Përmeti, sërish replika në distancë mes Shqipërisë dhe Greqisë
Rikthehen sërish përplasjet mes Shqipërisë dhe Greqisë për sa i përket incidentit të ndodhur në Përmet. Zëvendësministri i Jashtëm grek, Dimitris Kourkoulas, ka thënë se ngjarjet e ndodhura në Përmet janë të papranueshme. Duke folur në një intervistë për gazetën Eleftherotypia, ai ka kërkuar nga ana e qeverisë shqiptare që të ndërhyjë për izolimin e incidenteve të tilla. Ngjarje si në Përmet kohët e fundit janë të papranueshme. Në kërkojmë thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe kjo besoj është edhe dëshira e palës shqiptare. Shpresoj se pala shqiptare do të jetë në gjendje të izolojë incidentet, për të mos minuar marrëdhëniet tona, shprehet zëvendësministri grek. Ndërkohë, duke folur për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ai ka thënë se, ajo që është e vërtetë për vendet e tjera, të cilët janë të interesuar për tu bashkuar me Bashkimin Evropian, vlen edhe për Shqipërinë. Hyrja në familjen evropiane kërkon harmonizim me frymën e normave evropiane. Kjo përfshin respektin për pakicat fetare, etnike dhe kulturore, si dhe mbrojtjen e pronës së tyre. Respekti për parimet e kulturës europiane është parakusht ligjor i nënkuptuar.
Reagimi
Pas publikimit të kësaj deklarate të zëvendësministrit të Jashtëm grek reagoi zëvendësministri i jashtëm shqiptar, Kreshnik Çollaku. Në reagimin e tij, Çollaku thotë se Shqipëria mund tu japë leksione vendeve të BE-së, me në krye Greqinë, për bashkëjetesën dhe harmoninë fetare. I pabazë pretendimi i zv ministrit të Jashtëm grek për respektimin e komuniteteve fetare në Shqipëri. Në çdo plan historik apo aktual, individual apo shtetëror, shqiptarët dhe Shqipëria kanë qenë e janë model i harmonisë e tolerancës ndërfetare. Në këtë plan, Shqipëria mund tu japë leksione harmonie e bashkëjetese fetare shumë vendeve të BE dhe ndër më të parëve, Greqisë, shprehet Çollaku.