Forcat RENEA marrin në mbrojtje ambasadën amerikane në Tiranë
Kërcënimet për sulme terroriste, të zbuluara nga shërbimet sekrete amerikane, kanë sjellë përforcimin e masave të sigurisë te ambasada e SHBA në Tiranë.
Dy ditë më parë, ambasada ka kërkuar ndihmën e policisë shqiptare për të përforcuar sigurinë rreth objektit diplomatik.
Burime zyrtare nga drejtoria e policisë konfirmojnë për gazetën Panorama se prej dy ditësh kanë ndërmarrë një plan të detajuar masash, me shërbime të përforcuara 24 orë pa ndërprerje pranë ambasadës dhe rezidencave amerikane.
Forcat speciale RENEA, në ndonjë rast dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë, janë pozicionuar në rrugën e Elbasanit dhe së bashku me policinë e komisariatit nr. 1 janë duke mbajtur nën vëzhgim çdo element apo lëvizje të dyshimtë në zonë.
Masat janë marrë në koordinim me stafin e sigurisë në ambasadën amerikane dhe pritet të qëndrojnë aty deri në një urdhër të dytë, që me shumë mundësi mund të jenë deri në fund të muajit gusht./A.XH