Botohet ne fletoren zyrtare ndryshimet ne ligjin e pronave

Zyrtarizohen ndryshimet e bëra brenda ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Bazuar në ligjin të botuar në fletoren zyrtare, ndryshimet e kryera pritet të hyjnë në fuqi brenda dy javësh. Sipas përllogaritjeve, në fund të muajit qershor praktika e kthimit dhe kompensimit të pronave pritet t’i nënshtrohet formulave dhe vlerësimeve të reja.
Sipas ndryshimeve, vlerësimi i tokës, që do të kompensohet do të bëhet sipas vlerës reale të tregut dhe në bazë të standardeve ndërkombëtare, për të cilat kanë punuar edhe dy ekspertë të BE. “Standarde ndërkombëtare të vlerësimit” nënkupton standardet e miratuara nga Shoqata Ndërkombëtare e Vlerësuesve të Pasurive të Paluajtshme. Një praktikë e tillë do të mundësojë që toka të vlerësohet sipas çmimeve të tregut. Sipas metodikës së aplikuar deri tani është konstatuar se vlera e tokës është mbiçmuar në disa raste dhe në disa të tjera është nënvlerësuar. Ministria e Drejtësisë ka deklaruar publikisht se metodologjia e re e pronës pritet të miratohet nga këshilli i ministrave në fund të muajit qershor. Kurse përfaqësues të ish-pronarëve shprehen se gjatë kësaj periudhe po zhvillohen konsulta të gjëra me ekspert të Ministrisë së Drejtësisë me qëllim finalizimin e një metodike në interes të subjekteve.
Po ashtu brenda këtyre ndryshimeve zgjatet edhe afati i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Zgjatja e afatit të Agjencisë, e cila aktualisht me ligjin e vjetër ka pushuar së funksionuari, do të shërbejë veçanërisht për të zgjidhur çështjen e 6500 dosjeve. Bëhet fjalë për raste të komplikuara, të cilat sollën edhe nevojën e ndryshimeve brenda ligjit, me qëllim përshpejtimin e këtij procesi.