Braçe: Berisha do kontroll mbi SHISH, si në 1996
TIRANE-Deputeti i PS-së, Erion Braçe i ka cilësuar si të frikshëm dy projektligjet e fundit të qeverisë, atë për të ardhurat dhe atë për Shërbimin Informativ Shtetëror. Sipas Braçes, me anë të këtyre dy ligjeve, kryeministri kërkon të ketë nën kontroll të gjitha institucionet. Kjo, sipas tij konsiderohet rrezik për demokracinë. Zoti Braçe, a e dorëzuat makinën? Makina në funksion të deputetit të Kuvendit, jo timit personal, ka qenë dorëzuar qysh më 31 dhjetor 2009, nga shoferi, jo nga unë. Ai është kundërparti i Jozefinës për këtë çështje. Nejse. Lajmi i rremë, së bashku me konkluzionin topall e kërcënimin po aq çalaman të Jozefinës, si lajmi i ditës nga Kuvendi, dëshmon se ku është katandisur institucioni ligjbërës në Shqipëri. Në çdo seancë, kryetarja sportive e Kuvendit, një imazh që Lenka çuko e fitoi në të ngrysur të saj, duket të ketë dalë në gjueti e shoqëruar nga një duzine zagarësh që lehin, thuajse të njëjtë çdo të enjte, për të qëlluar deputetët e opozitës. Kaq. Ky është Kuvendi! Cilido shqiptar që ka pritur një institucion ligjbërës e kontrollushtrues përkundër Qeverisë, sot, i ndodhur para një pasqyre i përsërit vetes: Je i marrë që besove tek këta. Në fakt, Kuvendi vijon të mblidhet normalisht, miraton ligje. Ju, deputetët e opozitës nuk jeni aty t’i jepni përmbajtje debatit për to... Ne nuk mund t’i japim përmbajtje kasolles më të vjetër të kësaj republike të mjerë. Kjo kasolle nuk ka asnjë lidhje me shekullin, ditët e të cilit jetojmë, me zhvillimin, dijet, idetë, ambicien, interesat e shqiptarëve të rinj, as me moralin e tyre. Kjo kasolle vërtetë mbledh deputetë brenda, por duhet shembur. Zoti Braçe, të jemi konkretë, Kuvendi miratoi një ligj të ri për të ardhurat. Deputetët e mbështetën si ligj në shërbim të bizneseve dhe ekonomisë në këtë kohë krize. ç’mendim keni? Nuk është i tillë. Ligji për të cilin pyesni ka vetëm një qëllim: Pastrimin e parave të pista, të ndotura kudo në veprimtari kriminale! Qeveria merr përsipër t’i lajë, thajë, hekurosë e parfumosë paratë e korrupsionit e krimit, specifikisht terrorizmit, përkundër një takse prej 10%. Kriza që po ndihet edhe si mungesë e madhe të ardhurash i shërben qeverisë për të legjitimuar këtë ligj. “E ardhur e tatueshme”, që nga hyrja në fuqi e këtij ligji do të jetë edhe: “Të ardhurat në formë monetare për shtimin e kapitalit me burime nga jashtë shoqërisë që nuk janë të tatuara më parë dhe që nuk janë të shoqëruara me dokumente zyrtare që vërtetojnë origjinën e këtyre të ardhurave...”(neni 1 i ligjit të porsamiratuar që shton germën “h” në nenin 8 të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat, i ndryshuar”). Ky është neni i vetëm për të cilin është bërë ky ligj. Qeveria e Sali Berishës ndodhet përpara dy emergjencash: e para, për shkak të krizës së fortë ekonomike - mungesa e qëndrueshme e të ardhurave në arkën e shtetit; e dyta, për shkak të krizës së fortë politike e institucionale -pasiguria e thellë për ministrat, zv/ministrat, deputetët, zyrtarët politikë gjithfarësh, mbi të gjitha pasiguria për paratë e tyre të paligjshme. Formulimi i cituar më lart, tashmë me forcën e ligjit, i krijon mundësi çdo zyrtari politik të korruptuar të pastrojë paratë e tij në biznese legale, nga çerdhja private e fëmijëve deri tek kompanitë e ndërtimit, mjafton të paguajë për Qeverinë të cilës i shërben, por dhe rrjep, taksën prej 10%. Pra, një kryeministër, ministër, zv/ministër, deputet apo cilido zyrtar në pushtet, mund të gjejë një biznes të ligjshëm, në krizë e nevojë parash, ta përdorë -sipas këtij ligji - për të pastruar paratë e tij të pa ligjshme. Para të tilla të