Botërori i sporteve të ujit në RTSH, Kina e pandalshme

Në Fukuoka të Japonisë vazhdon Kampionati Botëror i Sporteve të Ujit, garat më të spikatura të të cilit po vijnë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Dita e 10-të ka patur në qendër të vëmendjes notin dhe finalen e 400 m stil i lirë për meshkuj, Samuel Short i Australisë mori vendin e parë, me kohën 3 minuta, 40 sekonda e 68 të qindtat, duke qenë vetëm dy të qindtat më i shpejtë sesa tuniziani Ahmed Hafnaui, që mori medaljen e argjendtë, kurse podiumin e plotësoi gjermani Lukas Martens. Në garën e 100 m stil bretkosë, në gjysmëfinalen e parë, Torri Hask la pas australianen Ema MekKeon, por edhe amerikanen Gretçen Uollsh, ndërsa në të dytën, 3 vendet e para u morën nga Jufei Zhang e Kinës, Margaret Mekneill e Kanadasë dhe Angelina Kohler e Gjermanisë.
Në 50 m stil i lirë meshkuj u zhvilluan gjysmëfinalet, ku Der Rouz i SHBA-së, Xhejkon Jacob Tomas Tajlor Piters i Britanisë së Madhe dhe Abdel-rahman Sameh i Egjiptit ishin të parët në baterinë e parë dhe Maksim Gruse’ i Francës, Tomas Çekon i Italisë dhe Simon Buher i Austrisë ishin të parët në të dytën. Në 400 m stil i lirë për femra, Ariarne Titmës u shpall kampione e botës, duke vendosur edhe një rekord të ri botëror me kohën 3 minuta, 55 sekonda e 38 të qindtat, ndërsa podiumin e plotësoi amerikania Kati Ledeki dhe neozelandezja Erika Feiruedhër.
Edhe në garën e 100 bretkosë për meshkuj janë zhvilluar dy garat gjysmëfinale, në mbyllje të të cilave janë njohur edhe 8 notarët që kanë siguruar vendin në finalen e së hënës, ashtu sikundër ka bërë më pas edhe gara e 200 m të përziera për femra. Një tjetër rekord botëror ka ardhur në 400 m të përziera për meshkuj, ku francezi Leon Marshand vendosi kohën 4 minuta, 2 sekonda e 50 të qindtat, duke thyer rekordin e Majkëll Felpsit, që ishte i pranishëm në sallë në ato çaste.
Rekord të ri botëror vendosi edhe Australia në garën e 400 m stafetë stil i lirë për femra, me kohën 3 minuta, 27 sekonda e 96 të qindtat, që la prapa SHBA-në dhe Kina. Australianët fituan edhe në garën e 400 m stafetë stil i lirë për meshkuj, duke lënë prapa Italia dhe SHBA-ja.