Botërori i Notit, tjetër rekord kampionati

Shtatë gara në ditën e katërt të Kampionatit Botëror të notit në pishinat e mbyllura 25-metërshe dhe vetëm një rekord i thyer i kampionatit. Gjithçka ka ndodhur në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe në transmetimin e drejtpërdrejtë që po vjen në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Serinë e medaljeve e ka hapur Italia, e cila në stafetën 4×50 metra stil i lirë për meshkuj ka zënë vendin e parë me kohën 1’23”61. Pas notarëve të kaltër kanë ardhur Rusia dhe Holanda. Dhe rekordi i kampionatit ka ardhur nga holandezja Ranomi Kronouidxhojo, e cila në 50 metra delfin për femra ka fiksuar kohën e re 24”44.
Pas saj kanë ardhur suedezja Sjoerstroem dhe amerikania Kurzan. Kliment Koleshnikov i Rusisë do të ishte fituesi i dy medaljeve të arta. Fillimisht në 100 metra stil i përzier me kohën 51”09 duke lënë nga pas norvegjezin Hvas dhe italianin Çekon. E më pas edhe në 50 metra shpinë për meshkuj me kohën e re 22”66. Vendi i dytë, që i ka takuar gjermanit Diener, dhe vendi i tretë i italianit Mora ishin me të njëjtën kohë 22”90. Kinezja Binxhie Li ishte e para në 400 metra stil i lirë për femra me kohën 3’55”83. Në vendin e dytë kanadezja Mkintosh dhe në të tretin notarja nga Hong-Kongu, Hogej.
Britaniku Proud do të dominonte 50 metra stil i lirë për meshkuj me kohën 20”45. Në vendin e dytë amerikani Held dhe në të tretin kanadezi Eduards. Dhe dita e tretë është mbyllur me fitoren e amerikanëve në 4×200 metra stil i lirë me kohën 6’47”00. Rusia në vendin e dytë dhe Brazili në të tretin e kësisoj notit i kanë mbetur dhe dy ditë deri në përfundim të Kampionatit Botëror në pishinat e mbyllura 25-metërshe.