politikanëve të korruptuar, janë identifikuar shpesh. Qeveria, përballë këtij fakti u mbrojt duke thënë se: “kush kapet nuk amnistohet, por i merren paratë”. Por, cili do t’i kapë? Kryeministri do të kapë Saliun? Ministri i Brendshëm do të kapë Lulëzimin? Ministri i Financave do të kapë Sokolin, Fatmirin, Ilirin, Dritanin etj? Prokurorja e Përgjithshme do të ishte një garanci, por ajo nuk është. A e patë dy ditë më parë të ulej në një tavolinë, këtë herë miqësore e bashkëpunuese, me ministrin e akuzuar zyrtarisht e publikisht prej saj dhe ende të pa gjykuar? Pra, ligji është shumë garantues për politikanët e korruptuar dhe paratë e tyre. Selektiviteti në zbatimin e tij është në dorë të tyre, i garanton dhe i pasuron si “zotnij”! Madje, u krijon mundësi të bëjnë edhe para të tjera duke bërë sekserin, “ndërmjetës” është zanati i deklaruar nga njëri si ata, midis bizneseve në krizë e në nevojë dhe trafikantit të radhës, mik apo klient elektoral, që disponon para të pista nga aktiviteti kriminal. Pra, një cikël i plotë që kthen në lavatriçe Buxhetin e Shtetit dhe kriminalizon shoqërinë. Kjo është ajo që rrezikojmë nga ky ligj. Por, rreziku bëhet edhe më i madh nën dritën e shumë paralajmërimeve dhe të dhënave serioze se, paratë e terrorizmit po adresohen në rajonin tonë. Ne kemi përvojë të hidhur, disa raste kundër parave të terrorizmit dhe përdoruesve të tyre janë nën gjykim. Hapësira që krijon ky ligj është një lehtësi e madhe që krijohet për ata si financuese të terrorizmit, në një vend mu në mes të Evropës. Sali Berisha e ka shenjën e tyre mu në lule të ballit, qysh kur ofroi strehë dhe shtetësi për celulat e tyre në mes të viteve ‘90, këtu në Shqipëri. Po, por qeveria po forcon legjislacionin dhe po angazhon të tjera institucione në luftë kundër krimit, korrupsionit, terrorizmit, parave të tyre. Kryeministri ka lajmëruar ndryshime në ligjin “Për Shërbimin Informativ të Shtetit” për këtë qëllim. Nuk është kjo një garanci? Aspak! Projektligji “Për Shërbimin Informativ të Shtetit” është një garanci më shumë për pushtetin ilegjitim e të korruptuar të Sali Berishës. Me këtë projektligj, Sali Berisha merr nën kontrollin e tij të plotë këtë shërbim unik dhe mendon të mbrojë aktivitetin e tij joligjor nga shërbime të tjera të inteligjencës mbi të cilat ai dyshon. Në fakt, i duhet. Gjykata e Lartë, Gjykata e Apelit, Gjykata e Faktit, Prokuroria, Policia, në fund SHISH - kjo është radha e gjatë e institucioneve të kapura, por garantuese për Qeverinë e korruptuar të Sali Berishës. Kryeministri Berisha ka shprehur dyshime të forta se tamam SHISH, për shkak edhe të punës së përbashkët me shërbime partnere, ka dokumentuar veprimtarinë kriminale, por të frytshme të zyrtarëve të tij; në ngjarje thellësisht tragjike - si Gërdeci apo trafiku i armëve, por edhe në procedura ekonomike po aq fitimprurëse si disa privatizime strategjike. Sali Berisha nuk mund ta tolerojë këtë. Pikërisht ky projektligj i jep kontrollin e plotë mbi këtë Shërbim jetik, madje i jep kontroll të plotë edhe mbi marrëdhëniet e tij me shërbimet partnere. Kjo është arsyeja përse ky projekt nuk bëhet publik. Sipas këtij projektligji, kryeministri Berisha garanton: - ndërprerjen e mandatit të drejtorit aktual të Shërbimit; emërimin e një drejtuesi të ri sipas shijeve të tij; (Neni 3 i projektligjit që ndryshon nenin 5/1 të ligjit ekzistues: “drejtori qëndron në detyrë për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë”). -kontrollin e plotë mbi veprimtarinë e Shërbimit, në çdo kohë dhe për çdo çështje që kryeministri urdhëron; deri më sot kontrolli për veprimtarinë e SHISH kryhej nga Kuvendi, ndërsa raportimi tek kryeministri