Bozdo: Falja fiskale është amnisti e pakontrolluar që rrezikon pastrimin e parave

Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka kritikuar projektligjin për faljen fiskale, duke e cilësuar atë si “amnisti fiskale të pakontrolluar”, e cila sipas tij u lejon kompanive të ndryshojnë në mënyrë të pakufizuar bilancet e tyre kontabël në këmbim të një tatimi shtesë prej vetëm 5% nëse deklarojnë paraprakisht një fitim më të madh mbi 18%.
Sipas Bozdos, kjo skemë krijon hapësira serioze për legalizimin e parave të jashtëligjshme, ndërsa maskohet si përmirësim i klimës së biznesit.
“Falja fiskale duke lejuar kompanitë të ndryshojnë pa limit bilancet kontabël të tyre në këmbim të një tatimi shtesë vetëm prej 5% është problematik, është një amnisti fiskale e pakontrolluar e maskuar në idenë e përmirësimit të klimës së biznesit. Ky mekanizëm nëse do të lejohet në këtë mënyrë ofron mundësi të artë për pastrimin ligjor të parave në vend”, tha ai.
Bozdo paraqiti tre amendamente kryesore që PD propozon për përmirësimin e projektligjit për “paqen fiskale” që ka propozuar qeveria, ku përfshinë përjashtimin e kompanive të ndërtimit nga kjo falje e detyrimeve, rritjen e normës së tatimit shtesë nga 5% në 10% dhe kontroll të detyrueshëm nga organet kundër pastrimit të parave.
“Amendamentet tona kanë të bëjnë me: 1.Përjashtimin e kompanive që operojnë në ndërtim nga projektligji si kompani që fitojnë shumë dhe në mënyrë spekulante.
2.Propozojmë për të gjithë skeletorët e tjerë, për ndershmëri dhe trajtim të barabrtë të bizneseve, norma tatimi 10% për çdo tatim fitim më të madh se shifra 18 % nga 5 % që e ka propozuara qeveria, pra dyfishim të normës së tatim fitimit.
3.Çdo ndryshim i bilanceve retroaktive të jetë subjekt i organeve përgjegjëse për parandalimin e pastrimit të parave dhe parandalimin e terrorizimit. Kështu do sigurohemi që ky mekanizëm nuk do të shërbejë për pastrimin e parave pa mbajtur askush asnjë përgjegjësi siç e parashikon varianti i qeverisë”, tha Bozdo.
Bozdo tha se amendamentet e PD synojnë të garantojnë transparencë të plotë dhe shmangin pastrimin e parave.
“Projektligji për faljen e detyrimeve të bizneseve me amendamentet tona synojnë transparencën e plotë të bizneseve që përfitojnë nga kjo falje. Të publikohet lista me 3 mijë bizneset më të mëdha që përfitojnë dhe nuk mund të mos bëhet publike”, tha ai.
/rtsh.al/