Braçe: Gjiri i Kakomesë u shit nga Shaban Memia një ditë para largimit nga ALUIZNI
Interpelanca
Zyrtari socialist, akuza për shitje të perlës turistike të Jugut të Shqipërisë
BLEDAR HOTI
Partia Socialiste akuzon me fakte në Kuvend për abuzimet që u bënë në lidhje me fshatrat turistikë. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, thirri dje në një interpelancë ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi, për abuzimet e kryera në lidhje me procesion e fshatrave turistikë. Dy vite pasi kishte hyrë në fuqi, por tërësisht në kundërshtim me të, Agjencia që Sali Berisha me mburrje ia kish lënë në dorë anëtarit të byrosë politike të PD-së, Shaban Memisë, shiti gjirin e Kakomesë! Ligji është i qartë: shitet trualli nën objektin e ndërtuar para nëntorit të vitit 2008 dhe të regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive!!! Objekt të regjistruar në ZRPP nuk ka, sepse nuk ka objekt të ndërtuar në Kakome! Megjithatë gjiri i Kakomesë u shit dhe prona është regjistruar nga ZRPP, nën varësinë e ministrit të Drejtësisë, në favor të kompanisë Riviera! 290 mijë metra katrorë u shitën për 1219.7 lekë për metër katror! Prona është shitur në total për gati 3.4 milionë dollarë, kur ajo kushton minimumi 40 milionë dollarë!, tha Braçe. Numri dy i grupit të PS-së theksoi në fjalën e tij se kjo është një vlerë toke që nuk e gjen as në fshatrat më të humbura në Shqipëri. Kjo është bërë një ditë para se drejtori juaj i ALUIZNI-t, Shaban Memia, të jepte dorëheqjen. Janë shitur 29 hektarë, ku nuk ka asnjë ndërtesë të vetme të ashtuquajtur fshat. Kjo është harta e korrupsionit të ALUIZNI-t. Ndërsa ministri Halimi u mbrojt me argumentin se toka ishte dhënë për shfrytëzim nga socialistët dhe çmimi i referencës së trojeve është përcaktuar po nga qeveria socialiste. Qeveria i ka dhënë kësaj kompanie 29 hektarë, por gaboheni kur akuzoni këtë qeveri, pasi atë e keni dhënë ju, me vendimin që kam në dorë, të datës 23 qershor 2004. Ishte kryeministri juaj i asaj kohe ai që firmosi këtë vlerë. A nuk ishit ju një javë më parë në Parlament zoti Braçe, kur pikërisht kërkuam që të ndryshojmë hartën e vlerës së miratuar nga ju, pasi me këtë formulë ka një deformim të tregut?, theksoi Halimi. Ministri i Drejtësisë ka bërë më pas një prezantim të fshatrave turistikë dhe licencat e dhëna gjatë viteve. Janë 152 subjekte dhe individë, nga të cilët 17 prej tyre janë me vendim të Komitetit të Zhvillimit të Turizmit, dhe janë miratuar nga viti 1994-1997, dhe 135 i përkasin 1997-2005, të dhëna nga qeveria socialiste. Deri ditën e sotme janë përcjellë relacione për 17 subjekte, janë mbyllur edhe si procedura dhe të tjerat janë në proces legalizimi. Po unë kam 17 fshatra turistikë që kanë ardhur në zyrën e regjistrimit. Në përfundim sqaroj se, nga verifikimet, nuk rezulton të jetë kryer ndonjë fshirje. Nga 4200 persona fizikë që kanë paraqitur kërkesa tek ALUIZNI, në 224 ka mbivendosje. Të gjitha këto janë dhënë nga ministrat dhe kryeministrat që kanë qeverisur gjatë kohës së socialistëve, theksoi Halimi. Ndërkohë që ministri i Drejtësisë nuk ka ngurruar të akuzojë socialistët për përfitim në fshatrat turistikë. E tillë ishte edhe akuza ndaj nënkryetarit të Kuvendit, Namik Dokle. Kjo solli më pas debate në seancë, ku Dokle ka kërkuar fjalën por është mohuar nga homologu i tij, Ardian Turku i PD-së. Unë nuk e kuptoj se si mund të flasë për mua zoti ministër, kur unë kam marrë një tokë prej 56 m² katrorë, edhe atë tokë ma kanë trashëguar prindërit e mi, atëherë kur edhe zoti ministër nuk kishte lindur. Edhe kjo tokë që kam marrë unë është 49 herë më e vogël se të gjitha shifrat e dhëna këtu. Kërkon të gjesh ujkun mes kopesë. Po ti nuk je as ujk, po qenke zagar, tha Dokle, duke iu drejtuar ministrit. Halimi ndërkohë ka replikuar nga vendi pa mikrofon.
