuk i dëgjoi këto vërejtje. Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ngushëlloi Presidentin e SHBA-ve, Barak Obama dhe popullin amerikan për ndarjen e parakohshme nga jeta të diplomatit të lartë, Riçard Hollbruk, të cilin e vlerëson mik dhe zë mbrojtës i Kosovës. “Riçard Hollbruk ishte ndër diplomatët më të njohur në nivel botëror, që dha kontribut të shquar në të gjitha misionet, duke treguar cilësitë e larta individuale dhe përfaqësimin e denjë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ndërtimin e paqes anembanë globit”, thekson Thaçi në telegramin drejtuar Presidentit Obama.
15 Dhjetor 2010