E Enjte, 5 Nëntor 2026

Botërori i Notit, tre rekorde kampionati

Kampionati Botëror i notit në pishinat 25-metërshe, që është duke u zhvilluar në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, ka mbërritur në ditën e tij të tretë. Në gjashtë finalet e ditës së tretë, të cilat kanë ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, janë thyer tre rekorde të kampionatit. Serinë e medaljeve e ka hapur gara e 200 metrave bretkosë për meshkuj, atje ku në vendin e parë ishte amerikani Nik Fink me kohën 2’02”28.

Pas tij janë renditur holandezi Kaminga dhe bashkatdhetari i tij Likon. Dhe rekordi i parë i ditës për kampionatin vjen në 100 metra stil i lirë nga notarja e Hong-Kongut, Sioban Benedete Hogej, që ka fiksuar kohën 50”98. Pas saj suedezja Sjoerstroem dhe amerikania Veitzel. Një tjetër amerikane e artë ishte Rajan Uajt, e cila ka dalë fituese në 200 metra shpinë me kohën 2’01”58 duke lënë nga pas kanadezen Kajli Mas dhe shoqen e skuadrës Izabel Staden. Në 100 metra delfin për meshkuj gjithçka ka qenë për italianin Mateo Rivolta, që e përfundoi garën në kohën 48”87.

Në vendin e dytë dhe të tretë afrikanojugori Le Klos dhe rusi Minakov. Në garën e parafundit të ditës së tretë të Botërorit, që ishte 800 metra stil i lirë, kinezja Li do të vendoste një tjetër rekord të ri të kampionatit me kohën 8’02”90. Vendi i dytë për rusen Kirpishnikova dhe vendi i tretë për italianen Kuadarela. Dhe rekordi i tretë i kampionatit erdhi nga Holanda në stafetën 4×50 metra stil i përzier, meshkuj dhe femra bashkë, me kohën e re 1’36”20. Amerikanët të dytët dhe italianët të tretë, kurse kështu Botërori i notit në pishina të mbyllura vijon të fali emocione.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›