Transferoi pasuritë e një shoqërie duke marrë mbi 1 milion euro në dëm të aksionerëve, “arrest shtëpie” për përfituesen e paligjshme

Prokuroria e Tiranës po heton nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” shtetasen E.D., e dyshuar për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Sipas hetimeve, në vitin 2013, e dyshuara, në cilësinë e përfaqësueses ligjore të një shoqërie të krijuar pas privatizimit të një ndërmarrjeje shtetërore, dyshohet se ka realizuar në mënyrë të paligjshme transferimin e të gjitha pasurive të paluajtshme të kësaj shoqërie te një subjekt tjetër privat, i cili në atë kohë zotërohej plotësisht prej saj.
Kalimi i pasurive dyshohet të jetë kryer përmes dokumenteve të falsifikuara dhe në kundërshtim të plotë me ligjin, duke përjashtuar nga përfitimet aksionerët e tjerë, kryesisht ish-punonjës të ndërmarrjes shtetërore dhe pensionistë.
Më pas, e dyshuara ka transferuar edhe kuotat e subjektit përfitues me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të kapitalit. Pasuritë e paluajtshme të përfituara në këtë mënyrë janë dhënë me qira, janë shitur në vlera të larta, ndërsa një prej tyre, me sipërfaqe totale gati 6000 m² dhe e vendosur në një zonë të njohur të Tiranës, është vënë në dispozicion të një projekti për ndërtimin e një objekti shumëkatësh. Si këmbim, përfitimi i parashikuar për subjektin ishte 35% e sipërfaqes së ndërtuar, duke i sjellë të ardhura që kapin vlera disa milionë euro.
Prokuroria sqaron se këto veprime janë kryer jo vetëm përmes dokumenteve të falsifikuara, por edhe përmes akteve të tjera të paligjshme, përfshirë ato me karakter korruptiv, me qëllim dëmtimin e interesave të aksionarëve të tjerë.
Njoftimi i plotë i prokurorisë
Prokuroria e Tiranës po heton nën masë sigurie ‘Arrest në shtëpi’ për shtetasen E.D., për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”
Nga hetimet rezultoi se në vitin 2013, E.D. me cilësinë e përfaqësueses ligjore të shoqërisë “Prodhim Veshje nr.02” sh.a, (shoqëri e krijuar nga privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore, ku punonjësit e kësaj ndërmarrje janë bërë aksionarë të shoqërisë), nëpërmjet vendimeve apo akteve të tjera të falsifikuara dhe në mënyrë krejtësisht të paligjshme ka kryer kalimin e të gjitha pasurive të paluajtshme (toka dhe ndërtesa) të shoqërisë së sipërcituar, tek shoqëria “Empire Investment Solution (EIS)” sh.p.k, e cila në momentin e krijimit zotërohej 100% prej saj.
Më pas ajo ka transferuar dhe zhvendosur pronësinë e kuotave të shoqërisë “Empire Investment Solution (EIS)” sh.p.k, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të kapitalit të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale.
Pasuritë e paluajtshme të transferuara në mënyrë të paligjshme tek shoqëria “Empire Investment Solution (EIS)” sh.p.k, janë dhënë me qira duke realizuar të ardhura të larta, një pjesë e tyre janë shitur në vlerën 1,000,000 Euro ndërsa me kontratën e sipërmarrjes të datës 18.12.2019, pasuria me nr.2/2337( transferuar në mënyrë të paligjshme) ndodhur në Rrugën “Muhamet Gjollesha” Tiranë, me sipërfaqe totale 5989 m2, nga të cilat ndërtesë me sipërfaqe 1375 m2 është dhënë për ndërtimin e objektit shumëkatësh multifunksional mbi sipërfaqen prej 12,201,36 m2. Në këmbim të pasurisë të përshkruar më sipër, porositësi do të përfitojë në objektin shumëkatësh multifunksional të ndërtuar nga Sipërmarrësi 35% të sipërfaqes ndërtimore korresponduese të sipërfaqes prej 5989 m2.
Pra nga pasuritë e transferuara në mënyrë të paligjshme, shoqëria shoqëria “Empire Investment Solution (EIS)” sh.p.k, ka realizuar pasuri me vlera miliona euro, duke përjashtuar nga përfitimi i pjesës takuese të të ardhurave aksionerët e tjerë në shoqërinë “Prodhim Veshje nr.02” sh.a.
Transferimi i aseteve të pasurive nga njëra shoqëri tek tjera është kryer jo vetëm mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe në kundërshtim me ligjin por edhe nëpërmjet akteve të tjera të paligjshme përfshi edhe ato korruptive, me qëllimin e posaçëm të dëmtimit të interesave të aksionarëve në minorancë të shoqërisë “prodhim veshje nr.02”, të cilët ishin kryesisht pensionistë (ish punonjës të ndërmarrjes shtetërore NPV) dhe në vështirësi për të realizuar të drejtat e tyre.
Bazuar në sa më sipër me kërkesën e organit të akuzës, gjykata vendosi caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” ndaj shtetases E. D., e akuzuar për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”. Ndërsa me vendimin e datës 27.11.2025 u vendos vazhdimi i kësaj mase.
Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar vlerën e dëmit dhe produktit të veprës penale.
/rtsh.al/