Edi-Taku-Nardi, fronti opozitar i filmave vizatimorë
Kërcënimet e lejtnantëve për llokma pushteti mallëngjejnë vetëm aleancën Edi-Taku-Nardi. Deputeti demokrat Aldo Bumçi akuzon liderin e opozitës se po punon kundër interesave të vendit dhe njëherazi edhe të partisë së tij, duke lejuar djegien e mandateve Partia Demokratike reagoi dje përmes një deklarate për shtyp të deputetit Aldo Bumçi, lidhur me situatën më të fundit politike në vend. Deputeti Bumçi akuzoi kryesocialistin Edi Rama se po punon jo vetëm kundër interesave të partisë së tij, por po dhunon në mënyrë sistematike rendin demokratik në Shqipëri. Sipas tij, Rama po lexon kokëposhtë rezolutën e KiE, e cila në mënyrë definitive i bën apel për vendosjen e dialogut politik. “Jam sot përpara jush për të denoncuar leximin kokëposhtë të Rezolutës të Këshillit të Europës nga Edvin Kristaq Rama në një kohë kur qeveria ka pranuar pikë për pikë rezolutën, ka pranuar dhe është deklaruar e gatshme për të vendosur dialogun rreth zbatimit të saj dhe rikonfirmon gatishmërinë për ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar. Të gjithë këtyre, Edi Rama i është përgjigjur me kërcënime bajate për protesta dhe kërkesën antiligjore dhe anti-kushtetuese të rinumërimit të votave pasi gjykata ka vendosur të kundërtën e kësaj kërkese. Me qëndrimet e tij z. Rama dëshmon se po bën çdo gjë që të djegë mandatet e grupit Socialist, po dëshmon se mentaliteti i etërve të tij shpirtëror dhe biologjik dhe jo parimet e të drejtës dhe shtetit ligjor janë frymëzim i tij”, u shpreh deputeti Aldo Bumçi. Ai u shpreh më tej se kërcënimet e Ramës për protesta dhe leitnantët që nxjerr për të kërkuar llokma pushteti, mund të mallëngjejnë Takun dhe Nardin. “Veç kësaj mund të mashtrojnë ndonjë gazetar presidiumesh, por nuk mund t’i imponosh kësaj mazhorance as edhe gjënë më të vogël që bie ndesh me ligjet dhe kushtetutën e këtij vendi”, deklaroi më tej, deputeti i selisë blu, Aldo Bumçi....