E Diel, 1 Nëntor 2026

Bozdo: Shqipëria nuk preket nga kriza financiare

“Dhuna verbale e përdorur nga opozita nuk është e rastit: ajo synon realisht të godasë besimin e konsumatorëve dhe bizneseve, të godasë besueshmërinë e sistemit bankar dhe mundësisht të krijojë panik në treg. E vërteta është që ekonomia shqiptare nuk është dhe nuk ka për të qenë në krizë, por normalisht do të ndikohet prej saj. Ne jemi këtu duke monitoruar me përgjegjësi të plote të gjithë indikatorët, dhe sigurisht kemi instrumente të gatshëm për të ndërhyrë, në se do ta kërkojë nevoja”

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka hedhur dje poshtë deklaratat e bëra ditët e fundit të disa eksponentëve të lartë të PS dhe opozitës në tërësi se, duke vlerësuar se në tërësi ato “po tentojnë të fusin verbalisht ekonominë shqiptare në krizë. Është një aksion politik i kalkuluar dhe gjakftohtë, që synon destabilitetin emocional të aktorëve të tregut, biznesit, konsumatorëve etj. Eksponentë të PS dhe opozitës po synojnë të shtrembërojnë faktet dhe të dhënat që vijnë nga të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare, mbi ardhshmërinë e ekonomisë shqiptare”, deklaroi gjatë një komunikimi me mediat zëvendësministri i Ekonomisë Eno Bozdo. Duke iu referuar raporteve më të fundit të organizmave të mirënjohur ekonomike ndërkombëtare, ai tha se në to theksohet se rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2009 parashikohet të jetë ndërmjet shifrave 3.5% dhe 5.5 %, dhe këtë gjë opozita e shet si krizë ekonomike. “Në këto raporte theksohet se Shqipëria ka nivel të admirueshëm të stabilitetit ekonomik financiar, dhe këtë gjë përsëri opozita e shet për krizë ekonomike. Në këto raporte theksohet se me reformat strukturore që ka bërë, Shqipëria ka krijuar një bazë të qëndrueshme, që do të amortizojë ndikimin e krizës botërore, dhe këtë gjë opozita e shet për “mungesë të politikave qeveritare për përballimin e situatës”, u shpreh zëvendësministri i Ekonomisë. Sipas Bozdos, të dhënat tregojnë se vijon rritja e shpejtë e numrit të bizneseve të regjistruara në QKR dhe se realizimi i të ardhurave tatimore e doganore për dy muajt e parë të vitit ka qenë 100%, ndërsa opozita e sheh si “rrënim ekonomik dhe rritje të papunësisë”. Për me tepër qeveria angazhohet të financojë interesat e kredive në tregun e ndërtimit, kjo në një kohë kur “Kryebashkiaku Rama, pasi ka bllokuar dhe vazhdon të bllokojë lejet e ndërtimit, në mënyrë ironike i bën thirrje qeverisë të marrë në konsideratë këtë sektor që po vuan. Kjo qeveri po ndërhyn si askush tjetër me instrumente që ka në dispozicion për të ndihmuar prodhuesit dhe eksportuesit shqiptarë, e këtë gjë, opozita e painformuar dhe dashakeqe ia përcjell shqiptareve si ‘neglizhence të qeverisë’. Dhuna verbale e përdorur nga opozita nuk është e rastit: ajo synon realisht të godasë besimin e konsumatorëve dhe bizneseve, të godasë besueshmërinë e sistemit bankar dhe mundësisht të krijojë panik në treg. E vërteta është që ekonomia shqiptare nuk është dhe nuk ka për të qenë në krizë, por normalisht do të ndikohet prej saj. Ne jemi këtu duke monitoruar me përgjegjësi të plote të gjithë indikatorët, dhe sigurisht kemi instrumente të gatshëm për të ndërhyrë, në se do ta kërkojë nevoja”, përfundoi Bozdo.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›