Prodani: Stadiumin shteti ta kalojë në pronësi të futbollit
Reagimi i FSHF
Ndërprerja e energjisë elektrike në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” ishte një fatkeqësi, që fatmirësisht nuk na ndodhi në një ndeshje zyrtare të Kombëtares. Federata Shqiptare e Futbollit është institucioni i interesuar direkt për përmirësimin e kushteve në stadiumin “Qemal Stafa” dhe shteti, nëse do t’ia jepte me koncesion, do të bënte një gjë të mirën për komunitetin e futbollit. FSHF-ja, nëpërmjet sekretarit të saj të përgjithshëm Eduard Prodani, insiston se përdorues i stadiumit është pikërisht ky komunitet, që është edhe i interesuar për të investuar. “Mënyrat e dhënies janë të ndryshme: me koncesion, me qira etj., rëndësi ka që ata që do ta menaxhojnë të kenë interes ta bëjnë sa më mirë, sqaron Prodani. Shteti, në rastin më të mirë, mund ta kalojë stadiumin në pronësi të futbollit”. FSHF-ja thekson se nuk do të përfitojë nga rasti, “por e vërteta është se e kemi ngritur zërin më parë, duke paralajmëruar situata të tilla të pakëndshme. FSHF-ja ka qenë gjithmonë e shqetësuar për kushtet e stadiumit, duke kërkuar investime për përmirësimin e tyre. Problemi kryesor ka të bëjë me menaxhimin e këtij stadiumi. Thelbi i problemit është sistemi. Në rast se shteti nuk arrin t’ia japë me koncesion privatit, FSHF-ja është e gatshme ta marrë vetë dhe të investojë për ndryshimin ambienteve dhe sigurisht formës së menaxhimit. Për federatën, marrja me koncesion e ‘Qemal Stafës’ është një barrë më shumë, por e shikojmë një zgjidhje të mundshme për ta ndryshuar një herë e mirë realitetin e hidhur të këtij stadiumi”, tha sekretari i përgjithshëm i federatës.
#