Botimet e vjetra shqiptare i nënshtrohen dixhitalizimit në Bibliotekën Kombëtare
Revista më e vjetër shqiptare e themeluar nga Faik Konica 1897-1909, e titulluar Albania është dixhitalizuar nga Biblioteka Kombëtare. Përmbledhja 12 vëllimshme e Albanias lehtëson punën e akademikëve, pasi antikuaret mund të dëmtohen kur merren në dorë. Por bashkë me dixhitalizimin e Albanias së Konicës, Biblioteka Kombëtare ka nisur punën edhe për Mesharin e Gjon Buzukut. Origjinali i tij ndodhet në Vatikan, por biblioteka zotëron një kopje cilësore të realizuar në vitet '30. Edhe "Monografia e Skënderbeut" nga Marin Barleti i
është nënshtruar këtij procesi, i cili do të bëjë që kushdo të ketë akses në këto vepra direket nga faqja e internetit të Bibliotekës Kombëtare. Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SH.B.A. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën "Shqipëria dhe turqit" (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën "Albania", kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propagandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë. Më 1909 F.Konica, si u mbyll revista "Albania" në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SH.B.A. ku drejton gazetën "Dielli" edhe më pas gazetën "Trumpeta e Krujës". Me themelimin e Federatës "Vatra", më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Në 1921 u kthye në SH.B.A., ku u zgjodh kryetar i Federatës "Vatra", po ndërkaq në vitet 20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës "Dielli" dhe "Shqiptari i Amerikës".