Dhjetor 2010, Shqipëria zbret 7 vende në FIFA

Shqipëria e mbylli vitin 2010 në vendin e 65-të në ranglistën botërore të FIFA-s, në të cilën marrin pjesë 208 skuadra kombëtare futbolli nga gjashtë konfederata, duke humbur shtatë vende nga renditja rekord e saj: vendi i 58-të, i regjistruar në nëntor të këtij viti.
Gjithsesi, kuqezinjtë patën një ecuri mjaft pozitive duke e krahasuar lëvizjen e pozicioneve të përfaqësueses sonë, duke marrë si pikë referimi muajin janar, kur ajo ndodhej në vendin e 97-të.
Në një supervit me 9 ndeshje e me një bilanc të jashtëzakonshëm: 5 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje, Shqipëria humbi vende në renditjen e FIFA-s, por dhe në atë kontinentale – të UEFA-s – për shkak të barazimit pa gola në miqësoren me Maqedoninë, që e çoi vendin tonë në vendin e 65-të, me 497 pikë, ose 23 pikë më pak se muaji paraardhës, 520 pikë.
Në renditjen botërore, Shqipëria ndodhet midis Panamasë (64) dhe Iranit (66). Në renditjen e UEFA-s, Shqipëria ndodhet midis Armenisë (34) dhe Polonisë (36).
Nga ekipet kundërshtare të Shqipërisë në Euro 2012 (grupi D); Franca ka ngjitur 3 vende, tani e 18-ta (867 pikë), duke qenë edhe e para në grupin tonë. Bjellorusia është rritur me 2 vende, tani e 38-ta (660 pikë). Bosnjë-Hercegovina është ngjitur 7 vende, e 44-ta (582 pikë). Rumania humbi 4 vende (56/531 pikë). Luksemburgu zbriti 1 vend: i 134-ti më 180 pikë.
Në renditjen botërore, kryeson Spanja me 1887 pikë, e ndjekur nga Holanda (1723 pikë) dhe Gjermania (1485 pikë). Në “Top-10” janë edhe Brazili, Argjentina, Anglia, Uruguai, Portugalia, Egjipti dhe Kroacia.
Në konfederatën europiane (UEFA) bëjnë pjesë 53 vende (Spanja, e para); në atë Azisë (AFC) janë 43 (Australia, e para); në atë të Oqeanisë janë 11 ekipe (Zelanda e Re, e para); në atë Afrikës (CAF) janë 52 (Egjipti, i pari); Amerikës së Jugut (CONMEBOL), 10 ekipe (Brazili i pari). Në atë të Amerikës së Veriut, Amërikës Qendrore dhe Zonës së Karaibeve (CONCAFAF) janë 35 ekipe.
Ndeshjet gjatë vitit 2010
Shqipëri-Irlandë e Veriut 1-0 (M)
Mali i Zi-Shqipëri 0-1 (M)
Shqipëri-Andorrë 1-0 (M)
Shqipëri-Uzbekistan 1-0 (M)
Rumani-Shqipëri 1-1 (Z)
Shqipëri-Luksemburg 1-0 (Z)
Shqipëri-Luksemburg 1-1 (Z)
Bjellorusi-Shqipëri 2-0 (Z)
Shqipëri-Maqedoni 0-0 (M)
BILANCI: 9 ndeshje; 5 fitore, 3 barazime, 1 humbje
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Merkure, 15 Dhjetor 2010