Kontrata
Deputeti Braçe ka paraqitur dhe një kontratë të firmosur nga ish-kreu i ALUIZNI-t, Memia, për firmën Riviera
Abuzimet
Braçe tha se abuzimet lidhen me zbatimin e ligjit Për rregullimin e pronësisë në zonat me përparësi turizmin
17 fshatrat turistikë sipas ministrisë
- Toena, me sipërfaqe 15 mijë metra katrorë me leje ndërtimi të lëshuar në 2005.
- Fshati Shushicë, e lëshuar nga Kryeministri i asaj kohe, nuk është paraqitur as një kërkesë dhe ka një mbivendosje.
- Durim Veriaj, me një sipërfaqe prej 18.833 m², me leje të lëshuar në 2004.
- Princes Internacionale, lëshuar nga Kryeministri i 2001, nuk krijon mbivendosje.
- Shushica 25/1 e lëshuar nga Kryeministri, 2003, kanë paraqitur tri kërkesa, nuk ka mbivendosje.
- Gora Xixa, me leje ndërtimi të lëshuar në vitin 2003, me sipërfaqe 11. 460 m², nuk ka mbivendosje.
- Mondi i Rikës, leje ndërtimi e dhënë nga Kryeministri i vitit 1997, kanë paraqitur 19 kërkesa, nuk ka mbivendosje
- Alpet, e marrë leja e ndërtimit në vitin 2003, e lëshuar nga Kryeministri 2003, nuk ka mbivendosje.
- Kastrati, është marrë leja e ndërtimit në vitin 2003, është një sipërfaqe prej 4900 m², nuk ka mbivendosje me pasuri të tjera.
10. Agim Hoxha, 2005, ka një sipërfaqe prej 4000m², kanë paraqitur kërkesa katër persona, nuk ka mbivendosje.
11. Ardian Çarçani, e marrë leja e ndërtimit në 2004-n, ndryshuar nga Kryeministri i vitit 2004, sipërfaqja 30.000 m², janë dorëzuar 2 kërkesa, nuk krijon mbivendosje.
12. Epidam, leje ndërtimi i 2004, me 28 hektarë, sipas verifikimit janë paraqitur 7 kërkesa, nuk ka mbivendosje me ndonjë pronar tjetër
13. Shpëtimtari, ka marrë lejen në vitin 2000 nga Kryeministri i asaj kohe, ka një sipërfaqe prej 1. 8 hektarësh, janë paraqitur 16 kërkesa për regjistrim, nuk ka mbivendosje
14. Alb Adriatik, është marrë leja në vitin 2003, një sipërfaqe prej 3600 m², nuk ka mbivendosje
15. Euro Kol, i lëshuar në 2003, me sipërfaqe 24 hektarë, janë paraqitur 6 kërkesa, nuk ka mbivendosje
16. Fshati Lura, e marrë leja në vitin 2000, nga Kryeministri i asaj kohe, me një sipërfaqe prej 86.7 hektarësh, ka vetëm 1 kërkesë, nuk ka mbivendosje
17. Riviera e lëshuar në 2004, me sipërfaqe 70 hektarë, një pjesë ka pasur mbivendosje
Braçe: Gjiri i Kakomesë u shit nga Shaban Memia një ditë para largimit nga ALUIZNI burimi: Gazeta Shqip