Braçe: Blackout-i, imazhi i një Shqipëria sulltanat
Partia Socialiste
Partia Socialiste komentoi dje ngjarjen në stadiumin “Qemal Stafa”, ku për 90 minuta nuk pati energji elektrike gjatë sfidës Gramozi-Real Madrid. Sipas deputetit Erjon Braçe, ky është imazhi i një Shqipërie që funksionon si “sulltanat”, ku në mes të krizës ekonomike që, sipas tij, ka zaptuar të gjithë vendin dhe Shkodrën, e cila është rrënuar plotësisht, shpenzohen për 4 orë 2.5 milionë euro. Sipas Braçes, ky është shteti i ngritur mbi korrupsionin, konfliktin e interesit dhe tufën e të paaftëve që qeverisin sot vendin. “Sot u mësua se për prishjen e ahengut të klientit të qeverisë së Sali Berishës, u shkarkua një drejtor, u shoqëruan për t’u pyetur mbi 12 nëpunës, iu nënshtruan hetimit policor po kaq nëpunës! Sot është dita e 25 qëkur Shkodra e Lezha u mbytën nga i njëjti shtet, por asnjë drejtor nuk është shkarkuar, asnjë nëpunës nuk është shkarkuar, asnjë prej tyre nuk është shoqëruar, asnjë, po e përsëris asnjë prej tyre nuk është hetuar. Cinizëm më të madh për ata mijëra banorë që u mbytën u shkatërruan në çdo gjë, duke nisur nga prona deri tek e ardhmja, për ata mijëra shqiptarë të mirë solidarë që po kontribuojnë me çdo gjë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në zonën e katastrofës, nuk ka!” - shtoi Braçe.
#