Perez shfrytëzon terrin shqiptar, bisedime për De Rosin në Tiranë
Real Madrid
Presidenti “merengue” është takuar në Shqipëri me menaxherin e FIFA-s, Ernesto Bronxeti
Ka tronditur botën e futbollit me blerjet milionere. Sapo është rikthyer në krye të klubit, ka nisur epokën e dytë “galaktike” te Reali i Madridit: me afrimet e Kaka, Kristiano Ronaldo, Ksabi Alonsos dhe Karim Benzema. Florentino Perez nuk ka nevojë për reklamë. Emri i tij njihet në të gjithë botën, ashtu si “fiksimi” për yjet e futbollit botëror dhe nuhatja e jashtëzakonshme për biznes. Kjo dhunti e fundit e presidentit “merengue” është shfaqur edhe në Tiranë: Perez ishte i vetmi nga delegacioni i klubit spanjoll, që u paraqit i pashqetësuar nga ikja e dritave në stadiumin “Qemal Stafa”. Numri 1 i Realit ka kërkuar me ngulm që skuadra e drejtuar nga Pelegrini të qëndronte në dhomat e zhveshjes dhe të priste ndezjen e prozhektorëve, për të luajtur pjesën e dytë të miqësores me Gramozin. Kjo pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga drejtori i përgjithshëm i klubit, Horge Valdano, për t’u kthyer urgjentisht në Madrid. “Janë gjëra që ndodhin në mbarë botën”, ishin fjalët e 62-vjeçarit, që tentoi të zbuste disi ngjarjen, e cila ka goditur rëndë imazhin e vendit tonë nëpër botë.
Por, qetësia olimpike e Perez duket se i ka rrënjët më thellë. Drejtuesi më i lartë i klubit madrilen e ka shfrytëzuar errësirën e krijuar në ambientet e impiantit të ndërtuar nga italianët në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, për të bërë biznes. Në Tiranë ai është takuar me menaxherin e FIFA-s, Ernesto Bronxeti, me të cilin ka biseduar rreth transferimit të mundshëm të Daniele De Rosit në “Santiago Bernabeu”. Iberikët interesohen prej kohësh për mesfushorin e Romës, njëkohësisht edhe një prej lojtarëve kryesorë të përfaqësueses italiane të futbollit. Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja e kryeqytetit spanjoll, “AS”, në kolonat e së cilës theksohej se Reali ka rifilluar kontaktet për 26-vjeçarin. “Reali i Madridit kërkon me çdo kusht lojtarin e Romës, Daniele De Rosi. Drejtuesit e klubit po punojnë për përforcimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm dhe të mërkurën Florentino Perez u takua në Shqipëri me menaxherin Ernesto Bronxeti”, citohej në gazetë. “Megjithatë, klubi italian nuk ka ndërmend ta shesë mesfushorin, që cilësohet si një prej flamujve të skuadrës, për një shifër më të ulët se 40 milionë euro. De Rosi ka shumë dëshirë që të transferohet në ‘Bernabeu’, ku do të ketë shansin të luajë përkrah shumë yjeve të futbollit botëror dhe mund të fitojë trofe të rëndësishëm. Megjithatë, Perez do të ketë të njëjtat vështirësi si në mandatin e mëparshëm, kur kërkonte të blinte nga verdhekuqtë Françesko Totin”.
Shqipëria ishte vendi ideal për Perez dhe Bronxetin, që të diskutonin rreth strategjive të Realit të Madridit për të afruar mesfushorin “axurr”. Vendi ynë ishte një pikë e mesme takimi, ndërsa vëmendja ishte shpërngulur e gjitha te festa për ardhjen e yjeve madrilenë në Tiranë.
#