Braçe: Drejtori demokrat i Albpetrol shpërdoroi 60 milion dollarë, i përdori për fushatë
Deputeti socialist, Erjon Braçe, ka akuzuar drejtorin e Albpetrol, për shpërdorim me sasitë e tenderuara të naftës. Sipas Braçes, ai tenderoi që në fillim të vitit gjithë sasinë e naftës për një vlerë prej 60 milion dollarë, një pjesë e të cilave janë përdorur për fushatën elektorale. Koorporata më e madhe në vend, Albpetrol, e drejtuar politikisht nga kryetari i PD-së të Fierit, ka tenderuar në vitin elektoral, të gjithë sasinë e naftës që përfitohet gjatë vitit nga ndarja e prodhimit përmes marrëveshjeve hidrokarbure. Pra, ka tenderuar të gjithë sasinë e naftës që se ka në fillim të vitit, por në muajt që vijnë. Bëhet fjalë për një vlerë mbi 60 milionë dollarë! Nuk mjafton kjo, por pasi mëson që partia e tij ka humbur zgjedhjet, kërkon me ngulm, para se të iki, naftën që se ka, por atë që do të marrë në muajt në vijim, në muajt që sdo të jetë më drejtori politik i Albpetrol! Ja, ky është shembulli i një sistemi zhvatës! Ky sistem duhet shembur! Por përsëri nuk mjafton, shprehet deputeti socialist. Sipas tij, Sali Berisha e tjetërsoi, e transferoi, e privatizoi, e shiti, e vodhi pronën publike! Tërësisht për interesa personale apo klientelës rreth e rrotull tij. Ndër elementët e krizës që po vuajmë është edhe ky. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 11-pika 2, thotë: Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj! Kushtetuta është shkelur! Qeveria që po ikën privatizoi gjithçka: Shtetin, pronën publike, shërbimet publike, koorporatat publike etj. Të gjitha në një grusht njerëzish! Sot, shqiptarët paguajnë gjithnjë e më shtrenjtë, mallra e shërbime, edhe për këto shkaqe. Një abuzim barbar, zinxhir, mbi pronën publike. Gjithkush qe e kishte në dorë e abuzoi, e vodhi. Shiheni dokumentin. Duhet qëndrim tërësisht i ndryshëm ndaj pronës publike, shërbimeve publike, koorporatave publike. Pa u ndalur, pa u kompleksuar nga pronarët klientë të koncesioneve politike. Por me drejtësi dhe të barabartë me të gjithë, përfundon Braçe.