E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Berisha aset? I tillë është edhe sifoni

TIRANE-Deputeti socialist, Erjon Braçe ironizoi dje deklaratat vlerësuese të ish-sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld për kryeministrin Sali Berisha. Në një koment të publikuar në faqen e tij, në rrjetin social “Facebook”, Braçe shkroi: “Ha ha ha ha ha ha! Donaldi paska thënë dje (pardje): E para: Berisha është aset! (Ç’domethënë kjo Donald? Fjala bie aset është edhe sifoni)”. Më tej, Braçe komenton edhe deklaratën tjetër të Rumsfeld, për taksën 10%. “E dyta: Amerika duhet të marrë shembull nga taksa 10 për qind e Shqipërisë!”, - citon Braçe atë që tha Rumsfeld. E më pas komenton, duke thënë se: “Poooooosi, fjala bie paratë e nxjerra nga aktivitete të tilla në Amerikë, jo vetëm duhet të deklarohen, por edhe taksohen më shumë se 10 për qind. Ka të drejtë të ankohet”, shkroi dje Braçe.
VIZITA
Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes vlerësoi maksimalisht kryeministrin shqiptar Berisha, gjatë vizitës që ai zhvilloi në Tiranë, me ftesë të ministrit Fatmir Mediu. “Kryeministri është aset i çmuar, por e shoh që i ka ndryshuar pak zëri, t’ia kursejmë zërin sot. Zërin e tij e dalloj nga të gjithë kudo”, u shpreh me humor, Rumsfeld. Më tej, ai vlerësoi arritjet e bëra në 20 vitet e fundit në Shqipëri, për të kaluar një tranzicion vërtetë shumë të vështirë. “Gjërat nuk bëhen vetëm, ne e vlerësojmë shumë partneritetin me Shqipërinë. Jam në mbështetje të Shqipërisë dhe u besoj fort shqiptarëve, e di që çfarë i sjellin shqiptarët NATO-s, energji pozitive, qasjen e re të lidershipit ushtarak e civil, ju po luani një rol shumë të rëndësishëm në aleancë. Ju dini të zhvilloni një lloj ndjeshmërie për vendin, dini të jepni ndjesi dhe energji pozitive”, tha ai.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›