Blackout-i, bllokohen dokumentet për korrupsion
Policia dhe prokuroria dyshojnë se nuk janë respektuar kontratat për arsye përfitimi
Ikja e dritave në ndeshjen Gramozi-Real Madrid nuk ka kaluar lehtë, pasi policia dhe prokuroria kanë ndërmarrë një hetim të gjerë e deri ditën e djeshme janë shoqëruar mbi 25 persona. Incidenti i rëndë ka vënë në lëvizje shumë struktura dhe për më tepër hetimi po drejtohet nga seksioni kundër korrupsionit. Policia ia ka kaluar këtij seksioni hetimin e ngjarjes, pasi dyshohet se problemet me korrupsionin kanë sjellë edhe incidentin. Madje, për të verifikuar sa më mirë këtë problem, ditën e djeshme është sekuestruar i gjithë dokumentacioni për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe pritet të dalin rezultatet për këqyrjen e vendit të ngjarjes.
Në një deklaratë për shtyp, policia e Tiranës deklaroi se një grup hetimor po heton skandalin e ndërprerjes së energjisë për 85 minuta teksa luhej ndeshja Gramozi-Real Madrid në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë. Policia e kryeqytetit konfirmoi se 25 personat janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje për rrethanat e ngjarjes. Mes të shoqëruarve ishin pjesëtarë të stafit të mirëmbajtjes së stadiumit, por edhe punonjës të OSSH-së. Grupi hetimor i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore, ekspertë kriminalistë dhe oficerë të Antikorrupsionit, ka kryer hetimet e gjithanshme në vendin e ngjarjes.
Fillimisht është kryer një këqyrje e pjesshme e vendit të ngjarjes, këqyrje e cila vazhdoi ditën e djeshme. Grupi i dytë është dërguar sërish për të larguar çdo dyshim që mund të kemi të bëjmë me një akt të qëllimshëm.
Gjithashtu, është bërë i mundur sekuestrimi i të gjithë dokumentacionit përkatës dhe i korrespondencës mbi organizimin e kësaj ndeshje. Ndërkaq, të shoqëruarit nuk kanë pranuar përgjegjësinë për këtë incident të rëndë dhe janë lënë sërish të lirë. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, specialistët e OSSH-së kanë deklaruar se ndërprerja e energjisë elektrike sigurisht që pengoi zhvillimin e suksesshëm të këtij aktiviteti, por nuk ka përgjegjësi. Sipas tyre, ata nuk kanë kontroll mbi shpërndarjen e brendshme të tensionit të lartë brenda stadiumit “Qemal Stafa”, qark i cili bën të mundur furnizimin e projektorëve ndriçues të stadiumit. Gjithashtu, ata kanë shpjeguar se nuk ka një kontratë që përcakton sigurimin me gjenerator të klientit të vet dhe se defekti gjatë ndeshjes ka ndodhur në nënstacionin që është në përgjegjësinë e menaxherëve të stadiumit. Ndërsa menaxherët e stadiumit kanë deklaruar se ata nuk kishin gjenerator rezervë.
Për këto arsye, policia ka sekuestruar gjithë dokumentacionin për të vlerësuar se si ishte përcaktuar në kontratë. Policia deklaroi se ka dyshime të forta se persona përgjegjës nuk kanë plotësuar kushtet e kontratës dhe kjo dërgon në një veprim abuziv, që dënohet sipas Kodit Penal. Madje, kjo ka shtyrë policinë t’i kalojë hetimet nën drejtimin e seksionit kundër korrupsionit, për arsye se nëse rezulton shpërdorim detyre për përfitime personale, atëherë kjo është një vepër penale që hetohet prej tyre. Pavarësisht se ende nuk kanë dalë konkluzionet përfundimtare të ekspertëve, pista kryesore e hetimit është ajo e ndërprerjes së energjisë, për shkak të një defekti në transformator i ardhur nga mbingarkesa.
#