Papunësia, përplasje shifrash mes Qeverisë dhe INSTAT-it
Për herë të parë në këto tetë vitet e fundit, INSTAT dhe Qeveria në detyrë nuk kanë qenë në një mendje me publikimin e shifrave të papunësisë. Nëse nga njëra anë INSTAT ka pranuar se numri i të papunëve është rritur më shumë se viti i kaluar, Qeveria thotë të kundërtën. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT papunësia është rritur nga 13.1 në 14.5%, por sipas Ministrisë së Financave numri i të papunëve ka rënë në 12.8 %. Mospërputhja e statistikave u vu re gjatë konferencës së fundit për shtyp të ministrit Ridvan Bode, i cili ndërsa prezantoi të dhënat makroekonomie për 7-mujorin, foli edhe për ulje të numrit të të papunëve në vendin tonë.
Qeveria
INSTAT pak ditë më parë, nëpërmjet anketës 3-mujore të matjes së forcës së punës, raportoi për një nivel papunësie në 14.5 %, ndërsa kreu i Financave Publike, Ridvan Bode, vetëm pak ditë më pas tha se është shënuar një ulje e nivelit të papunësisë, në 12.8 % nga 13.1 % që ishte më parë. “Kemi një rënie të mëtejshme të nivelit të papunësisë dhe rritje të punësimit; nga 13.1 në 12.8 %,” tha Bode. Por
një javë më parë në të dhënat e publikuara nga INSTAT, norma e papunësisë në vend në tremujorin e parë të këtij viti, u rrit me dy pikë përqindje.
INSTAT
“Norma e papunësisë për 3 mujorin e parë sipas anketës së INSTAT, rezulton 14.5 për qind e forcave të afta për punë. Gjatë tremujorit të parë 2013 në Shqipëri 63.2 për qind e popullsisë në moshë pune ishte aktive në tregun e punës. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për femrat ishte 55.3 për qind, ndërsa për meshkujt 71.8 për qind. Krahasur me tremujorin e katërt 2012, pjesëmarrja e femrave në tregun e punës është rritur me afro 1 për qind ndërsa pjesëmarrja e meshkujve është ulur me 1.2 për qind. Krahasuar me tremujorin e parë 2012, shkalla e papunësisë është rritur me 1.1 për qind”- thuhet në raportin e INSTAT.
Mospërputhja
Siç shihet nga të dhënat shifrat e INSTAT këtë herë janë të ndryshme me ato të qeverisë. Ministri flet për ulje të papunësisë, ndërkohë që qindra persona kanë humbur punën këtë vit, nga falimentimi i bizneseve, apo shkurtimet në vendet e punës. INSTAT si një institucion në varësi të kryeministrisë, shpesh është akuzuar nga opozita e mëparshme (mazhoranca e re), se ka fabrikuar shifra në interes të qeverisë.