ishte vetëm për çështje të sigurisë kombëtare (Neni 2 i projektligjit që ndryshon nenin 5 të ligjit ekzistues: “drejtori i SHISH i paraqet kryeministrit një raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton atij, në çdo kohë dhe për çdo çështje, që lidhet me veprimtarinë e tij). çështjet objekt i punës së SHISH-it, me ligj, zgjerohen shumë dhe shtrihen nga siguria kombëtare, mbrojtja e sistemit të demokracisë parlamentare, parandalimi i krimit të organizuar, kontrabandës, pastrimit të parave të pista, korrupsionit të funksionarëve publikë deri tek certifikimi i personave sipas përcaktimeve ligjore. Pra, duke marrë kontrollin e Shërbimit, Berisha ka zgjeruar fushën e veprimit për ta përdoruar si “polici sekrete” mbi çdo institucion, por edhe shqiptar. Duke pasur parasysh natyrën thellësisht politike, madje ekstreme të kryeministrit, projektligji i qeverisë përbën një rrezik të madh për demokracinë në Shqipëri. Rreziku vjen edhe më i madh kur me këtë projektligj, kryeministri e shtrin kontrollin e tij edhe në dy drejtime të tjera: - urdhërimin dhe mbledhjen e informacioneve për shërbime të inteligjencës së shteteve të tjera, pa specifikuar apo normuar ligjërisht natyrën e informacioneve dhe shtetet, shërbimet e të cilave do të vihen nën hetim; (neni 1, pika d e projektligjit që ndryshon nenin 3 të ligjit ekzistues, shton në të: “të mbledhë, me miratim të kryeministrit, informacion për shërbimet e inteligjencës së shteteve të tjera”). -kushtëzimin prej tij të bashkëpunimit të SHISH-it me shërbime partnere të huaja, pa specifikuar apo normuar ligjërisht natyrën e kushtëzimeve që kërkojnë miratimin e kryeministrit për këtë bashkëpunim; (neni 5 i projektligjit që ndryshon nenin 9 të ligjit ekzistues, shton në të: “Shërbimi Informativ i Shtetit, në funksion të realizimit të detyrave të tij, mund të bashkëpunojë, me miratim të kryeministrit, me shërbime informative të vendeve të huaja”). Në këtë çast çdo gjë bëhet e frikshme. Një arsye e rëndë dhe serioze e detyron kryeministrin Berisha të arrijë deri këtu. Ngjan si shpallje lufte përkundër dikujt që di shumë rreth kryeministrit tonë dhe Qeverisë së korruptuar, në rastin më të keq. Por, ka një rast edhe me të keq: kryeministri Berisha ka ndryshuar plan, si në motin 1996, ka gjetur partnere po ata që i garantuan një pushtet okult, të dhunshëm, por mbështetur mbi bindje religjioze, ekstreme, aspak demokratike. Të vijmë tek politika e ditës, si e gjykoni tryezën e dialogut që pritet të zhvillohet me drejtimin e Presidentit? Po, do të ketë një tryezë. Më në fund Berisha është bindur të ketë një tryezë dialogu. I mundur në betejën e tij për të mohuar krizën politike dhe institucionale në Shqipëri. Dua të sqaroj se ne nuk kemi asnjë kusht për t’u ulur në tryezë. Berisha, çdo ditë paralajmëron të tilla, aq sa duket se në tryezë edhe nëse ulet, do rrijë “nenjë” formalisht. Natyrisht që shkojmë në tryezë me një qëllim të qartë, serioz, parimor dhe tashmë publik: Hetimin e përbashkët kushtetues e pa kufij të zgjedhjeve të 28 qershorit, duke përfshire materialet e votimit dhe votat. Nisur nga ato që ka deklaruar deri tani PS-ja, duket se tryeza e Presidentit do të jetë një dështim? Doni tua them ndershmërisht? Nisur nga qëndrimi agresiv i Sali Berishës këto ditë, nisur nga sjellja e tij shumëvjeçare në mbrojtje përherë të njerëzve që vrasin, vjedhin për të, pra i shërbejnë, unë nuk pres që Sali Berisha të pranojë hetimin, duke përfshirë hetimin edhe mbi kutitë e votimit. Për këtë shkak, nuk pres që tryeza të arrijë një marrëveshje që sjell zgjidhje të krizës politike e institucionale që buron nga vjedhja e zgjedhjeve më 28 qershor.(d.b/BalkanWeb)