Met Xhelili, në tryezë me Luixhi Pirandelon
Prezantohet premiera e dytë e këtij sezoni, që do të ngjitet në Teatrin Kombëtar. është një vepër e njohur e dramaturgjisë botërore, “Gjashtë personazhe kërkojnë një autor” e dramaturgut italian, pritet të shfaqet në periudhën mars-prill
Ndërkohë që “Elektra” është zhvendosur për prova në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar, në tryezën e provave prezantohet premiera e dytë e këtij sezoni. është një tjetër vepër e njohur e dramaturgjisë botërore, “Gjashtë personazhe kërkojnë një autor” e shkrimtarit italian Luixhi Pirandelo. Regjisori Mehmet Xhelili prej një jave ka nisur punën me një kast aktorësh si: Fatos Sela, Eftjola Laçkaj, Marjeta Ljarja, Dritan Boriçi, Olta Dako, Fadil Kujovska, Olta Gixhari etj. Arsyeja e të zgjedhurit një vepër në vend të një tjetre, për regjisorin Xhelili ka disa arsye që lidhen me forcën tërheqëse të veprës (përfshirë këtu një histori të bukur dhe një zhvillim dramaturgjik që e mban lidhur publikun), aftësinë për të krijuar spektakël dhe për të rrokur problematika të mprehta, që në një mënyrë apo në një tjetër përkojnë me shoqërinë së cilës i drejtohet nga një skenë teatri. Për të gjitha këto Xhelili shprehet se zgjodhi të punojë me “Gjashtë personazhe kërkojnë një autor”. Nga ana tjetër, regjisori theksoi dje gjatë konferencës për shtyp se kjo është një nga ato vepra që i shkon për shtat politikës së repertorit, që Teatri Kombëtar ka zgjedhur së fundmi, me vepra të mëdha të dramaturgjisë botërore. Në këtë pikë, drejtori i TK-së, Kristaq Skrami, u shpreh se “veç mendimit për të vënë në skenën e teatrit kryeveprat e dramaturgjisë botërore, jemi kujdesur që në këto vepra të aktivizohet pjesa më e madhe e aktorëve të TK-së”. I pyetur nëse ky repertor vjen nga një testim i mundshëm i ndjekjes që spektatorët u bëjnë shfaqjeve, Skrami ka theksuar se këto janë vepra që përcjellin ide të mëdha dhe përveç idesë për të afruar spektatorin duhet mbajtur edhe një standard që duhet të ketë Teatri Kombëtar. Në vazhdim të shpjegimit të veprës dhe se si do t’i qaset asaj, regjisori Mehmet Xhelili shprehet se do të mbështetet në mundësitë dhe potencialet që vetë vepra ka për të komunikuar me publikun. Subjekti, përveçse një historie njerëzore, lëvrohet në ambientet teatrore dhe problemet që ato mbartnin në vetvete. Ato janë gjashtë personazhe të braktisura nga autori që i krijoi dhe shkojnë në një skenë teatrore, ku i kërkojnë regjisores që të luhen. Me një këmbëngulje të madhe, regjisorja dhe aktorët pranojnë t’i vënë në skenë edhe në mungesë të një autori. Drama e tyre ka në qendër një familje: babai, thjeshtra, nëna, biri, vogëlushja dhe djaloshi; është një familje që vuan mjerimin, plagën e prostitucionit dhe rrënimit. “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, është një vepër që pasqyron fuqishëm natyrën tragjikomike të ekzistencës sonë dhe dhimbjen e të ekzistuarit. Por ajo është edhe një dramë e fuqishme sociale që vë gishtin në plagë të tilla si degradimi i familjes, varfëria, prostitucioni, incesti etj. Ajo është gjithashtu një dramë që pasqyron poetikën e teatrit, e këtij tempulli të shenjtë, i kësaj kutie magjike ku buron pasioni dhe dashuria, ku zbulohet misteri i ekzistencës, por edhe zbavitja e spektakli”, shprehet Xhelili. Shfaqja që mendohet të ngjitet në skenë në periudhën mars-prill, do të vijë me skenografi të Genc Shkodranit dhe kostumografi të Anila Zajmit.
#