Braçe: “Berisha duhet të japë llogari në Kuvend për abuzimet që konstatoi raporti i KLSH-së”
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka deklaruar se në administratën e qeverisë “Berisha” ka plasur korrupsioni me anë të abuzimeve në tendera. Duke komentuar raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Braçe tha se qeveria “Berisha” duhet t’u kërkojë të falur taksapaguesve shqiptarë për shpërdorimin që u ka bërë parave të tyre. Deputeti socialist dënoi qëndrimin e kryeministrit Berisha në drejtim të këtij raporti. Braçe tha se Berisha duhet të vijë në Kuvend që të japë llogari për korrupsionin që konstatohet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. “Sali Berisha kishte premtuar se KLSH, reagimi ndaj raporteve të tij, marrja e masave në raport me propozimet e tij, do të qe vijë sjelljeje e qeverisë në luftën ndaj korrupsionit. Ky burrë nuk e mban fjalën, ky kryeministër gënjen. Ndërsa hesht për një dokument zyrtar të një institucioni kushtetues, Sali Berisha bën faj kur refuzon rekomandimet e KLSH-së, shkon në krim kur rekomandimet e refuzuara synojnë uljen e kostove e mbi të gjitha të dëmeve ndaj parave të shqiptarëve”, - tha Braçe. Ai deklaroi se në këtë raport konstatohen qartë abuzimet me tenderat që ka kryer administrata e qeverisë “Berisha”. “Duke iu kthyer raportit të KLSH-së, vjedhja me tendera mbetet sunduese në administratën e lartë të qeverisë “Berisha”.
Nga 31 kontrolle, Ministri dhe Drejtori të Përgjithshme, 16 rezultojnë me shkelje, dëmi 9 mln $. Tenderat e vjedhura zënë 50% të shkeljeve. Nga 402 tendera të kontrolluar, 241 janë me shkelje ose 60%, në llogaritje gabim të vlerës së kontratës 85 raste, 22 në MPPTT e DPRR ose 25% në respektimin e fondit limit për përzgjedhjen e procedurës së prokurimit 45 raste, 10 raste në MPPTT e DPRR ose 22% në përpilimin e dokumenteve të tenderit, kriteret e vlerësimit, specifikimet teknike, 137 raste, 38 raste në MPPTT e DPRR ose 27% në hapjen e shqyrtimin e ofertave 58 raste, 22 raste në DPRR ose 37% në vlerësimin e kualifikimin e konkurrentëve 111 raste, 51 raste në MPPTT e DPRR ose 45% në zbatimin e kontratave nga kontaktorët në përputhje me parimet e përgjithshme të kontraktimit 85 raste, 41 raste në MPPTT e DPRR ose 48%”, - tha Braçe.
2 Prill 2009