Kriza ekonomike, 1/5 e shqiptarëve skanë lekë për ilaçe
BB: Qytetarët detyrohen të ndërpresin blerjen e barnave apo të shtyjnë vizitën tek mjeku
Banka Botërore parashikon një ngadalësim të rritjes ekonomike për vitin 2012. Raporti për zhvillimin ekonomik i referohet vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë edhe Shqipërinë. Rritja ekonomike pritet të ulet nga 2.2 % që ishte në vitin 2011, në 1.1 % për 2012-ën. Vetëm në vitin 2013 pritet që ekonomia të rimëkëmbet me një rritje prej 2.6 %.
Rekomandimet
Banka Botërore flet për rënie të eksporteve dhe rritje të borxhit publik në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mali të Zi dhe Serbi. Përballë kësaj situate BB rekomandon reduktim të shpenzimeve dhe rritje të të ardhurave nga tatimet. Raporti i zhvillimeve ekonomike për vendet e Evropës Juglindore, përfshirë edhe Shqipërinë, kërkon ulje të nivelit të borxhit publik. Duhet të kontrollojmë deficitin dhe ta mbajmë në nivelet 3 %, të paktën për dy vitet e ardhshme. Në këtë drejtim duhet të reduktojmë shpenzimet në buxhet dhe të rrisim të ardhurat nga tatimet, gjithashtu rekomandohet një rritje e vogël e pagave dhe pensioneve, tha drejtoresha e BB-së Kseniya Lvovsky.
Ekspertët
Eksperti i ekonomisë pranë zyrave të BB-së në Shqipëri, Erion Luçi tha se në përkeqësimin e ekonomisë në Shqipëri ka ndikuar importi i energjisë gjatë kohës së mungesës së reshjeve në vend, dhe komponent tjetër negativ ka qenë edhe kërkesa e brendshme. Ndërsa përfaqësuesi i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, përmes një video-konference nga Shkupi, tha se parashikimi për rritjen ekonomike në Shqipëri parashikohet të jetë në nivelin 1.6% (për 2012-ën). Megjithatë perspektivat për të ardhmen janë pozitive sa i përket Shqipërisë, pasi për vitin 2013, rritja ekonomike në Shqipëri parashikohet të jetë në masën 2.5 përqind. Por edhe këto parashikime rritjeje modeste supozojnë që kriza e Eurozonës të zgjidhet në mënyrë të rregullt. Nëse kriza do të përkeqësohet, rritja ekonomike në këto vende mund të jetë shumë më e keqe, tha më tej Erion Luçi.
Ulja e shpenzimeve
Për të përballuar ndikimin e krizës, familjet kanë shkurtuar para së gjithash konsumin e mallrave të luksit dhe disa shërbime të zgjedhura. Por një pjesë e popullsisë ka reduktuar edhe konsumin ndaj ushqimeve kryesore. Në raport thuhet se afërsisht një e pesta e popullsisë në Shqipëri dhe Maqedoni raportojnë që u është dashur të ndërpresin blerjen e barnave apo të shtyjnë vizitën tek mjeku; në Malin e Zi, Serbi dhe Maqedoni afërsisht 40 për qind e popullsisë raportojnë që atyre u është dashur të vonojnë pagesat e shërbimeve apo të shkëpusin shërbimin e televizionit, telefonit apo të internetit. Gjithashtu, incidenca e këtyre strategjive të përballimit më ekstreme si reduktimi i konsumit të ushqimeve kryesore, shtyrja e trajtimit mjekësor apo vonesa në pagesën e faturave të shërbimeve është më e lartë në radhët e atyre që janë në tercilin e poshtëm të konsumit.
Borxhi publik tepër i lartë
Në raport, Banka Botërore duke paralajmëruar se ekonomia nuk po shënon rritje, bën thirrje se duhen përdorur me shumë maturi financat. Qeveritë e vendeve të Ballkanit duhet të konsolidojnë financat e tyre publike dhe të reduktojnë borxhet publike që të shmangin problemet ekonomike që do të vijnë si pasojë e ngadalësimit të zhvillimit të ekonomisë, theksoi Banka Botërore në këtë raport më të fundit të saj. BB evidenton se zhvillimet në eurozonë kanë lëkundur ekonomitë e gjashtë vendeve në Evropën Juglindore (SEE6), por menaxhimi i kujdesshëm i financave publike dhe borxhit publik mbetet perspektiva më e mirë afatgjatë për rritjen e tyre. Në sfidat kryesore që Banka Botërore sugjeron që qeveria shqiptare të ndërmarrë për të përballuar sfidat aktuale është ulja e nivelit të borxhit publik, i cili është afër kufirit ligjor, prej 60 për qind si dhe realizimi i reformave fiskale.
Papunësia afatgjatë, e rrezikshme
Shqipëria është kritikuar se tepërmi edhe për nivelin e lartë të papunësisë, sidomos ndaj popullsisë në moshë të re (15-24) vjeç. Në Shqipëri numri i të papunëve të regjistruar mbeti i pandryshuar gjatë vitit 2011, (13 % llogaritet niveli i papunësisë në vendin tonë). Një problem tjetër është që një përqindje e madhe papunësisë në EJL6 është afatgjatë, me ndikime negative në kapitalin njerëzor. Mbi 80 për qind e atyre që kërkojnë punë në BIH dhe Malin e Zi, dhe mbi 70 për qind e atyre në Serbi, kanë kërkuar punë për më shumë se një vit. Gjendja ka të ngjarë të jetë e njëjtë në vendet e tjera megjithëse nuk ka të dhëna të disponueshme. Qëndrimi pa punë për një periudhë të zgjatur ka ndikime negative për aftësitë për punë të njerëzve. Kjo nga ana tjetër, pakëson perspektivën e tyre për punë në të ardhmen, dhe në fund mund ti ktheje ata në inaktivë. Pavarësisht problemeve madhore të papunësisë dhe tregut të punës, nuk ka pasur ndryshime madhore të politikave të punës në 2011 dhe në tremujorin e parë të 2012.