Braçe: Berisha do e përdorë partinë si Berluskoni për mburojë ndaj drejtësisë
Deputeti socialist i qarkut të Fierit, Erjon Braçe u shpreh dje se Silvio Berluskoni në Itali duhet të jetë shembull për Sali Berishën në Shqipëri.
Në një koment që ka postuar dje në Facebook, Braçe shkruan: Fuqia politike zhbën drejtësinë! S.B. – it, shembull për S.B. – al. Kjo është e keqja e madhe e partive personale. Partia e Berluskonit, shembulli. Italia është në prag të një destabiliteti të ri.
Braçe shkruan se, pas konfirmimit të dënimit me burg të Silvio Berluskonit nën fajin e evazionit fiskal, dje u njoftua se: Ministrat e Berluskonit në qeverinë Leta janë gati të dorëhiqen; Senatorët e Berluskonit në Senatin Italian janë gati të dorëhiqen. Flitet për zgjedhje të reja, ndërkohë që po bëhet presion mbi Presidentin Napolitano për të dekretuar faljen e Berluskonit.
Sipas tij, përmenden dhe zgjedhjet e reja, duke shpresuar tek fuqia elektorale e Berluskonit dhe pazotësia ekstreme e së majtës.
Por përtej kësaj, përdorimi i pushtetit politik për të zhbërë ndëshkimin, më tej, destabilizimi si element për ta ndalur zbatimin e ndëshkimit, është shembulli më i keq i mundshëm! Nuk di nëse ne në Shqipëri do të ndodhemi në një situatë si kjo. Por, Sali Berisha e ka partinë e tij personale dhe do ta përdorë si mburojë ndaj çdo procesi të drejtë e ligjor për qeverisjen e tij.
Këtu ka një dallim: Populli e dinte edhe këtë, dhe ka krijuar me votë një shumicë të qëndrueshme, ndaj çdo akti që zhbën përpjekjen për drejtësi dhe ndëshkim ligjor në këtë vend! Fuqia politike e keqbërësve është zbehur nga vota e shqiptarëve, përfundon mesazhin e tij, Braçe.